artikull

Qershor 2022


Pyetje: Çfarë është krishterimi dhe çfarë besojnë të krishterët?

Përgjigje:
Te 1 e Korintasve 15:1-4 thuhet: “Tani, o vëllezër, po ju bëj të ditur ungjillin që ju kam predikuar dhe që ju e keni marrë dhe në të cilin ju qëndroni, me anë të të cilit ju edhe shpëtoheni, nëse do ta mbani fjalën që ju kam predikuar, veç nëse besuat kot. Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash atë që edhe mora, se Krishti vdiq për mëkatet tona, sipas Shkrimeve, dhe se u varros dhe se u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve.” Me pak fjalë, ky është besimi i krishterë. Jezusi vdiq për mëkatet tona, u varros, u ringjall dhe në këtë mënyrë ofroi shpëtim për të gjithë ata që do ta pranojnë Atë me besim. Krishterimi është unik mes të gjitha besimeve të tjera, sepse ka të bëje më tepër me një marrëdhënie se sa me një fe. Në vend që t’i përmbahet një liste rregullash, qëllimi i krishterimit është të nxisë një ecje sa më të afërt me Perëndinë Atë. Kjo marrëdhënie është bërë e mundur nëpërmjet veprës së Jezu Krishtit dhe shërbesës së të krishterëve me anë të Frymës së Shenjtë.

Përtej këtyre besimeve thelbësore, ka shumë gjëra të tjera që janë tregues të asaj që është krishterimi dhe çfarë besojnë të krishterët. Të krishterët besojnë se Bibla është fjala e frymëzuar dhe e pagabueshme e Zotit, dhe se mësimet e saj janë autoriteti përfundimtar: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në drejtësi” (2 e Timoteut 3:16); “Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i shtjellimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 e Pjetrit 1:20, 21). Të krishterët besojnë në një Zot, që ekziston në tre persona: Ati, Biri (Jezu Krishti) dhe Fryma e Shenjtë.

Të krishterët besojnë se njerëzimi është krijuar me qëllim që të ketë një marrëdhënie me Zotin, por që mëkati i ndan të gjithë njerëzit nga Perëndia: “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja i arriti të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:12); “Sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Krishterimi mëson se Jezu Krishti ka ecur në këtë tokë plotësisht Zot dhe në të njëjtën kohë, plotësisht njeri (Filipianëve 2:6-11) dhe më pas vdiq i gozhduar në kryq. Të krishterët besojnë se pas vdekjes së Tij në kryq, Krishti u varros, Ai u ngrit përsëri dhe tani banon në të djathtë të Atit, duke ndërmjetësuar përgjithmonë për besimtarët (Hebrenjve 9:11-14; Hebrenjve 10:10; Romakëve 6:23; Romakëve 5:8).

Që të jetë i shpëtuar, njeriu duhet thjesht të vendosë besimin në veprën e përfunduar të Krishtit në kryq. Nëse dikush beson se Krishti vdiq në vendin e tij, pagoi për mëkatet e tij dhe u ringjall përsëri, ai person është i shpëtuar. Askush nuk mund të bëjë asgjë për të merituar shpëtimin. Askush nuk mund të jetë “aq i mirë” sa të kënaqë Zotin nga vetja e vet, sepse ne të gjithë jemi mëkatarë: “Jemi të gjithë si një gjë e papastër dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobë e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era.” (Isaia 64:6, 7). Së dyti, nuk ka asgjë që mund të bëhet, sepse Krishti e ka përfunduar të gjithë veprën! Kur ishte në kryq, Jezusi tha: “U krye!” (Gjoni 19:30).

Ashtu siç nuk ka asgjë që dikush mund të bëjë për të merituar shpëtimin, në kohën kur dikush vendos besimin e saj/të tij te vepra e Krishtit në kryq, në të njëjtën kohë, nuk ka asgjë që dikush mund të bëjë për ta humbur shpëtimin. Mos harro! Vepra është kryer dhe është përfunduar nga Krishti. Asgjë që ka të bëjë me shpëtimin nuk varet nga ai që e merr shpëtimin. Gjoni 10:27-29 citon: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh dhe më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”

Shpëtimi është liria nga natyra e vjetër mëkatare dhe të qenët i lirë për të pasur një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë. Dikur ishim skllevër të mëkatit, tani jemi skllevër të Krishtit (Romakëve 6:15-22). Për aq kohë sa besimtarët jetojnë në tokë me trupa mëkatarë, do të ketë gjithmonë përpjekje për të mos u dorëzuar ndaj mëkatit. Gjithsesi, të krishterët mund të dalin fitimtarë ndaj përpjekjes me mëkatin, duke studiuar dhe duke vënë në jetë Fjalën e Perëndisë (Biblën) në jetën e tyre dhe duke qenë të kontrolluar nga Fryma e Shenjtë. Kjo që do të thotë nënshtrim ndaj ndikimit dhe drejtimit të Frymës në çdo rrethanë ditore dhe që nëpërmjet Frymës t’i bindemi Perëndisë.

Kështu, ndërsa çdo sistem tjetër fetar kërkon nga njeriu që të bëjë disa gjëra dhe të mos bëjë disa të tjera, krishterimi ka të bëjë vetëm me të pasurit e një marrëdhënie me Zotin. Krishterimi ka të bëjë me të besuarit se Krishti vdiq në kryq për të paguar mëkatet tona dhe u ringjall sërish. Paga e mëkatit është paguar dhe ti mund të kesh miqësi me Zotin. Ti mund të jesh fitimtar mbi natyrën e mëkatit dhe të ecësh në miqësi dhe në bindje ndaj Zotit. Ky është krishterimi i vërtetë biblik!



Botuar me leje:   https://www.gotquestions.org/Christianity.html  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaGot Questions

Postime të ngjashme

Cilat janë atributet e Perëndisë
A jam i shpëtuar vetëm me anë të besimit apo me anë të besimit dhe të veprave?
>