if god is sovereign why pray 1920

Maj 2024 


R.C. Sproul 

Asgjë nuk i shpëton vëmendjes së Perëndisë; asgjë nuk i kapërcen kufijtë e fuqisë së Tij. Perëndia ka pushtet mbi gjithçka. Nëse do të mendoja qoftë edhe për një çast se një molekulë e vetme vërtitet e lirë në gjithësi, jashtë kontrollit dhe pushtetit të Perëndisë së plotfuqishëm, zor se do të më zinte gjumi sonte. Plotbesimi im për të ardhmen qëndron në besimin tim të pathyeshëm në Perëndinë që kontrollon historinë. Mirëpo, si e ushtron Perëndia kontrollin dhe si e shfaq pushtetin e Tij? Si i realizon Perëndia gjërat që i dekreton në mënyrë sovrane?

Augustini thoshte se asgjë nuk ndodh në gjithësi përpos vullnetit të Perëndisë dhe se në njëfarë kuptimi, Perëndia paracakton gjithçka që ndodh. Augustini nuk po përpiqej t’i shkarkonte njerëzit nga përgjegjësia për veprimet e tyre, por mësimi tij ngre një pyetje: Në qoftë se Perëndia është sovran mbi veprimet dhe synimet e njerëzve, atëherë përse të lutemi? Një shqetësim dytësor sillet përreth kësaj pyetjeje: “A ndryshon vallë lutja ndonjë gjë?” Do t’i përgjigjem pyetjes së parë duke thënë se Perëndia sovran na urdhëron përmes Fjalës së Tij të shenjtë që të lutemi. Lutja nuk është fakultative për të krishterin, por është me detyrim.

Mund të shtrojmë pyetjen: “Po sikur të mos sjellë asnjë rezultat?” Nuk është kjo nuk çështja që shtrohet këtu. Pavarësisht nëse lutja sjell ndonjë rezultat apo jo, në qoftë se Perëndia na urdhëron që të lutemi, ne duhet të lutemi pa një pa dy. Është një arsye mjaft bindëse fakti që Zoti Perëndi i gjithësisë, Krijuesi dhe Mbajtësi i të gjitha gjërave, na urdhëron që ta bëjmë këtë. Për më tepër, Ai jo vetëm na urdhëron që të lutemi, por edhe na fton që t’ia bëjmë të njohura kërkesat tona. Jakobi thotë se ne nuk kemi ngaqë nuk kërkojmë (Jakobi 4:2). Ai po ashtu na thotë se lutja e të drejtit ka shumë fuqi (Jakobi 5:16). Sa e sa herë Bibla na thotë që lutja është një instrument efikas. Është e dobishme, ajo sjell rezultat.

Tek Institutet e Fesë së Krishterë, John Calvin-i thekson disa gjëra të rëndësishme rreth lutjes:

Mirëpo, dikush mund të thotë se a nuk e di Perëndia, edhe pa ia kujtuar, qoftë atë që na shqetëson ashtu edhe atë që është e dobishme për ne, kështu që në njëfarë mënyre të duket e tepërt që Ai të nxitet nga lutjet tona, njëlloj sikur gjumi t’ia rëndonte qepallat apo të ishte duke fjetur derisa ta zgjonte zëri ynë? Mirëpo, ata që arsyetojnë në këtë mënyrë, nuk arrijnë ta kuptojnë se për çfarë qëllimi e udhëzoi Zoti popullin e Tij të lutej, sepse Ai nuk e caktoi lutjen aq shumë për hir të Tij, sa e caktoi për hirin tonë. Tani Ai dëshiron, siç është e drejtë, që t’i jepet ajo që me të drejtë i takon, për të pranuar se gjithçka që njerëzit dëshirojnë dhe llogarisin si dobi të tyre vjen prej Tij, si për të dëshmuar që Ai i përgjigjet lutjeve. Mirëpo, edhe dobia e kësaj sakrifice, me anë të të cilës Ai adhurohet, na kthehet neve. Prandaj, etërit e shenjtë, me sa më shumë siguri që i lartësonin dobitë e Perëndisë mes tyre dhe të tjerëve, aq më tepër u zgjohej dëshira për t’u lutur...

Prapëseprapë, është tej mase e rëndësishme që ne t’i thërrasim Atij: Së pari, që zemrat tona të mund të ndizen prej një dëshire të zellshme dhe të zjarrtë për ta kërkuar, për ta dashur dhe për t’i shërbyer Atij, teksa mësohemi që për çdo nevojë të kapemi pas Tij si pas ndonjë spirance të shenjtë. Së dyti, që në zemrat tona të mos hyjë asnjë dëshirë apo aspiratë për të cilën të na vinte turp që ta kishim Atë si dëshmitar të saj, teksa mësojmë që t’i vëmë të gjitha dëshirat tona para syve të Tij dhe madje që t’i derdhim zemrat tona përpara Tij. Së treti, që ta gatisim veten për t’i marrë dobitë e Tij me mirënjohje të vërtetë zemre dhe me falënderim; dhe lutjet tona na kujtojnë se këto dobi vijnë prej dorës së Tij.

Lutja nuk është thjesht monolog, as ushtrim i thjeshtë vetëanalize shëruese dhe as recitim fetar. Lutja është një bashkëbisedim me vetë Perëndinë personal.

Si çdo gjë tjetër në jetën e krishterë edhe lutja është për lavdi të Perëndisë dhe për të mirën tonë, pra, sipas kësaj radhe. Gjithçka që bën Perëndia, gjithçka që lejon dhe cakton Ai, në kuptimin më sublim, është për lavdi të Tij. Është po ashtu e vërtetë se edhe pse Perëndia e kërkon lavdinë e Vet mbi gjithçka, njeriu ka shumë dobi kur Perëndia përlëvdohet. Ne lutemi për ta përlëvduar Perëndinë, por gjithashtu lutemi për të marrë përfitimet e lutjes prej dorës së Tij. Lutja është për të mirën tonë, edhe pse Perëndia e di fundin që në fillim. Është privilegji ynë që ta sjellim gjithë ekzistencën tonë të fundme në lavdinë e pranisë së Tij të pafundme.

Një prej temave më madhështore të reformimit ishte koncepti se gjithë jeta duhet jetuar nën autoritetin e Perëndisë, për lavdi të Perëndisë dhe në prani të Perëndisë. Lutja nuk është thjesht monolog, as ushtrim i thjeshtë vetëanalize shëruese dhe as recitim fetar. Lutja është një bashkëbisedim me vetë Perëndinë personal. Pikërisht atje, në veprimin dhe në dinamikën e lutjes, e sjell gjithë jetën time nën vështrimin e Tij. Po, Ai e di se çfarë kam në mendje, por megjithatë kam privilegjin që t’ia shpreh Atij gjithçka kam në të. Ai më thotë: “Eja. Fol me mua. Mi bëj të njohura kërkesat e tua”. Kështu që ne vijmë për ta njohur Atë dhe për t’u njohur prej Tij.

Ka diçka të gabuar në pyetjen: “Në qoftë se Perëndia di gjithçka, atëherë përse të lutemi?” Kjo pyetje nënkupton se lutja është njëdimensionale dhe se përkufizohet thjesht si përgjërim apo si ndërmjetësim. Përkundrazi, lutja është shumëdimensionale. Sovraniteti i Perëndisë nuk hedh asnjë hije mbi lutjen e adhurimit. Paranjohja apo këshilla e vendosur e Perëndisë nuk e mohon nevojën për lutjen e lavdërimit. E vetmja gjë që duhet të bëjnë është që të na i forcojnë arsyet për ta shprehur adhurimin tonë për atë se kush është Perëndia. Në qoftë se Perëndia e di se çfarë do të them përpara se ta them atë, njohuria e Tij në vend që ta kufizojë lutjen time e forcon edhe më tepër bukurinë e lavdërimit tim.

Unë dhe bashkëshortja ime jemi dy persona shumë të afërt me njëri-tjetrin. Shpesh ndodh që e di se çfarë do të thotë përpara se ta thotë. Edhe e anasjella është e vërtetë gjithashtu. Mirëpo, sërish më pëlqen ta dëgjoj të thotë atë që ka në mendje. Nëse kjo gjë vlen për njeriun aq më tepër do të vlejë edhe për Perëndinë, apo jo? Ne kemi privilegjin e pashoq të ndarjes së mendimeve tona më të thella me Perëndinë. Natyrisht, mund të shkojmë në dhomëzën tonë të lutjes, ta lëmë Perëndinë që të lexojë mendjen tonë dhe ta quajmë këtë lutje. Mirëpo, ajo nuk është as përbashkësi dhe aq më pak nuk është as komunikim.

Ne jemi krijesa që komunikojmë kryesisht përmes të folurit. Lutja e folur është padyshim një formë të foluri, një mjet për ne që të kemi përbashkësi e të komunikojmë me Perëndinë. Në njëfarë mënyre, sovraniteti i Perëndisë duhet ta ndikojë qëndrimin tonë ndaj lutjes, të paktën përsa i përket adhurimit. Edhe sikur të mos bënte gjë tjetër, njohuria jonë rreth sovranitetit të Perëndisë duhet të na nxisë drejt një jete lutjeje intensive falënderimi. Për shkak të kësaj njohurie, duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se çdo dobi, çdo dhuratë e mirë dhe e përsosur është një shprehje e bollëkut të hirit të Tij. Sa më shumë që e kuptojmë sovranitetin e Perëndisë, aq më tepër do të mbushen me falënderim lutjet tona.

Në çfarë mënyre mund të ndikojë negativisht sovraniteti i Perëndisë mbi lutjen e pendimit dhe të rrëfimit? Mbase mund të nxjerrim përfundimin se mëkati ynë në fund të fundit është përgjegjësia e Perëndisë dhe se rrëfimi ynë është një akuzë fajësie ndaj Vetë Atij. Çdo i krishterë i vërtetë e di se nuk mund ta fajësojë Perëndinë për mëkatin e vet. Mund të mos e kuptoj dot marrëdhënien mes sovranitetit hyjnor dhe përgjegjësisë njerëzore, por e kuptoj se ajo që rrjedh nga ligësia e zemrës sime nuk mund t’i ngarkohet vullnetit të Perëndisë. Prandaj duhet të lutemi sepse jemi fajtorë, duke u përgjëruar për faljen e Të Shenjtit të cilin e kemi fyer.

Ky fragment është përshtatur nga libri “Moses and the Burning Bush” nga R.C. Sproul.


1. John Calvin-i, Institutet e Fesë së Krishterë (Institutes of the Christian Religion), përkthyer nga Ford Lewis Battles, redaktuar nga John T. McNeill [Louisville: Westminster John Knox, 1960], Libri i 3-të, kapitulli 20, seksioni 3.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/if-god-sovereign-why-pray  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë kishte përpara Perëndisë?
Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
>