foto artikulli 14 shkurt pj1

Janar 2022                                                                      


Pjesa e parë

Tema ime për këtë kapitull është “Martesa e jetuar për lavdinë e Perëndisë”. Fjala vendimtare në këtë temë është fjala “për”: “Martesa e jetuar për lavdinë e Perëndisë”. Tema nuk është: “Lavdia e Perëndisë për të jetuarit e martesës” dhe as: “Martesa e jetuar nga lavdia e Perëndisë”, por: “Martesa e jetuar për lavdinë e Perëndisë”.

Kjo fjalë e vogël do të thotë se ka një renditje përparësie. Ka një rend rëndësie përfundimtare dhe ky rend është i qartë: Perëndia është i një rëndësie përfundimtare dhe jo martesa. Perëndia është Realiteti më i rëndësishëm; martesa është më pak e rëndësishme–shumë herë më pak e rëndësishme, pafundësisht më pak e rëndësishme. Martesa ekziston për të lartësuar të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Perëndisë; Perëndia nuk ekziston për të lartësuar martesën. Deri në momentin kur kjo renditje të jetë e qartë dhe të vlerësohet–derisa të shihet dhe të shijohet–martesa nuk do të përjetohet si një zbulesë e lavdisë së Perëndisë por si një kundërshtare e asaj lavdie.

Pse ekziston martesa

Temën time, “Martesa e jetuar për lavdinë e Perëndisë”, e marr si një përgjigje për pyetjet: Pse martesa? Pse ka martesë? Pse ekziston martesa? Pse jetojmë në martesë? Kjo do të thotë se tema ime është pjesë e një pyetjeje më të madhe: Pse ekziston diçka? Pse ekziston ti? Pse ekziston seksi? Pse ekzistojnë toka, dielli, hëna dhe yjet? Pse ekzistojnë kafshët dhe bimët, oqeanet, malet, atomet dhe galaktikat? Përgjigjja për të gjitha këto pyetje, përfshirë këtu edhe për pyetjen rreth martesës është: Të gjitha këto ekzistojnë për lavdinë e Perëndisë.

Domethënë, ato ekzistojnë për të lartësuar të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Perëndisë. Jo ashtu si zmadhon gjërat një mikroskop, por ashtu si i zmadhon një teleskop. Mikroskopët zmadhojnë duke i bërë gjërat shumë të imëta, të duken më të mëdha nga sa janë realisht. Teleskopët zmadhojnë duke i bërë gjërat jashtëzakonisht të mëdha dhe të duken ashtu sikurse janë në të vërtetë. Mikroskopët e zhvendosin pamjen e madhësisë larg realitetit. Teleskopët e sjellin pamjen e madhësisë më pranë realitetit. Kur unë them se të gjitha gjërat ekzistojnë për të lartësuar të vërtetën, vlerën, bukurinë dhe madhështinë e Perëndisë, dua të them se të gjitha gjërat–dhe në mënyrë të veçantë, martesa–ekzistojnë për ta zhvendosur pamjen e Perëndisë në mendjet e njerëzve më pranë Realitetit.

Perëndia është i paimagjinueshëm madhështor, pafund i çmuar dhe i patejkalueshëm në bukuri. “Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme” (Psalmi 145:3). Gjithçka që ekziston ka për qëllim ta lartësojë këtë Realitet. Perëndia thërret përmes profetit Isaia (43:6-7): “Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time. (theksimi i shtuar). Ne jemi krijuar për të shfaqur lavdinë e Perëndisë. Pali i përmbyll njëmbëdhjetë kapitujt e parë të letrës së tij madhështore të Romakëve me lartësimin e Perëndisë si burimi dhe synimi i të gjitha gjërave: “Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Romakëve 11:36). Ai e bën edhe më të qartë te Kolosianëve 1:16, ku thotë: “Sepse në të [Krishtin] u krijuan të gjitha, ato që janë në qiej dhe ato mbi dhe... të gjitha janë krijuar me anë të tij dhe ndaj tij (theksimi i shtuar).

Çfarë do të thotë të jesh bërë për Perëndinë

Mjerë ne, nëse mendojmë se “për Të” do të thotë “për nevojën e Tij”, apo “për dobinë e Tij”, ose “për përmirësimin e Tij”. Pali e bëri jashtëzakonisht të qartë te Veprat 17:25 se Perëndia nuk “shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë”. Jo, termat “për lavdinë e Tij” dhe “për Të” do të thonë: “për të shfaqur lavdinë e Tij”, ose “për të treguar lavdinë e tij”, apo “për të lartësuar lavdinë e tij”.

Këtë gjë kemi nevojë ta lëmë të zhytet brenda nesh. Dikur ishte vetëm Perëndia, dhe vetëm Perëndia. Universi është krijim i Tij. Kjo nuk është e përjetshme me Perëndinë. Nuk është Perëndi. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi... Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij” (Gjoni 1:1, 3). Të gjitha gjërat. Gjithçka që nuk është Perëndi është bërë nga Perëndia. Prandaj, dikur ishte vetëm Perëndia dhe Perëndia është Realiteti absolut. Ne nuk jemi, nuk është as universi, as martesa. Ne jemi të prejardhur. Universi është e një rëndësie dytësore dhe jo parësore. Raca njerëzore nuk është realiteti përfundimtar, as vlera përfundimtare, as standardi përfundimtar për atë që është e mirë, e vërtetë apo e bukur, por Perëndia është. Perëndia është absolutja përfundimtare në ekzistencë. Gjithçka tjetër është prej Tij, me anë të Tij dhe për Të.

Kjo është pika fillestare për të kuptuar martesën. Nëse këtë e kuptojmë gabim, gjithçka tjetër do të shkojë keq. Dhe nëse e kuptojmë siç duhet–vërtet ashtu siç duhet, në mendjen dhe zemrën tonë–atëherë martesa do të transformohet prej saj. Martesa do të bëhet ajo që u krijua të ishte nga Perëndia–një shfaqje e së vërtetës, vlerës, bukurisë dhe madhështisë së Perëndisë.

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh.


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/the-surpassing-goal-marriage-lived-for-the-glory-of-god  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim