qershor 16

Qershor 2022


Po sikur të zbulosh (ashtu si bënë farisenjtë) se ia ke kushtuar gjithë jetën tënde përpjekjes për t’i pëlqyer Perëndisë, por ndërkohë ke qenë duke bërë gjëra që në sytë e Perëndisë janë të neveritshme (Luka 16:14-15)?

Dikush mund ta vërë këtë gjë në dyshim dhe të thotë: “Nuk mendoj se kjo është e mundur; Perëndia nuk do ta refuzojë një person që ka qenë duke u përpjekur t’i pëlqejë Atij.” Megjithatë, a e dallon se çfarë ka bërë ky person që pyet? Ai e ka bazuar bindjen e tij për atë që do t’i pëlqejë Perëndisë mbi idenë e tij se si është Perëndia. Kjo është pikërisht arsyeja pse duhet të fillojmë me karakterin e Perëndisë të zbuluar në Shkrim.

Perëndia është një burim mali dhe jo një koritë ku pi bagëtia. Një burim mali është vetëfurnizues. Ai buron vazhdimisht dhe furnizon të tjerët, por një koritë ku pinë kafshët ka nevojë që të mbushet me pompë apo kovë. Prandaj, pyetja e madhe është kjo: Si mund t’i shërbesh një burimi? Dhe, Si mund t’i shërbesh një korite ku pi bagëtia? Si mund ta përlëvdosh Perëndinë ashtu siç është në realitet?

Nëse dëshiron ta përlëvdosh vlerën e një korite ku pinë bagëtia, punon fort për ta mbajtur atë plot dhe të dobishme. Por nëse dëshiron të përlëvdosh vlerën e një burimi, ti e bën këtë duke rënë në gjunjë dhe duke pirë prej tij për kënaqësinë e shpirtit tënd, derisa të marrësh rifreskimin dhe forcën për të zbritur sërish në luginë dhe t’u tregosh njerëzve se çfarë ke gjetur.

Shpresa ime si mëkatar i dëshpëruar varet te kjo e vërtetë biblike: që Perëndia është ai lloj Perëndie që do të kënaqet me të vetmen gjë që mund t’i ofroj Atij: etjen time. Kjo është arsyeja pse liria sovrane dhe vetëmjaftueshmëria e Perëndisë janë kaq të çmuara për mua. Ato janë themeli i shpresës time që Perëndia kënaqet jo nga shkathtësia e brigadave të kovave, por nga gjunjëzimi i mëkatarëve të thyer për të pirë nga burimi i hirit.

Ne duhet të përpiqemi në çdo mënyrë t’i pëlqejmë Perëndisë tani e përjetë, por mjerë ne nëse e gjithë jeta jonë del se është e bazuar mbi një pamje të rreme të asaj që i pëlqen Perëndisë. Zoti kënaqet jo nga ata që e trajtojnë atë si koritë nevojtare ku pinë ujë bagëtia, por si një burim i pashtershëm dhe që na kënaq plotësisht. Sikurse thotë edhe Psalmi 147:11: “Zoti kënaqet... me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>