sovran & mirdashes

Janar 2022                                                                      


Mënyra se si gëzimi bën dhe dërgon misionarë

Pierre Richer dhe Guillaume Chartier u bënë misionarët e parë që kaluan Oqeanin Atlantik dhe të parët që shkelën në tokën amerikane. Ata arritën në Brazil në vitin 1557. Nga momenti që Kalvini ofroi lutjen e bekimit mbi ekipin në Francë dhe i dërgoi ata në “Botën e Re”, misionet në vendet e largëta dhe kalvinizmi u bënë një.

Sidoqoftë, historia e pasur e misionarëve kalvinistë përgjatë shekujve nuk ia ka mbyllur gojën banalitetit të lashtë, të cilin jam i sigurt që diku e ke dëgjuar. Është pak a shumë ky: Sa më sovran që ta bësh Perëndinë mbi shpëtimin e shpirtrave individualë, aq më bindëse të tingëllon thirrja për ta çuar ungjillin deri në cepat e globit (për të mos folur pastaj për ndarjen e ungjillit me të afërmit apo bashkëpunëtorët tanë). Na thuhet se, nëse Perëndia është sovran mbi faktin se kush vjen në besim, ne anashkalohemi si agjentë dhe si vëzhgues të parëndësishëm në teatrin e veprës shpëtuese të Perëndisë në botë. Na thuhet se sovraniteti i Perëndisë e kërcënon nevojën e ngutshme për ungjillëzim.

Gjithsesi, e vërteta është gjithmonë më e bukur se banalitetet. Këtu në desiringGod.org, ne kënaqemi në sovranitetin e Perëndisë, njësoj siç festojmë për misionet dhe ungjillëzimin. Në fakt, ne i festojmë dhe i nxitim misionet dhe ungjillëzimin pikërisht për shkak se kënaqemi në sovranitetin e Perëndisë. Nuk po përpiqemi të mbajmë bashkë dy magnete, të cilët e shtyjnë njëri-tjetrin, por jemi duke mbajtur dy pretendime magnetike, të cilat tashmë tërhiqen dhe lidhen bashkë nga gëzimi i Jezusit.

Një gëzim i pamasë

Dikur, gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi u tejmbush me gëzim prej mirësisë sovrane të Atit të Tij, kur Ai e fsheh ungjillin e lavdishëm nga fetarët arrogantë dhe zgjon besimin në jetën e mëkatarëve të thjeshtë.

Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: “Të lavdëroj ty o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu qe e pranueshme para teje. Çdo gjë mu dha në dorë nga Ati im, dhe asnjeri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjë njeri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri do t’ia zbulojë.” (Mateu 11:25-27)

Misioni i Jezusit është t’ua zbulojë mëkatarëve lavdinë e Tij, që është e njëjta gjë si njohja e Atit. Kjo është gjithmonë një zbulesë hyjnore. Sapo Jezusi e sheh planin sovran të shpengimit të shpaloset në kohë reale, zemra e Tij mbushet me lavdërim për Atin.

Sovraniteti i Perëndisë mbi shpëtimin e çdo individi mëkatar është një e vërtetë e lavdishme, që duhet t’i nxitë zemrat e të gjithëve ne drejt gëzimit në Perëndinë. Çfarë bëjmë ne me atë gëzim në Perëndinë tonë sovran?

Një ofertë e lavdishme

Me të njëjtën frymëmarrje, vëmendja e Krishtit kthehet nga kënaqësia në Perëndinë te një thirrje e lavdishme drejtuar njerëzve përreth Tij duke iu bërë këtë ftesë:

“Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni çlodhje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30)

Menjëherë, Jezusi ofron lajmin e mirë të çlirimit nga skllavëria e mëkatit.

Me fjalë të tjera, reagimi i duhur për të parë sovranitetin e Perëndisë në shpëtimin e mëkatarëve, është oferta e hapur që ungjilli u bën mëkatarëve. Gëzimi i Jezusit në sovranitetin e Perëndisë duhet “të shfaqet” thotë puritani Thomas Brooks, i cili vëzhgoi dhe tha: “Ashtu si plotësia, e cila ka zënë vend në Ndërmjetësin dhe gjen një shprehje të lirë në zemrën e Tij, po ashtu ajo plotësi përpiqet që ta derdhë veten e saj në shpirtrat e mëkatarëve nevojtarë” (Works, 9:171).

Ose me fjalët e Jonathan Edwards: “Gëzimi i shenjtë i Krishtit teksa konsideron hirin sovran të Atit, dhe pushtetin që Ai i kishte dhënë Atij si ndërmjetës, ngjall natyrshëm shprehjet e hirit dhe dashurisë në zemrën e Tij, gjëra të cilat Krishti i shpreh në ftesën bujare” (sermon 178).

Misioni dhe gëzimi i Jezusit

Ndërsa Jezusi sheh veprën sovrane të Atit, e cila shpaloset në histori–përmes veshjes së syve krenarë që të mos e shohin lavdinë e Krishtit dhe përmes hapjes së syve të thjeshtë të mëkatarëve që të shohin lavdinë dhe bukurinë e pamasë të Birit të Tij–Krishti rrëqethet me gëzim hyjnor dhe ky gëzim shprehet në adhurimin e Atit, dhe gufon në një thirrje të përgjithshme drejtuar të gjithë mëkatarëve, kudo që janë. Kjo ndodh në mënyrë që mëkatarët të vijnë tek Ai për kënaqësinë e vërtetë të shpirtit, të cilën nuk mund ta gjejnë askund tjetër.

Duket se ky është një motivim i përshtatshëm për shërbesën tonë të ungjillit nga fillimi e deri në fund. Kënaqësia ime personale në sovranitetin e Perëndisë dhe mahnitja ime me faktin që Ai më shpëtoi mua, duhet të ngjallë brenda meje një gëzim aq të fuqishëm, sa të mos përmbahet dot apo të heshtë, por duhet të dalë me patjetër si një thirrje e përgjithshme drejtuar gjithë mëkatarëve kudo që janë, që të pendohen dhe të kthehen nga mëkatet e tyre te Krishti.

Me fjalë të tjera, thirrja e përgjithshme nuk e kërcënon aspak sovranitetin e Perëndisë dhe gëzimi i këtij sovraniteti nuk është meditim i ndaluar në studimin që kalvinisti bën. Të dyja këto gjëra takohen bashkë, ato bëhen një, kur e shohim se si fuqia e Perëndisë për të arritur çfarëdolloj gjëje është ushqimi që kënaq shpirtin e fëmijëve të Tij të rilindur, duke u dhënë atyre një kënaqësi, e cila do ta gjejë shprehjen e vet në një zemër të gjerë, për të qenë të gatshëm t’i hapin portat për këdo që do të vijë në krahët e Shpëtimtarit tonë sovran.

Ndjenjat e Krishtit e lidhin bashkë teologjinë e Reformuar dhe dëshirën për të arritur edhe cepat e botës që njohim, me lajmin e mirë.

Tony Reinke është shkrimtar kryesor për Desiring God. Ai prezanton podkastin  Ask Pastor John dhe jeton në Feniks me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tyre.


Përktheu: Asim Hamza| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/sovereign-and-smiling  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim