Kënaqu Me Të Gjitha Premtimet E Perëndisë!

24 dhjetor

Mikea 5:2–4

“Por ti, o Betlehem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të lindë ka për të lindur; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t’u kthehet bijve të Izraelit. Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.

Krishti është “po-ja” e gjithë premtimeve të Perëndisë, prandaj nëse i besoni Atij, të gjitha premtimet kanë për të qenë trashëgimia juaj. Mikea tashmë e ka bërë të qartë se Krishti do të sigurojë për ne premtimet e Perëndisë. Si na e tregoi Mikea këtë gjë?

Kur një jude dëgjonte Mikean në atë kohë që parathoshte ardhjen e një sundimtari nga Betlehemi, i cili do të ushqente tufën e tij në fuqinë e Zotit, menjëherë do të mendonte për dy njerëz: për mbretin David dhe për Birin e Davidit që do të vinte, Mesian. Në këtë tekst ka të paktën tri lidhje me Davidin:

(1) Davidi ishte nga Betlehemi, prandaj dhe u quajt “qyteti i Davidit”.

(2) Davidi ishte sundimtar në Izrael, ai ishte sundimtari më i madh, një burrë sipas zemrës së Perëndisë.

(3) Davidi ishte bari, kur ishte djalë i ri, dhe më vonë u thirr që të ishte bariu i Izraelit (Psalmi 78:71)

Ideja e këtyre tri lidhjeve me Davidin është kjo: Mikea është duke ritheksuar sigurinë e premtimit të Perëndisë që ishte dhënë Davidit. Mbani mend që te 2 e Samuelit 7:12-16, Perëndia i tha Davidit:

“...unë do të ngre mbas teje pasardhjen tënde që do të dalë nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij... Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme për gjithnjë para meje dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë.”

Është e mahnitshme që Mikea ritheksoi sigurinë e këtij premtimi jo në një kohë kur Izraeli ishte duke u rritur në fuqi, por në një kohë kur Izraeli po shkonte drejt shfarosjes. Mbretëria e veriut ishte shkatërruar dhe mbretëria e jugut do të binte nën gjykimin e Perëndisë. Premtimet e Perëndisë dukeshin të pamundura.

Ideja e Mikeas është kjo: ardhja e Krishtit ishte konfirmimi i premtimeve të Perëndisë. Ja se si tha Pali te Romakëve 15:8: “Por them se Jezu Krishti u bë shërbenjës i të rrethprerëve, për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve.” Apo si thotë te 2 e Korintasve 1:20: “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në të ‘po’ dhe në të ‘amen’.”

Nëse jeni “në Të” përmes besimit, do të trashëgoni të gjitha premtimet e Perëndisë. Profecia e Mikeas u vërtetua në Jezusin. Kështu të gjitha premtimet u konfirmuan. Perëndia ka thënë të vërtetën. Krishtlindja është konfirmimi i madh i Perëndisë për të gjitha premtimet e Tij. Nëse Krishti ka ardhur, Perëndia është i vërtetë. Nëse Perëndia është i vërtetë, që të gjitha premtimet do të realizohen, për të gjithë ata që besojnë. Pranoje këtë dhuratë të patregueshme.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

Hiri: nota dominuese e Krishtlindjes
Nevoja jonë më e madhe në Krishtlindje
Përgatitu për të parë Krishtlindjen
>