the holy spirit 2

Maj 2022


Pyetje: Kush është Fryma e Shenjtë?

Përgjigje:
Ka shumë mendime të gabuara në lidhje me identitetin e Frymës së Shenjtë. Disa e konsiderojnë Frymën e Shenjtë si një forcë mistike. Të tjerë e kuptojnë Frymën e Shenjtë si fuqia objektive e Zotit mbi ndjekësit e Jezusit. Po çfarë thotë Bibla në lidhje me identitetin e Frymës së Shenjtë? E thjeshtë, Bibla thotë se Fryma e Shenjtë është Zot. Gjithashtu na thotë se Fryma e Shenjtë është një Person, një Qenie me një mendje, emocione dhe vullnet.

Fakti që Fryma e Shenjtë është Zot, vihet re qartë në shumë pjesë në Shkrim, si për shembull te Veprat e Apostujve 5:3-4: “Por Pjetri i tha: ‘Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të fitimit të vendit? Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Edhe pasi u shit a nuk ishte në pushtetin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk gënjeve njerëzit, por Perëndinë!” Në këto vargje, Pjetri ballafaqohet me Ananian, duke e pyetur se pse e kishte gënjyer Frymën e Shenjtë dhe i thotë se “nuk kishte gënjyer njerëzit, por Perëndinë”. Është një deklaratë e qartë që tregon se të gënjesh Frymën e Shenjtë është si të gënjesh Zotin. Ne mund ta dimë gjithashtu se Fryma e Shenjtë është Zot, sepse Ai zotëron atributet ose karakteristikat e Perëndisë. Për shembull; fakti që Fryma e Shenjtë është i kudondodhshëm shihet te Psalmet 139:7-8: “Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se e shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.” Më pas, te 1 e Korintasve 2:10-11 shohim se Fryma e Shenjtë është i gjithëdijshëm: “Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton gjithçka, edhe të thellat e Perëndisë. Sepse cili nga njerëzit njeh gjërat njerëzore, përveç frymës së njeriut që është në të? Po kështu asnjeri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Frymës së Perëndisë”

Ne mund ta dimë me siguri se Fryma e Shenjtë është një Person, sepse Ai ka një mendje, një vullnet dhe emocione. Fryma e Shenjtë mendon dhe di: “Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton gjithçka, edhe të thellat e Perëndisë” (1 e Korintasve 2:10). Fryma e Shenjtë mund të trishtohet: “Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit” (Efesianëve 4:30). Fryma ndërmjetëson për ne “Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë” (Romakëve 8:26-27). Fryma e Shenjtë merr vendime në bazë të vullnetit të Tij “Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët. Dikujt, pra, i jepet, fjalë urtësie me anë të Frymës: një tjetri, sipas po atij Frym fjalë njohurie; një tjetri, besim në po atë Frymë; një tjetri, dhuntitë e shërimeve, në po atë Frymë; një tjetri, pushtet për të kryer mrekulli të fuqishme; një tjetri, profeci; një tjetri, të dallojë frymërat; një tjetri, larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 e Korintasve 12:7-11). Fryma e Shenjtë është Zot, “Personi” i tretë i Trinisë. Ashtu si Perëndia, Fryma e Shenjtë ka funksionet e Ngushëlluesit dhe Këshilltarit, të cilat Jezusi i premtoi: “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju”; “por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë”; “Por kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 14:16; 26; 15:26).



Botuar me leje:  https://www.gotquestions.org/who-Holy-Spirit.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?
>