key verses trusting god

Shtator 2024                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Jeremia 17:7-8

Lum ai njeri që beson te ZOTI
            dhe besimi i të cilit është ZOTI!
Ai do të jetë si një pemë e mbjellë pranë ujit,
            që i shtrin rrënjët e tij përgjatë lumit.
Nuk do ta ndiejë kur vjen vapa
            dhe gjethet e tij do të mbeten të gjelbra;
në vitin e thatësirës nuk do të ketë asnjë shqetësim
            dhe do të vazhdojë të mbajë fruta.

“Lum.” Mbushur me bekimet e caktuara prej Perëndisë. “Besimi i të cilit është ZOTI.” Vetëm besimi në Perëndinë motivon bindjen në kohë krizash.

“Pemë e mbjellë pranë ujit.” E siguruar me burime, pavarësisht se çfarë ndodh. Një kontrast i përkryer për “një brukë në shkretëtirë” (Jeremia 17:6; krahaso me Psalmin 1:3).

Fjalët e Urta 3:5

Ki besim tek ZOTI me gjithë zemër
                dhe mos u mbështet në mençurinë tënde.

“Ki besim tek ZOTI”, është i nevojshëm për përmbushjen e çfarëdo mënyre të mençur të jetuari që na mësohet te Fjalët e Urta; besimi te Zoti lidhet ngushtë me “frikën” e tij (krahaso me Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 9:10; 15:33; 19:23 etj.). “Me gjithë zemër” tregon se besimi shkon përtej aprovimit intelektual drejt një mbështetjeje të plotë në Zotin, një bindje e sigurt në kujdesin dhe besnikërinë e tij ndaj fjalës së tij. “Mos u mbështet në mençurinë tënde” shpjegon më tej besimin në Zotin. “Mençurinë” te Fjalët e Urta nënkupton perceptimin që ka një person për rrjedhën e duhur të veprimeve. I mençuri e qeveris veten në bazë të asaj që vetë Zoti deklaron dhe nuk e kundërshton me mençurinë e tij të kufizuar e shpeshherë të gabuar.

Mateu 6:25-27

Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani dhe do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më shumë se ushqimi dhe trupi se veshja? Vini re zogjtë e qiellit: nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; dhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër sesa ata? Dhe cili nga ju, me gjithë shqetësimin e tij, mund t’i shtojë shtatit të vet qoftë një kubit?

“Prandaj... mos u shqetësoni.” Nëse dikush bën zgjedhjet e duhura (Mateu 6:19-24), nuk ka (“prandaj”) arsye për t’u shqetësuar. Jezusi jep dy shembuj “fortiori” (“shumë më tepër”) – “vini re zogjtë e qiellit” (Mateu 6:26), “vini re si rriten zambakët e fushës” (Mateu 6:28) – për të treguar se, duke qenë se Perëndia kujdeset edhe për zogjtë dhe zambakët, sa më tepër do të kujdeset për të vetët. Për këtë arsye, shqetësimi tregon mungesë besimi në Perëndinë, i cili premton se në hirin e tij do të kujdeset “për këto të gjitha” (Mateu 6:33; krahaso me Romakëve 8:32). Shih gjithashtu Filipianëve 4:5-6.

Psalmi 20:6-7

Tani e di që ZOTI shpëton të vajosurin e tij;
            do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë
me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
            Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt,
por ne do të kujtojmë emrin e ZOTIT, Perëndisë tonë.

Besim i shëndoshë vetëm në Zotin. Tani adhuruesit kalojnë nga të folurit me mbretin në të folurit për mbretin. Ata e vendosin besimin e tyre vetëm në Perëndinë si ai që “shpëton të vajosurin e tij”, kështu “qerret” dhe “kuajt” që ata përdorin nuk janë arsyeja përfundimtare e suksesit, por thjesht mjete që Perëndia mund të përdorë për përparim (siç shpresojnë për veten e tyre) apo për pengesë (siç shpresojnë për armikun e tyre).

Romakëve 8:28

Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.

Perëndia bën që të gjitha gjërat të “bashkëveprojnë për të mirë” për fëmijët e tij. “E mira” në këtë kontekst nuk i referohet rehatisë tokësore, por konformitetit me Krishtin (Romakëve 8:29), bashkësisë më të afërt me Perëndinë, dhënies së fryteve të mira për mbretërinë dhe përlëvdimit përfundimtar (Romakëve 8:30).

Hebrenjve 13:8

Jezu Krishti është i njëjtë dje dhe sot dhe në përjetësi.

“Jezu” Mesia (“Krishti”) është përjetësisht i besueshëm në pozicionin e tij si kryeprift dhe si Biri i Perëndisë – “dje” aktiv në krijim (Hebrenjve 1:2-4), “sot” në ofrimin e shpëtimit (Hebrenjve 4:7-10) dhe “në përjetësi” duke mbretëruar në qiell (Hebrenjve 10:12). Ky varg mund të jetë një kalim nga Hebrenjve 13:7 (udhëheqësit e tyre besuan në këtë Krisht dhe Jezusi mbetet i besueshëm) te Hebrenjve 13:9 (mësimet e çuditshme janë largim nga Jezusi që është gjithmonë i njëjtë).

Psalmi 56:3-4

Kur të kem frikë,
            do të mbështetem te ti.
Me ndihmën e Perëndisë
            do të kremtoj fjalën e tij;
kam vënë besimin tim te Perëndia,
            nuk do të kem frikë.
Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Këngëtari përshkruan rrethanat e tij dhe e vendos mendjen në përgjigjen e duhur. Situata shihet në përsëritjen e fjalëve “sulmet” dhe “luftojnë” (Psalmi 56:1, 2); përgjigjja shihet në përsëritjen e fjalës “besimin” (Psalmi 56:3, 4). Kjo u mundëson atyre që e këndojnë psalmin ta drejtojnë zemrën në përgjigjen e duhur: kur kanë “frikë”, ky është kundërhelmi.

Marku 4:40

Atëherë u tha atyre: “Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?”.

Jezusi i qorton dishepujt sepse janë “frikacakë” (krahaso me Marku 7:18; 8:17-18, 21). Kundërhelmi për frikën është “besim”, pra, besimi në Jezusin. Ata bënë mirë që shkuan te Jezusi, megjithatë qortohen për frikë dhe ndjesinë se Perëndia i ka harruar.

Isaia 26:3-4  

Mendjes që pushon te ti,
            ti i ruan një paqe të përsosur,
sepse kjo ka besim te ti.
            Kini besim te ZOTI përjetë,
sepse ZOTI, po, ZOTI është shkëmbi i përjetshëm.

“Paqe të përsosur.” Paqja që përshkruhet këtu është së pari paqja e përbashkët e qytetit (Isaia 26:1) dhe e kombit (Isaia 26:2) që vjen nga “dora e Zotit” (Isaia 25:10); por është gjithashtu edhe paqja individuale e njeriut, e “mendjes që pushon te” Perëndia. Burimi i një paqeje të tillë është Perëndia i drejtë, sovran dhe shpëtues (Isaia 25:9) – që do të “shkatërrojë përgjithnjë vdekjen” dhe do të “thajë lotët” (Isaia 25:8; krahaso me Zbulesa 21:4), i cili është i vetmi i denjë për besim.

Psalmi 37:3-5

Ki besim tek ZOTI dhe bëj të mirën;
            bano vendin dhe shto besnikërinë.
Gjej kënaqësinë tënde në ZOTIN
            dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Vendose fatin tënd tek ZOTI,
            ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

“Dëshirat e zemrës sate.” Disa e marrin sikur “dëshirat” i referohet “ndjenjës” së dëshirës, pra “Perëndia do t’i japë formë zemrës sate që të dëshirojë gjërat e duhura”; por, në fakt, kuptimi është: “ai do të të japë çfarë të dëshiron zemra”. Ia vlen të themi se ata që përqafojnë këshillën e këtij psalmi, duke qenë se gjejnë “kënaqësinë” e tyre “në ZOTIN”, edhe zemrat e tyre dëshirojnë gjërat e duhura (krahaso me Psalmin 37:16, 31).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Kategoria: Besimi në Perëndinë
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-trusting-god
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin
I dashur pastor… bariut tënd nuk i intereson sa e madhe është kisha jote
>