January 2023

Dhe Abeli u bë bari kopesh.

Zanafilla 4:2

Duke qenë bari delesh, Abeli e shenjtëroi punën e tij për lavdinë e Perëndisë dhe ofroi një blatim gjaku mbi altarin e tij, ja pse Zoti e pranoi Abelin dhe flinë e tij. Ky tip i hershëm, një paratregim i Zotit tonë, dallohet lehtë dhe qartë. Ashtu si rrezja e parë e dritës, që rrëzëllen nga lindja në agim, ajo nuk zbulon gjithçka, por ama e dëften qartë faktin e mrekullueshëm se dielli është në të lindur. Ndërsa e shohim Abelin, këtë bari, por megjithatë edhe prift, tek i ofron një blatim erëmirë Perëndisë, ne dallojmë Zotin tonë, që paraqet para Atit të Tij një fli, të cilën Yahveh-u e pranon për jetë e mot. 

Abeli u urrye nga i vëllai—një urrejtje kjo pa shkak; dhe po kështu i ndodhi edhe Shpëtimtarit, sepse njeriu natyror dhe mishëror e urreu njeriun e pëlqyer, në të cilin gjendej Fryma e hirit, dhe nuk gjente dot prehje pa e derdhur gjakun e tij. Abeli ra dhe e spërkati altarin dhe blatimin me gjakun e tij, duke u kthyer kështu në një prototip të Zotit Jezus që ra theror për shkak të armiqësisë së njeriut, tek shërbente si prift përpara Zotit. “Bariu i mirë jep jetën e vet për delet.” (Gjoni 10:11) 

Le të vajtojmë për Atë, teksa e shohim të bëhet theror për shkak të urrejtjes së njerëzimit, duke i spërkatur brirët e altarit të Tij me vetë gjakun e Tij. Gjaku i Abelit na flet edhe sot. “ZOTI i tha: ‘Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.’” (Zanafilla 4:10)

Gjaku i Jezusit thërret me të madhe dhe domethënia e britmës së tij ngadhënjimtare nuk vëngon për hakmarrje, por për mëshirë. Është një gjë e çmuar përtej çdo përfytyrimi të qëndrosh përpara altarit të Bariut tonë të Mirë—ta shohësh atë tek e derdh gjakun si prifti i flijuar dhe pastaj ta dëgjosh gjakun e Tij tek i flet fjalë paqeje mbarë grigjës së Tij—paqe ndërgjegjes sonë, paqe mes hebrenjve dhe johebrenjve, paqe mes njeriut dhe Krijuesit të tij të fyer, paqe për gjithë përjetësinë për një popull të larë me gjakun e Tij. Abeli është bariu i parë i historisë, por zemrat tona do ta shpallin përherë Jezusin si bariun e parë për nga epërsia. 

O Bariu i Madh i dhenve, ne, njerëzit e kullotës Sate, të bekojmë me gjithë zemrat tona kur të shohim të therur për ne.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>