Janar 2023

Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.

Psalmi 119:37

Ka lloj-lloj gjërash të kota. Shakatë e gaztorit, argëtimi i botës, vallja dhe kupa e të shthururit—njerëzit e dinë mirë se të gjitha këto janë kotësi, sepse fshati që duket nuk do kallauz. Mirëpo, shumë më të rrezikshme janë ato gjëra po aq të kota—shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimi i pasurive. Një njeri mund të rendë pas kotësive si në rastin kur fiksohet pas investimeve të tij, ashtu edhe kur shkon për të parë teatër. 

Nëse ai e kalon jetën e vet duke grumbulluar pasuri, atëherë po i ikin ditët duke qenë personazhi i një spektakli të kotë. Po të mos e ndjekim Krishtin dhe po të mos e bëjmë Perëndinë gjënë më të rëndësishme të jetës sonë, atëherë vetëm për nga paraqitja dallohemi nga personi më kokëbosh. Duket qartë nevoja e madhe për lutjen e vargut të sotëm: “Gjallëromë në rrugët e tua.” Psalmisti pranon se është i ngathët nga mendja, i rënduar, pra, pothuajse i vdekur. 

I dashur lexues, mbase edhe ti ndihesh kështu. Ne jemi kaq të plogësht, saqë edhe nxitjet më të mira nuk na gjallërojnë dot, përveçse Vetë Zoti. Çfarë? As ferri nuk më gjallëron dot vallë? A mund të mendoj vallë për mëkatarët që humbin e prapëseprapë të mos zgjohem dot? As parajsa nuk do të më gjallërojë dot vallë? A mund të mendoj vallë për shpërblimin që i pret të drejtët e prapëseprapë të mbetem i ftohtë? Vallë as vdekja nuk do të më gjallërojë dot? A mund ta mendoj veten të vdekur duke qëndruar përpara Perëndisë tim e prapëseprapë t’i shërbej me përtaci Mjeshtrit tim? A nuk do të më detyrojë dashuria e Krishtit vallë? Si mund të mendoj vallë për plagët e Tij të dashura dhe si mund të ulem në këmbët e kryqit të Tij pa e ndier zellin apo entuziazmin që më digjet në zemër? Me sa duket gjërat janë pikërisht kështu! 

Nuk ka mendim që mund ta gjallërojë brenda nesh zellin, por Perëndia Vetë duhet ta bëjë këtë! Ja pse psalmisti këlthet: “Gjallëromë në rrugët e tua.” Psalmisti e derdh gjithë shpirtin e tij me përgjërime të zjarrta; trupi dhe shpirti i tij bashkohen në lutje. “Largoji sytë e mi”, thotë trupi! “Gjallëromë”, thërret shpirti! Kjo është një lutje që vlen të bëhet përditë. O Zot, dëgjoje atë edhe për mua sonte!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>