key verses 2nd coming christ

Nëntor 2024                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Mateu 24:36-44 (Versioni “Bibla PRO”)

“Por sa për atë ditë dhe orë asnjë nuk e di, as edhe engjëjt e qiejve, dhe as Biri, përveçse vetëm Ati. Se sikurse ishin ditët e Noeut, kështu do të jetë ardhja e Birit të Njeriut. Se ashtu si në ditët para Përmbytjes; njerëzit ishin duke ngrënë e duke pirë, duke u martuar e duke martuar, deri atë ditë në të cilën Noeu hyri në arkë, dhe nuk kuptuan gjë, derisa erdhi përmbytja dhe i hoqi të gjithë, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të Njeriut. Atëherë do të jenë dy burra në arë; njëri merret dhe tjetri lihet. Dy gra do të jenë duke bluar në mulli; njëra merret dhe tjetra lihet. Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini në çfarë dite vjen Zoti juaj. Por kuptoni këtë: sikur ta dinte i zoti i shtëpisë se në cilën rojë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Për këtë arsye, edhe ju jini gati, sepse në atë orë që nuk e mendoni, vjen Biri i Njeriut”.

Si përgjigje ndaj dishepujve që pyesnin: “Kur do të ngjasin këto gjëra?” (Mateu 24:3), Jezusi thotë se “askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im”. Në jetën e tij të mishëruar, Jezusi i mësoi gjërat siç i mësojnë njerëzit (krah. me Luka 2:52; Hebrenjve 5:8). Nga ana tjetër, Jezusi ishte gjithashtu plotësisht Perëndi dhe, si Perëndi, ai kishte njohuri të pafundme (krah. me Gjoni 2:25; 16:30; 21:17). Këtu ai po flet dukshëm për natyrën e tij njerëzore. Kjo është e ngjashme edhe me deklarata të tjera për Jezusin, të cilat janë të vërteta vetëm për natyrën e tij njerëzore, e jo për natyrën e tij hyjnore (“rritej dhe forcohej”, Luka 2:40; “përparonte… në moshë”, Luka 2:52; “ishte rreth tridhjetë vjeç”, Luka 3:23; ishte “i lodhur”, Gjoni 4:6; kishte “etje”, Gjoni 19:28; “e mori uria”, Mateu 4:2; “u kryqëzua”, 1 e Korintasve 2:8). Duke marrë parasysh këto vargje, bashkë me shumë vargje të tjera që pohojnë hyjninë e Krishtit, Këshilli i Kalkidonës në vitin 451 pas Krishtit, pohoi se Krishti ishte “i përsosur në hyjni gjithashtu i përsosur në të qenët njeri; vërtet Perëndi dhe vërtet njeri”. Megjithatë, Këshilli pohoi gjithashtu se Jezusi ishte “një person dhe një ekzistencë”.

Duke marrë parasysh aspektet e natyrës së tij njerëzore dhe natyrës së tij hyjnore, Kredoja e Kalkidonës pohoi se Krishti duhej “pranuar në dy natyra, të pangatërrueshme, të pandryshueshme, të pandashme, të patjetërsueshme; ku dallimi midis dy natyrave nuk duhej hequr kurrsesi nga e përbashkëta, por duhen ruajtur edhe aspektet njerëzore dhe ato hyjnore. Mënyra se si Jezusi mund të kishte njohuri të kufizuar, e megjithatë t’i dinte të gjitha, është e vështirë të kuptohet, e shumë gjëra mbeten mister, sepse askush tjetër nuk ka qenë kurrë edhe Perëndi, edhe njeri. Një mundësi është që Jezusi jetonte përditshmërinë në bazë të njohurisë njerëzore, por mund të sillte në mendje në çdo kohë çfarëdo nga njohuria e tij e pafundme.

“Merret... lihet”. Përshkrimi mund të jetë duke nënkuptuar se njëri merret për gjykimin e fundit (krah. me Mateun 24:39), ndërsa tjetri pret të përjetojë shpëtimin në kthimin e Krishtit. Ose ndoshta, ai që merret është ai midis të zgjedhurve të Birit të Njeriut, i cili do t’i mbledhë “prej të katër erërave” (Mateu 24:31).

*Shënim i redaktorit: Të gjitha vargjet e referencave të tjera, sikurse vargu kryesor, janë marrë nga versioni i Biblës PRO.

Luka 21:25-28

“Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi dhè ankth kombesh, që nuk dinë ç’do të bëjnë, edhe do të buçasë deti dhe valët; njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga të priturit e gjërave që po vijnë mbi botë, sepse fuqitë e qiejve do të lëkunden. Dhe atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe, kur të fillojnë të ndodhin këto, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse shpengimi juaj po afrohet”.

Jezusi profetizon ardhjen e Birit të njeriut. Duke paralajmëruar ardhjen e shkatërrimit të tempullit dhe të Jerusalemit (Luka 21:5-24), Jezusi drejtohet nga një e ardhme edhe më e largët dhe profetizon ardhjen e tij të dytë.

Ardhja e Birit të njeriut. Jezusi kthehet te mësimet që lidhen me shkatërrimin e gjërave dhe me kthimin e tij. “Shenja në diell, në hënë dhe në yje.” Fraza: “fuqitë e qiejve do të lëkunden”, përshkruan ndryshime të mëdha në qiej. “Do të shohin”. Ardhja e dytë përfshin kthimin e dukshëm të Birit të njeriut nga qielli (Veprat 1:11), duke i dhënë fund historisë. “Kur të fillojnë të ndodhin këto”, i referohet Lukës 21:25-27. “Shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja”. Një qëndrim shprese dhe bindjeje. “Shpengimi” i referohet kohës së kthimit të Krishtit, kur e vdekshmja të veshë të pavdekshmen (1 e Korintasve 15:53) dhe të ndodhë shpengimi i trupit (Romakëve 8:23).

Gjoni 5:28-29

Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit.

Jezusi pohon edhe njëherë ringjalljen e ditës së fundit. Krahaso me Danieli 12:2. “Ata që kanë bërë të mira… ata që kanë bërë të liga”, nuk nënkupton që veprat e njerëzve në këtë jetë janë baza e gjykimit (sepse kjo do të kundërshtonte theksin e fortë që vendos Gjoni në faktin se besimi në Jezusin është mënyra për të fituar jetën e përjetshme: shih Gjoni 3:16; 5:24-25 etj.). Përkundrazi, veprat e mira funksionojnë si provë e besimit të vërtetë, e nëse mungojnë veprat e mira, tregohet se mungon besimi i vërtetë. Të gjithë ata që vërtet besojnë, do të kalojnë “nga vdekja në jetë” (Gjoni 5:24) dhe si pasojë do të bëjnë të mira, e kështu do të shijojnë ringjalljen e jetës.

1 e Thesalonikasve 4:16-17

Sepse Zoti vetë, me urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

“Me urdhër… me zë kryeengjëlli… me borinë e Perëndisë.” Të tre tingujt thërrasin të vdekurit të zgjohen nga gjumi. I vetmi “kryeengjëll” i identifikuar në Bibël është Mikaeli (Juda 1:9). Në Dhiatën e Vjetër, boritë shpallin praninë e Zotit (Eksodi 19:16; 1 e Kronikave 16:6; Psalmi 47:5; Joeli 2:1; Zakaria 9:14); në traditën judaike, “boria” lidhej me betejën, me ditën e Zotit dhe me ringjalljen (krah. me 1 e Korintasve 15:52). “Të parët; pastaj”. Të krishterët e vdekur do të ngrihen nga varri mes të gjallëve, pastaj të gjallë e të vdekur së bashku do të rrëmbehen nga toka në retë për të takuar Krishtin. Fjala greke për “rrëmbehemi” (“harpazo”, “të kapësh diçka apo ta marrësh papritur, ta kapësh me vrull, ta çosh tutje”), jep idenë se do të ngrihen lart papritur dhe me forcë (shiko Gjoni 6:15; Veprat 8:39). “Njëkohësisht në”. Të krishterët e vdekur nuk do të vuajnë ndonjë disavantazh (krah. me “ne të gjallët…nuk do të jemi përpara atyre, 1 e Thesalonikasve 4:15). “Retë”. Me shumë mundësi, nuk bëhet fjalë për retë tokësore të shiut, por për “retë” e lavdisë që rrethojnë praninë e Perëndisë (krah. me Eksodi 13:21; 33:9-10; 40:38; Numrat 12:5; 1 e Mbretërve 8:10-11; Psalmi 97:2; Danieli 7:13; Mateu 17:5; Marku 13:26; Veprat 1:9; Zbulesa 14:14). “Për të dalë përpara”. Termi në greqisht “apantesis”, shpeshherë përdoret për pritjen që i bëjnë banorët e një qyteti një zyrtari të lartë, të cilët dalin për të përshëndetur dhe për të mirëpritur të ftuarin e tyre të nderuar me fanfarë e festë, dhe pastaj e shoqërojnë për në qytet (krah. me Mateun 25:6; Veprat 28:15; një term i ngjashëm, “hypantesis” përdoret te Mateu 25:1; Gjoni 12:13). Kjo mund të tregojë se lëvizja pasuese pasi shenjtorët takojnë Krishtin “në ajër”, konformohet me drejtimin e Krishtit, në një lëvizje për poshtë drejt tokës. Megjithatë, disa interpretues paralajmërojnë se duhet bërë kujdes me simbolizmin shumë intensiv të gjuhës apokaliptike për të shmangur interpretimin e tepruar të detajeve apokaliptike. “Në ajër”. Në qiell.

Zbulesa 1:7

Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë mbi të. Po, amen.

Lajmërim për ardhjen e Mbretit. “Po vjen me retë”. Jezusi do të vijë si Biri i njeriut me sundim universal (krah. me Danielin 7:13-14), edhe pse ata e tejshpuan (Zakaria 12:10). “Vajtojnë”. Pjesa më e madhe e studiuesve mendojnë se vajtimi është reagim ndaj gjykimit, e jo ai lloj vajtimi që çon në shpëtim. Ai që po vjen është Zoti Perëndi, “Alfa dhe Omega” (shkronja e parë dhe e fundit e alfabetit grek) (shih Zbulesa 1:17; 22:13). Jezusi është fillimi i të gjithë historisë (Krijuesi) dhe gjithashtu është qëllimi përfundimtar i gjithçkaje të krijuar (e gjithë historia po lëviz drejt përlëvdimit të tij).

Hebrenjve 9:27-28

Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin një herë, dhe më pas vjen gjyqi, kështu edhe Krishti, pasi u dha një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin me durim për shpëtim.

“Është caktuar… të vdesin një herë”. Çdo person ka vetëm një jetë para atij “gjyqi” të përjetshëm. Kjo hedh poshtë rimishërimin dhe çdo ide që thotë se do të ketë një mundësi të dytë për të besuar pas vdekjes, duke qenë se, menjëherë pas referencës së faktit të vdekjes, vjen fraza “dhe më pas vjen gjykimi”, duke mos lënë asnjë nënkuptim për ndonjë mundësi ndërhyrjeje për ndryshim të statusit. Gjykimi i fundit do të ndodhë kur të vijë sërish Krishti – ai vdiq “një herë” si ofrim për “mëkatet e shumëve”, dhe do të shfaqet për herë të dytë në gjykim, kur të shpëtojë ndjekësit e tij. “Ata që e presin me durim”. Kjo pritje e qartë e rikthimit të Krishtit (shih Hebrenjve 10:25; krah. me Romakëve 8:19, Romakëve 8:23, Romakëve 8:25; 1 e Korintasve 1:7; Galatasve 5:5; Filipianëve 3:20), i thërret të gjithë ata që shpresojnë për shpëtimin, të presin me këmbëngulje.

Mateu 24:26-31

“Pra, në qoftë se ju thonë: ‘Ja, është në shkretëtirë’, mos shkoni atje: ‘Ja, është në dhomat e fshehta’, mos u besoni. Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe duket deri në perëndim, kështu do të jetë dhe ardhja e Birit të njeriut. Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat”.
“Por, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Dhe ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.”

“Ja, është në shkretëtirë… ja, është në dhomat e fshehta”. Mesia nuk do të vijë fshehurazi për një grup të zgjedhur, duke qëndruar i fshehur nga sytë e njerëzve. Përkundrazi, ai do të shfaqet si një “vetëtimë” – papritur dhe i dukshëm për të gjithë.

“Ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat”. Është më mirë të mos “interpretojmë më tepër se ç’duhet” këtë shprehje goditëse idiomatike. Me shumë mundësi, nënkupton thjesht që, ashtu si njerëzit mund t’i shohin shqiponjat që vërtiten në ajër nga shumë larg, po ashtu rikthimi i Krishtit për gjykim do të jetë i dukshëm dhe i dallueshëm. Një interpretim i ngjashëm është që, shqiponjat nënkuptojnë shpërhapjen e vdekjes që do të shoqërojë rikthimin e Krishtit, për të gjykuar ata që e kanë refuzuar mbretërinë e tij. Sidoqoftë, do të jetë e pamundur për njerëzit të mos e shohim e të mos e dallojnë rikthimin e Krishtit.

“Dielli… hëna… yjet... fuqitë”. Ka mundësi që kjo të jetë një gjuhë me kuptim të drejtpërdrejtë (ku ndoshta “yjet” i referohet një shiu të madh meteorësh). Disa të tjerë e marrin si një përzierje të gjuhës së drejtpërdrejtë dhe asaj figurative, kurse të tjerë e marrin tërësisht si figurative, duke iu drejtuar gjykimit politik mbi kombet dhe qeveritë. Argumenti në favor të një interpretimi figurativ është se vargu jehon gjuhën figurative të shqetësimeve qiellore te profetët e Dhiatës së Vjetër, si Isaia 13:10; 34:4; Ezekieli 32:7; Joeli 2:10 dhe Amosi 8:9. Ata që argumentojnë për një interpretim të drejtpërdrejtë drejtohen te ngjarje biblike me errësirë fizike: krahaso me Eksodin 10:21-23 dhe Mateun 27:45. Ideja e rënies së yjeve dhe rënies së fuqive të qiellit, përmendet edhe në vende të tjera në Dhiatën e Re (shih Hebrenjve 1:12; 2 e Pjetrit 3:7, 10, 12; Zbulesa 6:13-14). Sidoqofshin interpretuar këto ngjarje, si figurative apo të drejtpërdrejta, është e qartë se do të jenë ngjarje “tronditëse”, përmes të cilave krijimi do të transformohet rrënjësisht në rikthimin e Krishtit. (Në lidhje me “qiejt e rinj dhe tokën e re,” shih Isaia 65:17; 2 e Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1.)

“Shenja e Birit të njeriut”. Disa sugjerojnë se ky është një lloj bajraku qiellor, apo flamur, që shpaloset në qiej, ndërsa Krishti kthehet me “fuqi dhe lavdi të madhe”, ndërsa të tjerë e interpretojnë se vetë ardhja e Birit të njeriut është shenja e përfundimit të përmbushjes së epokës (krah. me Mateu 16:27; 26:64). “Do të mbajnë zi”. Kjo frazë mund të jetë se vajtim që prodhon pendim, ose trishtim i madh pendese, nën dritën e gjykimin që po vjen. “Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit”. Me shumë mundësi, kjo është gjuhë që aludon për profecinë e Danielit (Danieli 7:13-14) dhe drejton për te rikthimi i Krishtit si fundi i epokës (krah. me 2 e Thesalonikasve 1:7-10; Zbulesa 19:11-16). “Me fuqi dhe lavdi të madhe”. Krishti do të shfaqet si sunduesi i përjetshëm i mbretërisë së Perëndisë, caktuar nga i Lashti i ditëve për të marrë adhurim dhe për të ushtruar sundim mbi të gjithë tokën dhe mbi të gjithë banorët e saj (krah. me Danieli 7:13-14). Rikthimi i Krishtit është një ngjarje e vërtetë, në të cilën ai “do të kthehet në të njëjtën mënyrë” që dishepujt e kanë “parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11).

“Tinguj… borie” në bindjet hebraike për fundin e kohëve (Isaia 18:3; 27:13), gjithashtu edhe në shkrimet e krishtera (1 e Korintasve 15:51-52; 1 e Thesalonikasve 4:16) lidhet me shfaqjen e Mesias. “Engjëjt e vet... do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri”. Me shumë mundësi, përfshirja e engjëjve tregon se, kur Jezusi të kthehet, jo vetëm që do të mbledhë të gjithë besimtarët e gjallë në tokë, por gjithashtu do të sjellë me vete të gjithë të shpenguarit që janë në qiej (krah. me 1 e Thesalonikasve 4:14; Zbulesa 19:11-16).

1 e Thesalonikasve 5:1-3

Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë t’ju shkruaj, sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë kështu, si vjedhësi natën. Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri”, atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe, nuk do të shpëtojnë.

Këto vargje lidhen ngushtësisht me 1 e Thesalonikasve 4:13-18: të dyja pasazhet ofrojnë siguri në lidhje me të ardhmen e të krishterëve në ardhjen e dytë, dhe 1 e Thesalonikasve 5:9-10 përmend tërthorazi 1 e Thesalonikasve 4:13-18. Duket se thesalonikasit ose ishin të shqetësuar se mund të mos ishin të përgatitur për ditën e Zotit, ose ishin të pasigurt për statusin e tyre në atë ditë, duke parë vdekjet e papritura.

“Sa për”. Pali mund të jetë duke iu përgjigjur një pyetjeje të thesalonikasve që i komunikohet përmes Timoteut. “Kohët dhe për stinët”. Pra, kur të ndodhë dita e Zotit (krah. me Veprat 1:7). Pyetja e thesalonikasve, me shumë mundësi lindi prej ankthit e jo prej kureshtjes, duke qenë se përgjigjja e Palit u jep siguri, në vend që t’i qortojë, e duket i shqetësuar edhe për “si” edhe për “kur” është dita e Zotit. “Nuk keni nevojë t’ju shkruaj”. Pavarësisht se çfarë dukej se po mendonin thesalonikasit, nuk kishte nevojë që Pali t’u shkruante për këtë çështje.

Fraza “dita e Zotit” është e zakonshme te profetët e Dhiatës së Vjetër (shih Amosi 5:18-20). I referohet ditës së madhe e të tmerrshme kur Yahve-u do të ndërhyjë për të ndëshkuar të pabindurit (p.sh., Isaia 13:6-16; Joeli 1:13-15; 2:1-11; Abdia 1:15-20; Malakia 4:5) dhe për të shpëtuar besnikët (p.sh., Isaia 27:2-13; Jeremia 30:8-9; Joeli 2:31-32; Abdia 1:21). Te letrat e Palit, kjo ditë lidhet me ardhjen e dytë. “Si vjedhësi natën”. Përgjatë Dhiatës së Re, krahasimi me vjedhësin nënkupton se ardhja e Krishtit do të jetë e papritur dhe e befasishme (Mateu 24:43-44; Luka 12:39-40; 2 e Pjetrit 3:10; Zbulesa 3:3; Zbulesa 16:15). Aspekti negativ është qartësisht i pranishëm te 1 e Thesalonikasve 5:4, e nuk ka arsye për të menduar se këtu mungon. Megjithatë, edhe pse disa kanë dyshuar se mos Pali po i kërcënon thesalonikasit me ardhjen e gjykimit të fundit, duket se ka më shumë gjasa që, në pikëpamjen e 1 e Thesalonikasve 5:4 dhe 1 e Thesalonikasve 5:9, ai të jetë duke i siguruar besimtarët, të cilët janë të pasigurt, ndoshta si rezultat i vdekjeve që po ndodhnin midis tyre. “Kur thonë”, u referohet jobesimtarëve. “Paqe dhe siguri”, ka mundësi të jetë referencë për propagandën e Perandorisë Romake ose (që ka më tepër gjasa) për Jeremia 6:14 (ose Jeremia 8:11), ku një gjuhë e ngjashme përdoret për një pikëpamje të gënjeshtërt imuniteti nga zemërimi hyjnor. “Dhembjet e lindjes”, një analogji që i referohet gjykimit dhe shkatërrimit në ditën e Zotit. Krahaso me Isaia 13:8; Jeremia 6:24.

1 e Korintasve 15:51-52 

Ja, po ju them një mister: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e borisë së fundit; sepse do të bjerë boria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi.

“Mister”. Të krishterët që do të jenë gjallë në kohën e ringjalljes do të transformohen që trupat e tyre të bëhen frymërorë dhe të pavdekshëm, si trupat e atyre që janë ringjallur prej së vdekurish. (Shih 1 e Thesalonikasve 4:13-18.)

Gjoni 14:1-3

“Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndinë dhe besoni në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thosha: Po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.”

“Besoni në Perëndinë” përkthehet në formën urdhërore (si komandë), por në greqisht mund të jetë edhe deklaratë: “Ju besoni në Perëndinë”. Nën dritën e fjalisë paraardhëse, ka më tepër gjasa që fraza të jetë në urdhërore. Ajo që i shqetëson dishepujt është largimi i afërt e Jezusit (shih Gjoni 13:36). “Besoni”, duke ruajtur përdorimin në Dhiatën e Vjetër (p.sh., Isaia 28:16), tregon besim personal të një marrëdhënieje të afërt.

Në dritën e konteksit (Jezusi shkon te Ati; Gjoni 13:1, 3; 14:28), më e mira është që “shtëpinë e Atit tim” ta kuptojmë si referencë ndaj qiellit. Duke mbajtur këtë imazh, shumë banesa (ose “vende qëndrimi”, greqisht ‘mone’), janë vende ku jeton brenda shtëpisë së madhe. Përkthimi “banesa” nuk ka për qëllim të japë idenë e hapësirave të vogla, por të ndjekë metaforën ku qielli referohet si “shtëpia” e Perëndisë. Në një pasazh të ngjashëm, Jezusi flet që ndjekësit e tij do të pranohen në “banesat e përjetshme” (Luka 16:9; krah. me 1 e Korintasve 2:9).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Kategoria: Ardhja e dytë e Krishtit
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-verses-on-the-second-coming-of-christ/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin
10 vargje kyç mbi besimin te Perëndia