vonecia carswell 0ammmujiieq unsplash

Prill 2022


Jo të gjithë do ta besojnë ungjillin, por të gjithë duhen ftuar.

Dimë nga Shkrimi dhe nga eksperienca, se jo të gjithë do të besojnë në Jezusin e do të shpëtohen. Në fakt, shumë nuk do të shpëtohen. Shumë prej atyre që sot ulen nëpër kishat e këtij vendi janë të ftohtë ndaj Krishtit, kanë zemra të papenduara, janë mashtruar e mendojnë se veprat do t’i çojnë në qiell. E ka edhe shumë më tepër të tillë jashtë kishave. Ata do ta refuzojnë Jezusin, atëherë përse t’i ftojmë që t’i besojnë Atij?

Përse duhet të shkojë ungjilli te të gjithë? Ja tri arsye:

1. Ne nuk e dimë kush do të besojë ose jo.

Kjo lidhet me dy vullnetet e Perëndisë. Është “vullneti i urdhërimit” dhe “vullneti i dekretit”–që është ajo që Perëndia dëshiron përgjithësisht (vullneti i Tij i shpallur) dhe ajo që Ai ndikon në sovranitet (vendimi i Tij më i fshehur).

Ne dimë dy gjëra: 1) se Perëndia dëshiron që të gjithë të shpëtohen (1 e Timoteut 2:4) dhe 2) se Perëndia ka mëshirë për kë të dojë dhe ngurtëson kë të dojë (Romakëve 9:18).

E vërteta e fundit është sekret për ne. Ne nuk mund ta shohim dikë dhe të dimë me siguri nëse zemra e Tij apo e saj do të ngurtësohet. Është e vërtetë që ungjilli–me fuqinë e tij për ta rrëzuar Saulin–kërkon që të mos hamendësojmë kurrë për këtë. Perëndia dëshiron që të gjithë të shpëtohen dhe për këtë J. I. Packer shkruan: “Ne duhet ta drejtojmë jetën tonë për nga drita e ligjit të Tij [vullneti i Tij i urdhërimit], jo nga supozimet tona për planin e Tij [vullneti i Tij i dekretit]” (Evangelism and the Sovereignty of God, 96).

Ne e ofrojmë ungjillin universalisht sepse për aq sa dimë ne, çdo person me të cilin takohemi mund të besojë. Perëndia di kë do të tërheqë pranë vetes (Gjoni 6:44). Jezusi e di se kush do ta dëgjojë zërin e Tij (Gjoni 10:27). Ne nuk e dimë, prandaj thjesht predikojmë.

2. Jezusi vërtet mund të shpëtojë këdo.

Packer shkruan: “Ftesa për ta besuar ungjillin është thirrja e Perëndisë për njerëzimin që të vijë te Shpëtimtari e të gjejë jetë” (92). Dhe kushdo që e bën këtë–kush vjen te Shpëtimtari–do të gjejë jetë.

“Sepse kushdo, që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Romakëve 10:13). Ky varg na tregon dy gjëra për “kushdo”. Së pari, nuk është thjesht kushdo, por kushdo që do ta thërrasë Atë. Jo kushdo do të shpëtohet, por kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit, me siguri do të shpëtohet. Së dyti, pjesë e “kushdo që do ta thërrasë” mund të jetë vërtet kushdo. Nuk ka rëndësi sa e rrëmujshme është jeta jote, apo çfarë gabimesh ke bërë, ose sa të zymtë e sheh të nesërmen. Nëse ti–kriminel i ngurtësuar, abortues i zellshëm, adoleshent i pagdhendshëm–nëse ti do të thërrasësh emrin e Zotit, do të shpëtohesh. Nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, çfarë ngjyre lëkure ke apo sa para ke në llogarinë bankare, nëse largohesh nga mëkatet e tua dhe i beson Jezusit, do të shpëtohesh.

Prandaj, meqenëse Jezusi mund të shpëtojë këdo, ne ia ofrojmë këtë mesazh kujtdo.

3. Çdokujt ia mban xhepi diçka falas.

Kjo pikë është një këndvështrim tjetër i pikës paraardhëse. Fokusi atje ishte kushdo-shmëria e besimit. Kjo pikë flet për dhuratën falas të hirit.

Nëse hiri është falas, atëherë ky është tregu për këdo që s’mund të paguajë, dhe të gjithë nuk mund të paguajnë. Çdo qenie njerëzore bën pjesë tek ajo faturë. Prandaj, për shkak se çdo njeri përmbush kriterin e boshllëkut, çdo njeri është në kushtet për të dëgjuar ofertën e hirit të dhënë falas. Çdo shpirt është i etur, çdo shpirt është i thyer dhe po kështu vlen për çdo shpirt kur Perëndia thotë: “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht” (Isaia 55:1).

Hiri, në këtë këndvështrim, është barazuesi i madh. Është e vetmja mënyrë që kushdo mund të pajtohet me Perëndinë. Fëmija që rritet në kishë, që ushqehet nga një nënë e qendërzuar te ungjilli, edhe i droguari që gjendet ne cepat e qytetit–nëse do t’i përkasin Perëndisë, do të ndodhë njësoj për të gjithë: hir, hir, hir.

Ne ftojmë këdo

Këto tri arsye shpjegojnë përse ne i ftojmë të gjithë të besojnë ungjillin. Gjithsesi, rrënja e këtyre arsyeve është ajo që Jezusi bëri. Ne e ofrojmë këtë lajm për këdo për shkak të sigurisë themelore që Jezusi arriti. John Piper e përmbledh mirë:

Përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Jezusi ka vënë në veprim dashurinë e Perëndisë, e cila është diferencuese, padyshim zgjedhëse, rigjeneruese, besim-krijuese, garantuese për çdo premtim dhe jo e zakonshme. Kështu ka blerë dhe ka siguruar padiskutim për të zgjedhurit e Tij gjithçka duhet për t’i sjellë nga vdekja në mëkat, në jetë të përjetshme dhe të lartësuar me gëzim në praninë e Perëndisë (Does God Desire All to Be Saved?)

Për shkak se ne nuk e dimë kush do të besojë ose jo, sepse Jezusi mund të shpëtojë këdo dhe për shkak se çdokujt mund t’ia mbajë xhepi diçka falas, sot ky ungjill shkon te kushdo.


Greg Morse është pjesë e stafit tekstshkrues të desiringGod.org dhe është diplomuar në Kolegjin Bethlehem College & Seminary. Ai dhe gruaja e tij, Abigail jetojnë në St. Paul me vajzën e tyre.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/good-news-everyones-invited  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim