artikull

Janar 2022                                                                      


Pjesa e dytë - Për hir të martesës, prediko Perëndinë

Kjo na çon te një përfundim i thjeshtë – i thjeshtë e me ndikim të madh. Nëse duam ta shohim martesën në vendin që i takon në botë dhe në kishë – domethënë, nëse duam që martesa të përlëvdojë të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Perëndisë – duhet të mësojmë dhe të predikojmë më pak për martesën dhe më shumë për Perëndinë.

Shumica e të rinjve sot, kur njihen dhe martohen, nuk sjellin një vizion të madh të Perëndisë – kush është Perëndia, si është Ai, si vepron Ai. Në botë nuk ka pothuajse asnjë vizion të Perëndisë. Ai madje nuk është as në listën e të ftuarve. Fatkeqësisht është harruar. Gjithashtu në kishë, pikëpamja që çiftet e reja kanë për Perëndinë në marrëdhënien e tyre, është shumë e vogël. Është tepër anësore dhe jo qendrore, është tepër e mjegullt dhe jo e qartë, është tepër e pafuqishme në vend që të përcaktojë gjithçka. Në vend që të jetë magjepsëse, ajo nuk të frymëzon, saqë kur çifti martohet, mendimi i të jetuarit në martesë për lavdinë e Perëndisë nuk ka as kuptim dhe as përmbajtjen e duhur.

Çfarë nënkuptojmë me lavdinë e Perëndisë

Çfarë kuptimi ka “lavdia e Perëndisë” për një bashkëshorte apo bashkëshort të ri, i cili/e cila nuk i kushton as kohë as mendim njohjes së lavdisë së Perëndisë, apo lavdisë së Jezu Krishtit, Birit të Tij hyjnor...

  • lavdia e përjetësisë së Tij, e cila na lë pa mend nga mendimi i pafundmë që Perëndia nuk ka pasur kurrë një fillim, por thjesht ka qenë nga përjetësia;
  • lavdia e njohurisë së Tij, e cila e bën Librarinë e Kongresit të duket si një kuti shkrepëseje dhe fizikën bërthamore si një libër leximi për klasën e parë;
  • lavdia e urtësisë së Tij, e cila nuk është këshilluar më parë dhe nuk do të këshillohet kurrë me njerëzit;
  • lavdia e autoritetit të Tij mbi qiellin, tokën dhe ferrin, pa lejen e të cilit asnjë njeri dhe asnjë demon nuk mund të lëvizë as edhe një gisht;
  • lavdia e provanisë së Tij, pa të cilën asnjë zog nuk bie përtokë dhe as një fije e vetme floku nuk zbardhet;
  • lavdia e fjalës së Tij, e cila mban në ekzistencë gjithësinë dhe të gjitha atomet dhe molekulat së bashku;
  • lavdia e fuqisë së Tij për të ecur mbi ujë, për të pastruar lebrosët, për të shëruar të çalët, për të hapur sytë e të verbërve, për t’i bërë të shurdhrit të dëgjojnë, për të qetësuar stuhitë me një fjalë të vetme dhe për të ringjallur të vdekurit;
  • lavdia e pastërtisë së Tij për të mos mëkatuar kurrë, ose për të mos pasur një qëndrim të keq apo një mendim të lig, qoftë edhe për pak sekonda;
  • lavdia e besueshmërisë së Tij për të mos e shkelur kurrë fjalën e Tij ose për të lënë edhe një premtim të vetëm të dështojë;
  • lavdia e drejtësisë së Tij për të gjykuar të gjitha çështjet morale të gjithësisë në kryq ose në ferr;
  • lavdia e durimit të Tij për të duruar ngurtësinë tonë, dekadë pas dekade;
  • lavdia e bindjes së Tij sovrane e ngjashme me bindjen e një skllavi për ta përqafuar me gatishmëri dhimbjen torturuese të kryqit;
  • lavdia e zemërimit të Tij, që një ditë do të bëjë që njerëzit t’u thonë shkëmbinjve dhe maleve të bien mbi ta;
  • lavdia e hirit të Tij, që drejtëson të paudhët; dhe
  • lavdia e dashurisë së Tij, që vdiq për ne, ndërsa ne ishim ende mëkatarë.

Si do të jetojnë njerëzit që martesa e tyre të shfaqë të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e kësaj lavdie, kur ata nuk i kushtojnë pothuajse aspak energji dhe kohë njohjes dhe çmuarjes së kësaj lavdie?

Misioni i jetës dhe i kishës sime

Ndoshta mund ta dallosh pse gjatë njëzetë e pesë viteve të fundit të shërbesës pastorale e kam parë misionin e jetës dhe kishës time (misionin e kishës dhe jetës time) në disa terma shumë bazë: domethënë, unë ekzistoj – ne ekzistojmë – të përhapim një pasion për epërsinë e Perëndisë në të gjitha gjërat, për gëzimin e të gjithë popujve. Ky është vlerësimi i nevojës tonë. Derisa të ketë pasion për epërsinë e Perëndisë dhe për lavdinë e Tij në zemrat e të martuarve, martesa nuk do të jetohet për lavdinë e Perëndisë.

Nuk do të ketë një pasion për epërsinë dhe lavdinë e Perëndisë në zemrat e të martuarve, gjersa ta njohim vetë Perëndinë në lavdinë e tij të shumëfishtë. Nuk do ta njohim Atë në lavdinë e Tij të shumëfishtë, gjersa pastorët dhe mësuesit të flasin vazhdimisht dhe pa u lodhur, me thellësi dhe biblikisht, besnikërisht, plotësisht, dallueshëm dhe me pasion. Martesa e jetuar për lavdinë e Perëndisë do të jetë fryti i kishave të mbushura nga kjo lavdi.

Prandaj e them sërish, nëse dëshirojmë që martesa të përlëvdojë të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Perëndisë, duhet të japim mësim dhe të predikojmë më pak për martesën, dhe më shumë për Perëndinë. Jo se predikojmë shumë mbi martesën, por në fakt predikojmë shumë pak për Perëndinë. Thjesht Perëndia nuk është madhështor e qendror për shumicën e njerëzve tanë. Ai nuk është dielli rreth të cilit rrotullohen të gjithë planetët e jetës tonë të përditshme, ku dhe gjejnë vendin e duhur e të caktuar nga Perëndia. Ai është më tepër si hëna, e cila zbehet dhe humbet, dhe ti mund të kalosh netë të tëra pa menduar fare për Të.

Për shumicën e njerëzve tanë, Perëndia është periferik dhe njëqind gjëra të mira e kanë uzurpuar vendin e Tij. Të mendosh se martesa mund të jetohet për lavdinë e Tij duke dhënë mësim rreth dinamikave të marrëdhënieve, ndërkohë që lavdia e Perëndisë është kaq larg zemrës, është sikur të presësh që njeriu të përlëvdojë yjet kur nuk e soditim qiellin e natës dhe nuk kemi blerë kurrë një teleskop.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-surpassing-goal-marriage-lived-for-the-glory-of-god  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim