1080x1080 generic collage04 44 5 things you should know about paul

Maj 2024  


Matthew Dudreck  

Apostulli Pal ishte autori më prodhimtar i Dhiatës së Re dhe udhëtimet e tij e çuan anembanë detit Mesdhe. Për nga prejardhja ishte jude, por gjithashtu ishte edhe qytetar romak. Duke qenë një prej personazheve më tërheqës të Biblës, më poshtë po rendisim pesë gjëra që mund të mos i dini rreth jetës dhe shkrimeve të tij:

1. Pali mund të ketë qenë autori i shkrimeve të para të Dhiatës së Re.

Ata që mbajnë një qëndrim kritik ndaj krishterimit historik ortodoks e kanë theksuar vazhdimisht hendekun e dukshëm mes mësimeve të Jezusit dhe atyre të apostullit Pal.

Në shumicën e rasteve, këto kritika e kanë zanafillën te fakti që Pali u bë pjesë e lëvizjes së krishterë vetëm pas ringjalljes së Jezusit dhe gjatë fillimeve të shërbesës ungjillëzuese të kishës menjëherë pas Rrëshajëve. Megjithatë, sipas disa autorëve, një pjesë e mirë e letrave të Palit ka të ngjarë të jenë shkruar përpara letrës së Jakobit. Pali pati ndikim në formësimin e besimit të kishës së hershme jo vetëm për shkak të numrit të madh të shkrimeve të tij, por edhe sepse ato janë ndoshta dëshmia më e hershme historike që kemi për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

2. Pali shpesh shkroi në njëfarë mase në bashkëpunim me të tjerët.

Janë shkruar shumë libra rreth teologjisë së Palit. Kjo nuk ka përse të na habisë aspak duke pasur parasysh trashëgiminë e jashtëzakonshme letrare që ai prodhoi nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë teksa Dhiata e Re po merrte formë. Kryevepra të tilla sikurse Letra drejtuar Romakëve e dëshmojnë qartë se çfarë gjeniu teologjik ishte Pali. Megjithëkëtë, edhe pse Pali është padyshim autori kryesor i të gjitha letrave të tij, përshëndetjet në fund të letrave tregojnë qartësisht se pothuajse gjysma e letrave të tij u realizuan në bashkëpunim me bashkëmisionarë dhe bashkëshërbëtorë të ungjillit. Pali nuk ishte as individualist dhe as një teolog i mbyllur në kullën e vet të fildishtë; ai shpesh i hartonte mësimet dhe udhëzimet për kishat në partneritet me bashkëbesimtarët e vet.

3. Jo çdo gjë që shkroi Pali ishte Shkrim i Shenjtë.

Perëndia e përdori Palin në një mënyrë të jashtëzakonshme për ta pajisur kishën me trembëdhjetë letra të frymëzuara, të pagabueshme dhe të pagabimta, të mbushura me mësime e udhëzime. Mirëpo, sa herë që Pali hidhte fjalë në papirus nuk është se ai prodhonte Shkrim të Shenjtë. Faktikisht, në disa pjesë të letrave të Palit përmenden letra të tjera të shkruara prej tij që, ose nuk u ruajtën ose nuk u njohën kurrë si Shkrim i Shenjtë. Ka të ngjarë që Pali i shkroi kishës në Korint të paktën edhe dy letra të tjera gjatë veprës së tij misionare (1 e Korintasve 5:9; 2 e Korintasve 2:3-4, 9; 7:12). Në letrën drejtuar kishës në Kolos, apostulli Pal përmend edhe një letër që i shkroi kishës në Laodice (Kolosianëve 4:15-16). Dëshira e tij ishte që të dyja kishat t’i shkëmbenin letrat që kishin marrë për dobinë e tyre të anasjellë. Mirëpo, vetëm letra e Palit drejtuar kolosianëve do të njihej dhe do të pranohej nga kisha e hershme si Shkrim i Shenjtë.

4. Pali nuk të linte ndonjë përshtypje të veçantë kur e takoje personalisht.

Rrethohemi prej shumë figurave të shquara të krishtera, të pajisura me disa dhunti natyrore që i japin atyre dorë për të qenë në pozita drejtuese. Fatkeqësisht, të folurit ëmbëlsisht, të qenët tërheqës në mënyrë molepsëse dhe paraqitja e këndshme, shpesh shërbejnë për të fshehur mangësi të mëdha teologjike dhe etike, ndër ata që janë më pak besnikë. Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që luajnë letrat e Palit në Dhiatën e Re mund të supozojmë se edhe Pali si personazh, edhe dhuntitë e tij, të ishin po kaq madhështorë. Mirëpo, në Shkrimin e Shenjtë shohim që Pali nuk ishte një person edhe aq mbresëlënës, tërheqës apo i sofistikuar (për shembull, 2 e Korintasve 10:10). Kjo duhet të na sjellë ndër mend faktin që Krishti madhështohet në dobësitë tona dhe se përparimi i ungjillit nuk varet nga urtësia tokësore apo nga aftësitë natyrore.

5. Pali me shumë gjasë ishte shëndetlig gjatë gjithë shërbesës së vet.

Megjithëse ishte jashtëzakonisht aktiv dhe i frytshëm si misionar, Pali vuante prej sëmundjeve dhe dhimbjeve kronike gjatë gjithë shërbesës së tij. Vizita e tij e parë në Galati pati si shkak një sëmundje fizike (Galatasve 4:13-14). Po ashtu e dimë prej letrës së tij drejtuar galatasve, se Pali ka të ngjarë që vuante prej një sëmundjeje të syrit, që e bëri atë të fitonte simpatinë e besimtarëve të atij rajoni (Galatasve 4:15) dhe që e detyroi të shkruante me shkronja të mëdha në fund të saj për ta vërtetuar mirëfilltësinë e letrës drejtuar atyre (Galatasve 6:11). Kjo sëmundje mund të ketë qenë i famshmi “gjemb në mish” për të cilin flet Pali (2 e Korintasve 12:7-9). Veç kësaj, është lehtësisht e përfytyrueshme se trauma e rëndë për të cilën Pali flet tek 2 e Korintasve 11:23-28, me shumë gjasë la gjurmë të përhershme mbi shëndetin e tij fizik gjithashtu. Për të krishterët e sotëm që përjetojnë dhimbje kronike dhe trauma, shembulli i Palit shërben si një inkurajim i mirëpritur.

Apostulli Pal ka shumë për të na thënë rreth Perëndisë dhe shpëtimit që Ai realizon për ne në personin e Jezu Krishtit. Perëndia e përdori apostullin Pal për ta dishepullizuar popullin e Vet, qoftë në atë kohë, ashtu edhe në ditët e sotme. Ia vlen që të dini më tepër rreth tij teksa e studioni Biblën, sepse njohja më e mirë e apostullit Pal na ndihmon që ta kuptojmë më mirë Shkrimin e Shenjtë, dhe një kuptuar më i mirë i Shkrimit të Shenjtë, na ndihmon që të rritemi në besim.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/5-things-paul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

5 gjëra që duhet t’i dini për Besoret
Çfarë kishte përpara Perëndisë?
Cili është emri i Perëndisë?
>