Krishtlindje,Jezusi

Dhjetor 2021                                                                       


Teksti im i parapëlqyer i Krishtlindjes e vendos përulësinë mu në zemër të Krishtlindjes. Prandaj këtë Krishtlindje po mrekullohem me përulësinë e Jezusit dhe dëshiroj më tepër prej kësaj përulësie në jetën time. Pas pak do të citoj vargjet. 

Së pari, ka dy probleme. Tim Keller na ndihmon ta shohim njërin prej tyre kur thotë: “Përulësia ka shumë turp. Nëse nis e flet për të, ajo largohet.” Prandaj një meditim (si ky) rreth përulësisë duket si pa vend, por edhe njerëzit e turpshëm vështrojnë ndonjëherë, nëse po trajtohen mirë.

Problemi tjetër është se Jezusi nuk ishte i përulur për të njëjtat arsye që jemi ne (apo që duhet të jemi). Prandaj, si na ndihmon ne të soditurit e përulësisë së Jezusit në Krishtlindje? Nëse kemi ndonjë fije përulësie, ajo është e bazuar në kufizimin dhe gabueshmërinë tonë, si dhe në të qenët mëkatarë. Por Biri i përjetshëm i Perëndisë nuk ishte i fundmë. Ai ishte i pagabueshëm dhe aspak mëkatar. Kështu që, ndryshe nga përulësia jonë, përulësia e Jezusit buronte nga diçka tjetër.

Ja cili është teksti im i parapëlqyer për Krishtlindje. Shiko për përulësinë e Jezusit:

I cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi
si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me
Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë
shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke
u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli
veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri
në vdekje të kryqit.
(Filipianëve 2:6-8)

Përulësia e Jezusit karakterizohet kryesisht nga një veprim i ndërgjegjshëm për ta vendosur veten e Tij në rolin e një shërbëtori të përulur, për të mirën e të tjerëve. Përulësia e Tij përkufizohet nga fraza si:

“Ai e zbrazi veten [nga të drejtat e Tij hyjnore për të qenë i lirë nga abuzimi dhe vuajtja].”

“Ai mori trajtë shërbëtori.” 

“Ai u bë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit.”

Ja pse përulësia e Jezusit nuk tregon qëndrimin e një zemre që është e fundme, e gabueshme apo mëkatare. Zemra e Tij ishte një zemër me përsosmëri të pafund, vërtetësi të pagabueshme dhe liri nga çdo mëkat, dhe për këtë arsye nuk kishte nevojë që t’i shërbenin. Ai ishte i lirë dhe i tejmbushur për të shërbyer.

Një tekst tjetër Krishtlindjeje, i cili thotë të njëjtën gjë, është Marku 10:45: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave.” Përulësia e Jezusit nuk vinte nga ndjesia e një të mete në vetvete, por nga ndjesia e plotësisë në veten e Tij, të cilën Jezusi e vuri në dispozicion të të tjerëve për të mirën e tyre. Kjo ishte një përulje vullnetare e vetes nga ana e Jezusit, që ta bënte lartësinë e lavdisë së Tij të disponueshme për t’u shijuar nga mëkatarët.

Jezusi lidh përulësinë e Tij në Krishtlindje dhe lajmin e mirë për ne kur thotë: “Ejani tek unë, o të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28-30).

Përulësia e Jezusit na çliron nga barrët tona. Po të mos ishte i përulur, Ai s’do të kishte qenë as “i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit”. Po të mos ishte i bindur për të vdekur për ne, do të ishim shtypur nën peshën e mëkateve tona. Jezusi e përuli veten për të marrë dënimin tonë (Romakëve 8:3).

Tani kemi arsye më të fortë për të qenë më të përulur se më parë. Ne jemi të fundmë, të gabueshëm dhe mëkatarë, prandaj nuk kemi fare arsye për t’u mburrur, por tani shohim edhe gjëra të tjera përulëse: Shpëtimi ynë nuk i atribuohet punës tonë, por hirit të Perëndisë. Për këtë arsye, mburrja përjashtohet (Efesianëve 2:8-9). Mënyra si Jezusi e realizoi atë shpëtim të hirshëm ishte përmes përuljes vullnetare dhe të ndërgjegjshme të vetvetes, përmes bindjes prej shërbëtori deri në pikën e vdekjes.

Si rrjedhim, përveç të qenët të fundmë, të gabueshëm dhe mëkatarë, tani kemi edhe dy impulse të tjera, që na ndihmojnë të përulemi: hiri falas dhe i pamerituar, mbi të cilin qëndrojnë të gjitha bekimet tona, si dhe një model shërbimi vetëmohues dhe sakrifikues, që vullnetarisht merr trajtë shërbëtori.

Ja pse jemi thirrur t’i bashkohemi Jezusit, që me ndërgjegje të përulim veten dhe të jemi shërbëtorë. “Por kush do të lartësojë veten, do të ulet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet” (Mateu 23:12). “Kini në veten tuaj po atë mendje që ishte edhe në Jezu Krishtin...” (Filipianëve 2:5).

Le të lutemi që ky “virtyt i druajtur”–ky themel masiv i shpëtimit dhe i shërbimit tonë–të dalë nga vendi i tij i qetë dhe të na veshë me petkat e përulësisë në këtë Advent. “Vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton mendjemëdhenjtë, por u jep hir të përulurve” (1 e Pjetrit 5:5).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme