qershor 23

Qershor 2022


Oh, sa shumë dëshiroj që Perëndia të përlëvdohet në kërkimin tonë të shenjtërisë dhe dashurisë! Megjithatë, Perëndia nuk përlëvdohet nëse kërkimi ynë nuk është i fuqizuar nga besimi në premtimet e Tij.

Perëndia që e zbuloi veten më plotësisht në Jezu Krishtin, i cili u kryqëzua për mëkatet tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë (Romakëve 4:25), përlëvdohet me tepër kur ne i përqafojmë premtimet e Tij me vendosmëri të gëzueshme, për shkak se ato janë blerë nga gjaku i Birit të Tij.

Perëndia nderohet kur ne përulemi, për shkak të dobësisë dhe dështimit tonë, dhe kur i besojmë Atij për hirin e Tij të ardhshëm. Kjo është ideja e Romakëve 4:20 ku Pali përshkruan besimin e Abrahamit: “Madje nuk dyshoi me mosbesim në premtimin e Perëndisë, por u forcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë.”

Ai u forcua në besimin e tij, duke i dhënë kështu lavdi Perëndisë. Besimi në premtimet e Perëndisë e përlëvdon Atë si absolutisht të urtë, të fortë, të mirë dhe të besueshëm. Prandaj, nëse nuk mësojmë si të jetojmë me anë të besimit në premtimet e hirit të ardhshëm të Perëndisë, mund të bëjmë gjëra ta jashtëzakonshme fetare, por nuk do t’i bëjmë për lavdinë e Perëndisë.

Ai përlëvdohet kur fuqia për të qenë i shenjtë vjen përmes besimit të përulur në hirin e ardhshëm.

Martin Luteri tha: “[Besimi] e nderon atë të cilit i zë besë me konsideratën më të lartë dhe më përnderuese, përderisa e konsideron atë të vërtetë dhe të besueshëm.” Lavdinë e merr Dhuruesi të cilit i besojmë.

Dëshira ime e madhe është që të mësojmë si të jetojmë për nderin e Perëndisë. Kjo do të thotë të jetojmë me anë të besimit në hirin e ardhshëm, gjë e cila gjithashtu do të thotë që të luftojmë me mosbesimin, sido që ta shfaqë veten e tij.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>