dear pastor shepherd doesnt care how big church

Gusht 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

I dëshpëruar për rritje

Muzika më kumbonte në veshë, teksa ulja supet në korridorin e kishës, duke iu përgjëruar Perëndisë të sillte edhe një tjetër familje në këtë vend. E kisha bërë rutinë çdo të diel. Kishëmbjellja jonë nuk ishte aq e mirëthemeluar, por i kishim të gjitha elementet që njerëzit thoshin se na nevojiteshin për rritje të kishës — një emër trendi*, një grup muzikor trendi, një bërthamë të rinjsh trendi. Mirëpo mizëri njerëzish qëndronin larg. Dhe çdo të diel u bë si njëfarë krize besimi për mua, që të duroja një tjetër pjesëmarrje të ulët.

Dija mirë të thosha fjalë të bukura për baritimin e njerëzve që kisha, për të mos ia besuar rritjen e kishës risive dhe metodave pragmatike. Megjithatë, ende më lëndonte fakti që Zoti nuk e kishte shpërblyer besnikërinë time me sukses.

Apo e kishte shpërblyer?

Tani, pesëmbëdhjetë vjet më pas, kam mësuar shumë më shumë për përvojën e rritjes së kishës. Të njëjtin besim të lëkundur të bindjes biblike për “mënyrën si duhej bërë kisha” e mora me vete në një kishë në New England — në shtetin me pjesëmarrjen më të ulët në kishë në SHBA. Në fakt, përgjithësisht me mijëra e mijëra njerëz këtu i qëndrojnë larg kishës. Duke qenë se në këtë vend nuk e kisha faktorin e pranimit kulturor të krishterimit, dhe njerëzit kryesisht ishin neutralë (për të mos thënë haptazi armiqësorë) ndaj krishterimit, dhe kisha ku u gjenda, nuk i kishte aspak elementet që sipas ekspertëve u dashkan doemos për të rritur kishën, Zoti nisi të sjellë shumë e shumë njerëz.

Ndërtesa jonë ishte tipikja në New England, një kishë e bardhë me një kopsht të gjelbër dhe kullë të lartë me majë. Këngëtarët në adhurim kishin mesatarisht moshën gjashtëdhjetë vjeç. Kishim një organo mekanike të vjetër — dhe e përdornim për të kënduar himne të vjetra. Kur erdha në këtë kishë, nuk kishim shumë njerëz dhe pothuajse fare të rinj në moshë. Shërbesa jonë ishte gati dy orë. Unë predikoja mesazhe ekspozuese, pasazh pas pasazhi, të librave të Biblës. Dhe njerëzit vinin. Vetëm vinin, sa vjen e më shumë. Pjesëmarrja në kishë rritej në mënyrë të qëndrueshme. Karriget dhe vendet e parkimit mbusheshin rregullisht, pagëzimet shtoheshin vit pas viti, anëtarësia aktive u rrit.

Mirëpo nuk i harrova kurrë ato ditë në korridorin e asaj kishëmbjelljeje, teksa i përgjërohesha Perëndisë të dërgonte edhe një apo dy njerëz më shumë në atë vend. Mora një mësim të vlefshëm në ditët e vështira të mungesës, që më ndihmoi jashtë mase në ditët e gëzueshme të tepricës — atë që Krishtit nuk i intereson vërtet sa e madhe është kisha ime.

Syno të jesh besnik

Këtë përshtypje nuk ta ofrojnë “ekspertët” e rritjes së kishës, që suksesin e jashtëm jo vetëm e barazojnë, por edhe e kanë provë të besnikërisë. Nëse kisha jote po rritet nga ana numerike, kjo shihet si provë e vërtetueshme që diçka po e bën siç duhet. Dhe, sigurisht, është parë ana e errët dëshpëruese e kësaj logjike, teksa udhëheqës abuzivë dhe shpesh të skualifikuar mbeten në pozitat e tyre, për shkak të “provës” së suksesit të tyre. Mirëpo mua m’u desh të mësoja shpejt mos ta intonoja zemrën time me rritjen apo uljen e shifrave të kishës.

Në radhë të parë, nuk e shihja gjëkundi të theksohej kjo gjë në Bibël. Po, ka plot shembuj të numërimit të shërbëtorëve të Perëndisë. Ata numëronin se sa veta i shtoheshin numrit të ndjekësve të Krishtit, sa veta dëshmuan predikimin e tij etj. Kjo më tregon se nuk ka asgjë që s’shkon me numërimin dhe se, në fakt, ky numërim mund të tregojë gjëra të rëndësishme, por jo gjërat më të rëndësishme. Ndërsa Pali dhe apostujt e tjerë i udhëzojnë kishat dhe drejtuesit e tyre përmes letrave të tyre, kurrë nuk gjejmë në to diçka të përafërt me pyetjen: “Deri në çfarë numri keni arritur?” Duket se nuk kishin fare interes për këtë pyetje.

Së dyti, dëshmia e Shkrimeve duket se e merr të mirëqenë idenë që, ndërsa të krishterët duhet të mbeten besnikë në misionin e Perëndisë në përgjithësi dhe në ungjillëzim në veçanti, kisha është hartuar për të qenë një prani minoritare në botë. Ne duhet të presim që nuk do të jemi të famshëm.

Sigurisht që disa kisha janë më të famshme se të tjerat. Nuk ka asgjë që nuk shkon me një kishë të madhe. Unë e ti me siguri kemi hasur pastorë besnikë të kishave të mëdha në jetët tona, si edhe pastorë jobesnikë të kishave të vogla. Kjo është ideja: përmasa nuk është një kusht i besueshëm i besnikërisë dhe nuk funksionon, sido që të duam ta logjikojmë ne — qoftë në madhësi apo në vogëlsi.

Jo, Zoti kërkon nga ne besnikëri. Ndonëse është krejt normale që çdo pastor të dëshirojë që kisha e tij të rritet (e përsëris, mos i zini besë idesë që numrat në vetvete janë provë e besnikërisë), është gjithashtu idhujtari që “ta martojmë” vlerën, drejtësimin dhe rregullsinë tonë me pjesëmarrjen, buxhetin apo platformën. Kjo lojë është e humbur!

Krishti nuk po na thërret ta rrisim kishën e tij. Këtë Ai do ta bëjë vetë. Ai po na thërret të jemi besnikë.

Favori i pandryshueshëm i Krishtit

Ndërsa kisha jonë në New England rritej, shumë kisha rreth nesh nuk rriteshin. Ne i kishim gjithë treguesit e jashtëm të suksesit, që udhëheqësit normalë i dëshirojnë. Dhe unë mora mjaft vlerësime të mira për këtë. Jam ftuar në mjaft takime ku pastorë të tjerë më marrin për kafe për të më pyetur për metodat e mia. Shpesh ata zhgënjeheshin nga përgjigjja ime, sepse thosha që ne thjesht përpiqeshim të ishim besnikë në predikimin e ungjillit, në dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të afërmit tanë. Patjetër që bënim dhe gjëra për të arritur të humburit dhe trajnime për ungjillëzim, por nuk po ndiqnim asnjë recetë për rritje numerike të kishës. Ne po mbillnim, po ujitnim dhe po besonim që Perëndia do ta sillte rritjen… ose jo.

Megjithëse e shijova dhe doja që kisha ta shijonte këtë rritje, u përpoqa (sigurisht, jo në mënyrën e duhur) të mos e marr meritën për këtë. Përvoja e mëparshme në kishëmbjellje, më dha gjithashtu këtë mësim: merita që më jepet për rritjen e kishës, është po e njëjta me atë që më jepet për mosrritjen e saj. Krishti nuk po na thërret ta rrisim kishën e tij. Këtë Ai do ta bëjë vetë. Ai po na thërret të jemi besnikë.

Kur mbërrin në fund të garës, nuk do të gjykohesh se sa njerëz ke barituar. Sigurisht që do të japësh llogari se si ke barituar; por jo se sa.

Dhe ndërsa ti mundohesh dhe beson, mund të mësosh ta hedhësh këtë merak tokësor mbi të. Mund t’ia besosh atij pjesëmarrjen në kishën tënde. Mund t’ia besosh atij caqet e udhëheqjes sate personale. Mund t’ia besosh atij atë që ai të ka besuar ty. Nëse je pastor për një kohë të gjatë, me shumë gjasa do të shohësh kohë shtimi dhe pakësimi. Do të kesh periudha shërbese që janë plot dhe të tjera që janë gati bosh. Kjo është thjesht rrjedha normale e jetës. Do të të ndihmojë mendërisht dhe do të të japë rezistencë, nëse nuk i intonon ndjenjat e tua me pyetjen: “Si po shkon kisha”, por me themelin e palëkundshëm dhe dashurinë e patjetërsueshme të Krishtit Mbret. Favori i tij ndaj një mëkatari si ti nuk mund të shtohet apo të pakësohet. Ai është gjithmonë duke u derdhur plot e përplot.

Mos më keqkupto, Jezusit i intereson shumë rritja e mbretërisë së tij. Ai do të sigurohet pa pikë dyshimi që plani i tij për përhapjen e ungjillit dhe zgjerimin e lavdisë së tij të përmbushet në çdo cep dhe qoshe të krijimit. Dhe kjo mund të përfshijë edhe rritjen e kishës sate. Por mund edhe të mos e përfshijë. Pyetja është kjo: A je ti dakord me këtë? Sepse Jezusi është.


Jared Wilson është autor i librit “The Pastor’s Justification”.

*trendi – është huazim nga anglishtja; në shqip do të thotë “i kohës”, “modern”. (shën. i redaktorit)


Jared C. Wilson është asistent profesor i shërbesës pastorale në seminarin teologjik “Midwestern Baptist” dhe drejtor i qendrës së trajnimit pastoral në kishën “Liberty Baptist” në Kansas City, Missouri. Ai është një folës konferencash dhe autor i mirënjohur, si dhe shkrues i rregullt i blogut Gospel Driven Church, që gjendet në faqen e The Gospel Coalition. Librat e tij përfshijnë “Gospel Wakefulness”, “The Storytelling God” dhe “The Wonder-Working God”.

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-your-shepherd-doesnt-care-how-big-your-church-is/

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin
10 vargje kyç mbi besimin te Perëndia
>