Nevoja jonë më e madhe në Krishtlindje

23 dhjetor

Mikea 5:4–5

Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës. Dhe ai vetë do të jetë paqja.

“Ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës”, premton Mikea. Nuk ka për të pasur xhepa rezistence që nuk do të nënshtrohen. Siguria jonë nuk do të kërcënohet nga ndonjë forcë e huaj. Çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do ta rrëfejë Atë si Zot. E gjithë toka do të mbushet me lavdinë e Tij.

“Ai vetë do të jetë paqja.” Po, në këtë kontekst përfshihet paqja përfundimtare politike e tokësore. Mikea tashmë ka folur për këtë gjë te Mikea 4:3:

Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve
dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta.
Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore
dhe me ushtat e tyre drapërinj;
një komb nuk do ta ngrerë më shpatën kundër tjetrit
dhe nuk do të stërviten për luftë.

Një ditë sundimtari, Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve, do të kthehet dhe do ta bëjë këtë gjë realitet. Më në fund mesazhi i asaj këngës së mrekullueshme të Krishtlindjes do të përmbushet:

Ai mbretëron me hir dhe të vërtetë
Gjithë kombet do t`shikojnë
Lavdinë dhe fuqinë e drejtësisë së Tij
Dhe mrekullitë dashurinë e Tij

Ka edhe një paqe më të thellë, një paqe që duhet të ndodhë para se të ketë paqe mbi tokë; duhet të ketë paqe mes nesh dhe Perëndisë. Mosbesimi ynë dhe zemërimi i Tij duhet të largohen. Kjo është paqja jonë më e thellë dhe nevoja jonë më e thellë për Krishtlindje.

Mikea e dinte se kjo paqe po vinte. Ai e kishte përjetuar personalisht (Mikea 7:8-9). Ai e përshkruan në mënyrë shumë të bukur në fund të librit të tij, te Mikea 7:18-19:

Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë
dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes
së trashëgimisë së tij?
Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij,
sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.
Atij do t'i vijë përsëri keq për ne,
do të shkelë paudhësitë tona,
Ti do të hedhësh në fund të detit
tërë mëkatet tona.

Kjo ishte vepra e madhe e Mesias, e cila ende nuk ishte kryer. Po, ka ende armiq mbi tokë që duhet të mposhten, nëse do të kemi paqe. Armiku i madh i quajtur mëkat dhe gjykim; ky është armiku më i madh dhe më i lig. Ungjilli i Krishtit-njeri është ky: Krishti i ka shkelur me këmbë armiqtë e Tij në kryq. Prandaj për këdo që i beson Atij, mëkatet e tyre janë hedhur në fund të detit.

Prandaj ne nuk themi: “Lavdi për ne”, por “Lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron pëlqimi i tij!”


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

Hiri: nota dominuese e Krishtlindjes
Përgatitu për të parë Krishtlindjen
>