Janar 2023

Atëherë ua hapi mendjen, që t’i kuptonin Shkrimet.

Luka 24:45

Mësuesin që e pamë dje mbrëma duke sqaruar Shkrimet, e shohim edhe sot tek hap mendjen. Në veprën e Tij të parë ka shumë bashkëpunëtorë, por askush tjetër veç Tij nuk mund ta realizojë veprën e Tij të dytë. Të shumtë janë ata që mund t’ia sjellin Shkrimet mendjes, por Zoti është i vetmi që mund ta përgatisë mendjen për t’i përvetësuar Shkrimet. Zoti Jezus ndryshon nga të gjithë mësuesit e tjerë. 

Ata arrijnë veshët e nxënësve të tyre, ndërsa Ai mëson zemrat. Ata përqendrohen tek përcjellja formale e njohurive, ndërsa Ai të ngjall dëshirën e brendshme për të vërtetën, përmes së cilës ngërthejmë shijen dhe shpirtin e saj. Edhe më të pashkollët kthehen në dijetarë të lëçitur në shkollën e hirit, kur Zoti Jezus ua shpalos misteret e mbretërisë përmes Frymës së Tij të Shenjtë dhe u fal vajosjen hyjnore, përmes së cilës bëhen të aftë të sodisin, madje edhe të padukshmen. 

Lum ne në e paçim mendjen të kthjelluar e të forcuar prej Mjeshtrit! Sa të shumtë janë njerëzit me dituri të thellë, të cilët janë të paditur për gjërat e përjetshme! Ata njohin shkronjën vrasëse të zbulesës, por shpirtin e saj vrasës nuk mund ta dallojnë dot; një perde i mbulon zemrat e tyre, që sytë e arsyes mishore nuk mund ta depërtojnë. 

Në këtë gjendje ishim edhe ne deri pak kohë më parë. Ne që tani shohim, dikur ishim krejt të verbër; për ne e vërteta ishte si bukuria në errësirë, një gjë e pavënë re dhe e shpërfillur. Do të dergjeshim edhe sot në padituri të thellë sikur të mos kishte ndërhyrë dashuria e Jezusit, sepse po të mos na e kishte hapur mendjen me anë të hirit, nuk do të kishim më shumë shanse për ta arritur njohjen hyjnore, sesa ka një foshnjë për t’iu ngjitur piramidave ose një struc për të fluturuar deri tek yjet. 

Universiteti i Jezusit është e vetmja shkollë ku me siguri mund të mësohet e vërteta e Perëndisë, sepse shkollat e tjera na mësojnë se çfarë duhet të besojmë, por vetëm Krishti mund të na e tregojë rrugën drejt këtij besimi. Le të ulemi te këmbët e Jezusit dhe me lutje plot zell kërkofshim ndihmën e Tij të bekuar, në mënyrë që mendjet tona të errësuara të ndriçohen dhe intelekti ynë i mangët të mund të ngërthejë gjërat hyjnore.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>