Momenti i saktë kur e ndjeva pamjaftueshmërinë e kuptimit tim për shenjtërimin më është ngulitur në mendje. Ndodhi në një takim grupi të vogël, ndërsa po diskutonim dinamikën mes veprimeve tona dhe punës së Frymës në procesin e të bërit i shenjtë. Sikurse shkojnë shpesh këto lloj bisedash, njerëzit po tregonin se çfarë i kishte ndihmuar ata të rriteshin – apo të paktën çfarë kishin mësuar në kishë se cilat ishin gjerat që duhej t’i ndihmonin të rriteshin – si leximi i Biblës, lutja, etj. Në të njëjtën kohë, të gjithë këmbëngulnin në pozitën që Fryma i Shenjtë në fakt ishte ai që e kryente veprën e shenjtërimit. Më në fund një grua e sinqertë tha troç, “Nuk e kuptoj, si rritem si e krishterë?”

T’ju jap pak sfond. Kjo grua e kishte ndjekur Jezusin për shumë vite, por kohët e fundit kishte ndjerë që rritja e saj kishte ndaluar. Ajo lexonte Biblën e saj, lutej, merrte pjesë në çdo takim kishe të diele, por gjithashtu ndjente hidhësi ndaj të tjerëve dhe thoshte gjëra për të cilat pendohej. E kuptoi që mëkati i saj e trishtonte Perëndinë. Dhe si rrjedhim, e dinte që nuk ishte se thjesht mund të rehatohej dhe të priste që Perëndia ta shenjtëronte. Por gjithashtu po fillonte të kuptonte që shenjtërimi i saj nuk po shfaqej në raport të drejtpërdrejtë me përpjekjet e saj. Ajo po përleshej fort, por nuk po arrinte asgjë. Më herët atë mbrëmje kisha thënë që nëse u qasemi disiplinave frymërore si shkaku i drejtpërdrejtë i shenjtërimit tonë, atëherë fokusi zhvendoset nga ungjilli i Krishtet tek vetja jonë, dhe kjo është ajo që e minon rritjen tonë. E dallova që kjo ishte në përputhje me mënyrën sesi ndihej ajo, edhe pse e frikësonte.

Megjithatë, nuk mund t’i përgjigjesha pyetjes së saj për shkak se kuptimi im rreth shpëtimit ishte i copëzuar. Nuk e kuptoja tërësinë organike, proceset e ndryshme të përfshira – si drejtësimi dhe shenjtërimi – binin ndesh njëri me tjetrin. Thashë diçka pa lidhje më gjatë nga sa do të donin të pranishmit, dhe pastaj kaluam tek pushimi me pije freskuese. Nuk ka asgjë më të mirë se keku me kakao për ta çtensionuar situatën e sikletshme.

Nuk mendoj që një i krishterë duhet të jetë në gjendje që ta shtjellojë qartë teologjinë e shenjtërimit në mënyrë që të shenjtërohet, ashtu sikurse bashkëshortja dhe vajza ime e vogël nuk kanë nevojë të kuptojnë psikologjinë e lidhjes mes nënën dhe fëmijës në mënyrë që të lidhen si duhet. Ne mund të ushqehemi në Krishtin dhe të rritemi si duhet, edhe nëse nuk e kuptojmë sesi ndodh kjo gjë. Por nëse vazhdoj me këtë analogji, po sikur diçka të shkojë keq në procesin e lidhjes nënë-fëmijë? Vërtet shpresoj që dikush ta kuptojë mjaftueshëm këtë gjë sa për t’i ndihmuar.

Kjo është arsyeja pse pastorët kanë nevojë ta njohin teologjinë e tyre të shenjtërimit. Tani mund të mendoni, “A nuk është kjo puna e një këshilltari biblik?” Po. Por pastorët, dhe këtu jam duke menduar në mënyrë të veçantë për ata që japin mësimin dhe predikimin parësor – kanë përgjegjësinë të predikojnë një teologji të vërtetë shenjtërimi në mënyrë që t’i çojnë njerëzit e tyre në drejtimin e duhur. Mendoni pak, nëse nuk po predikoni duke pasur parasysh shenjtërinë e njerëzve tuaj, çfarë jeni duke bërë? Sigurisht, nuk dëshironi që thjesht të edukoni, apo më keq akoma të argëtoni. Ju dëshironi që njerëzit tuaj të transformohen. Por a keni një paradigmë sesi ndodh kjo gjë? Nëse jo, si e dini që po i udhëhiqni në drejtimin e duhur?

Rreziqet që e nxjerrin shenjtërimin nga binarët janë shthurja dhe legalizmi. Legalizmi e sheh shenjtërimin si një punë që e bëj unë. Ndoshta bëj vepra për të fituar shpëtimin tim. Apo ndoshta i bëj që të fitoj më tepër favor me Perëndinë. Mendoj, “Nëse mund të pushoj së bëri X dhe të filloj të bëj Y, do jem në rregull.” Ky është legalizëm për shkak se bindet për një marrëdhënie me Perëndinë në vend që të bindet nga një marrëdhënie me Perëndinë.

Gabimi tjetër është shthurja, dhe ata që e përqafojnë këtë gabim quhen antinomianistë (anti-kundër; nomos-ligj). Kjo buron nga përqendrimi aq i madh tek ajo që tashmë është arritur prej Krishtit saqë nuk ka më vend për punën tonë. Antinomianistët dallojnë dështimin e tmerrshëm i cili rezulton kur përpjekja jonë keq-zbatohet dhe (gabimisht) konkludojnë që duhet të pushojmë nga ushtrimi i çdo përpjekjeje.

Le të mendojmë se çfarë ndodh pa një paradigmë të qartë për shenjtërimin. Mund të jemi duke i inkurajuar njerëzit ta luftojnë legalizmin e tyre me shthurjen e tyre dhe shthurjen e tyre me legalizmin e tyre. Më kujtohet një grup studentësh të cilët dëshironin që të pushoja së foluri për ungjillin sepse kishin frikë që kjo do të minonte shtysën e tyre për shenjtëri. Njoh njerëz të tjerë, të cilët po të tregohen të sinqertë, ngushëllohen prej faktit që mëkatojnë për shkak se kjo vërteton se nuk po bëhen legalistë. Por ky nuk është shenjtërimi biblik, dhe nuk duhet të inkurajojmë këtë lloj të menduari.

Promovimi i pseudo-shenjtërimit është më i lehtë nga sa mendoni. Kam dëgjuar pastorë të mirë që i theksojnë bashkësisë së tyre gjithçka që duhet të bëjnë, por nuk thonë asgjë rreth fuqisë për ta bërë këtë gjë. Kam dëgjuar predikime ku hiri është aq i shkëputur nga jeta e shenjtë saqë pyetja e Palit, “A të mbetemi në mëkat që të teprojë hiri?” duket se merr një përgjigje afirmuese. Këto probleme korrigjohen me përqasjen ndaj një predikimi që e sheh Krishtin si qendrën e çdo teksti. Por ne kemi nevojë për një teologji shenjtërimi në mënyrë që të shkojmë një hap më tej dhe të pyesim, “Kur vijmë tek Krishti, si e veshim Krishtin dhe si nuk i përmbushim epshet e mishit?”

Nuk jam duke thënë që çdo predikim kërkon një fjalim të gjatë rreth doktrinës së shenjtërimit. Kjo mund të shfaqet në një fjali pasi kemi arritur tek Krishti. Apo ndoshta është e dukshme në atë që i thoni personit tek dera i cili mund jetë i shqetësuar apo paksa fodull. Ideja është kjo, nëse “veshja e Krishtit” dhe “kërkimi i gjërave që janë lart” janë urdhërime parësore që lidhen me shenjtërimin tonë, duhet ta dimë se çfarë do të thotë t’u bindemi atyre, dhe kjo duhet të jetë e qartë në predikimin tonë.

Prandaj, një teologji e qartë shenjtërimi duhet të jetë në gjendje të theksojë nevojën për t’u rritur pa minimizuar hirin. Gjithashtu duhet të theksojë hirin pa zvogëluar nevojën për t’u rritur.

Si e bëjmë këtë gjë? Këtu do t’ju jap vetëm një skicë të shkurtër. Synimi i vërtetë i këtij artikulli është që t’ju bëjë ju të studioni shenjtërimin. Hapi i parë është ta shihni shenjtërinë si të lidhur me shpëtimin. Kemi nevojë të pushojmë së foluri rreth të qënurit i “shpëtuar” dhe të qënurit “i shenjtë” sikur këto të dyja të ishin dy gjëra të ndryshme të cilat mund të vendosen përballë njëra tjetrës. Duhet të kemi kujdes nga citimi i Efesianëve 2:8-9 – “shpëtuar me anë të hirit nëpërmjet besimit pa vepra” – pa cituar gjithashtu edhe 2:10, “Ne në fakt jemi vepra e vepra e tij e krijuar për vepra të mira.” Shpëtimi përfshin shenjtërinë – jo si një kusht, por si pjesë të tij. Vini re: Bibla nuk na e tregon këtë tension mes hirit falas dhe veprave të mira.

Pse jo?

Kjo pyetje më sjell tek pika e dytë e përgjithshme: shpëtimi është bashkim me Krishtin. Fatkeqësisht, shpesh mendojmë për shpëtimin si një kapicë gjigante dhuratash individuale të paketuara. Kemi dhuratën e “faljes,””Frymën,””shpengimin,” thjesht për të përmendur disa. Problemi me këtë këndvështrim është që çdo dhuratë merr një ekzistencë të pavarur, dhe mbi theksimi një dhurate shpesh konkurron me mbi theksimin e një dhurate tjetër. Për shembull, nëse po e shijoj dhuratën madhështore të faljes, a kam vërtet nevojë ta hap dhuratën e etiketuar “shenjtërimi”? Ose, nëse po përdor “shenjtërimin,” a duhet ta mbaj ende dhuratën e “drejtësisë së llogaritur”?

Në realitet, shpëtimi ka të bëjë me pranimin e Krishtit, i cili u bë për ne gjithçka që kemi nevojë për shpëtim. Ne jemi “në Krishtin, i cili u bë për ne urtësi nga Perëndia, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim.” Për shkak se çdo dhuratë vjen prej pranimit të Krishtit ato janë në harmoni të plotë. Faljen e mëkateve dhe drejtësinë e llogaritur i përdorim jo për t’u tërhequr dhe rehatuar, por në mënyrë që t’i afrohemi Krishtit dhe të gjejmë ndihmë për një jetë të shenjtë. Dhe kur jetojmë një jetë të shenjtë, nuk e injorojmë drejtësimin; përkundrazi, ndikohemi aq shumë nga shenjtëria e Perëndisë saqë kemi një vlerësim më të madh për drejtësinë e llogaritur të Krishtit, gjë e cila është pozita jonë ligjore para Perëndisë. Edhe Fryma e lidh bashkë gjithë jetën e krishterë; i njëjti Frymë që e ngjalli Jezusin prej së vdekuri “për drejtësimin tonë” (Romakëve 4:25) gjithashtu na bashkon me Krishtin, na mbush me fryt, dhe i lutet Perëndisë për llogarinë tonë.

Me fjalë të tjera, rritja në një aspekt të shpëtimit tonë në mënyrë të paevitueshme na çon edhe më thellë në personin e Krishtit dhe në bashkimin tonë frymëror me të, gjë e cila na lidh gjithashtu me çdo përfitim tjetër që kemi në të. Ne kemi çdo bekim frymëror në Krishtin. Kur e shohim shpëtimin tonë si një paketë të plotë, nuk ka mundësi që ta vendosim një përfitim të caktuar mbi një tjetër. Si rrjedhim, nuk do ta luftojmë legalizmin tonë me shthurjen tonë. Do t’i luftojmë legalizmin dhe shthurjen tonë me Krishtin.

Jam mirënjohës për pyetjen e asaj gruaje për shkak se më nxiti të studioja shenjtërimin. Nuk ka rëndësi sa shumë kemi kuptuar nga kjo e vërtetë, ka ende më tepër që duhet të kuptojmë – dhe ka pafundësisht më tepër që duhet të përjetojmë. Por edhe një paradigmë e thjeshtë për shenjtërimin, nëse është biblike, do të na ndihmojë t’i udhëheqim njerëzit tanë edhe më thellë në Krishtin dhe kështu, më thellë në shenjtëri.

Në qarqet ungjillore ka një shtysë për të kuptuar drejtësimin. Kjo është gjë e mirë. Por le të sigurohemi që nuk e kemi neglizhuar shenjtërimin.

__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
I mëparshmi
__CONFIG_colors_palette__{"active_palette":0,"config":{"colors":{"c162b":{"name":"Main Accent","parent":-1}},"gradients":[]},"palettes":[{"name":"Default","value":{"colors":{"c162b":{"val":"var(--tcb-skin-color-0)"}},"gradients":[]},"original":{"colors":{"c162b":{"val":"rgb(19, 114, 211)","hsl":{"h":210,"s":0.83,"l":0.45,"a":1}}},"gradients":[]}}]}__CONFIG_colors_palette__
Pasuesi

Postime të ngjashme

>