cfare eshte besimi

Qershor 2021


Nga Guy M. Richard

Kam kuptuar se një prej fjalive që kam përsëritur më shpesh gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit në shërbesë është komenti i J. I. Packer, që thotë se gjysmë të vërtetat, që paraqiten si të vërteta të plota, janë gënjeshtra të plota. Ajo që Packer vë në dukje është një kujtues i mirë se gjysmë të vërtetat janë pikërisht ashtu: gjysmë të vërteta. Kur paraqiten si të plota, si të mos kishte asgjë për të shtuar, rezultojnë në shtrembërim të së vërtetës. Të thuash se Jezusi është njëqind për qind njeri është e vërtetë. Por është vetëm gjysma e historisë. Jezusi është gjithashtu njëqind për qind hyjnor. Nëse fokusohemi vetëm në aspektin njerëzor të Jezusit dhe nuk themi asgjë për hyjninë e Tij, jemi fajtorë të paraqitjes së një gjysmë të vërtete si të ishte e vërtetë e plotë, duke parashtruar kështu një gënjeshtër të plotë.

Kam frikë se shumë prej nesh në kishë sot mund të jenë shumë pranë këtij gabimi në predikimin e ungjillit. Patjetër që thirrja e ungjillit është të besosh në Jezu Krishtin, prandaj predikimi ynë duhet t’i ftojë gjithmonë njerëzit në besim. Por nëse predikimi ynë ndalet aty, pa i ftuar njerëzit në pendim, atëherë rrezikojmë paraqitjen e një gjysmë të vërtete si të ishte e plotë. Pendimi dhe besimi janë të pandarë. Janë dy anët e së njëjtës monedhë. Besimi është ana pozitive e kthimit te Krishti, dhe pendimi është ana negative e largimit nga mëkati. Nuk është e mundur të kthehemi edhe te Krishti edhe te mëkati, siç është e pamundur të udhëtosh në dy drejtime të ndryshme njëkohësisht. Sipas përkufizimit të tyre, të udhëtosh drejt lindjes do të thotë të mos udhëtosh drejt perëndimit, dhe po ashtu të kthehesh te Krishti do të thotë të mos kthehesh te mëkati. Besimi dhe pendimi ecin pa diskutim bashkë. 

Këtë lidhje të pandashme midis besimit dhe pendimit e shohim në pasazhe të ndryshme të Shkrimit. Te Veprat 2:38, për shembull, Pjetri u përgjigjet atyre që “u pikëlluan në zemër” dhe e pyetën: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?” duke u thënë: “Pendohuni dhe secili nga ju të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve.” Ai nuk u thotë: “besoni dhe pagëzohuni,” siç bën Pali në pothuajse të njëjtën situatë me filipianin që ishte roja e burgut te Veprat 16:30-34, por u thotë: “pendohuni dhe pagëzohuni.” Arsyeja duket e qartë, sidomos kur bashkojmë Pjetrin dhe Palin: besimi dhe pendimi janë të pandashëm. Është e pamundur të pendohesh dhe të mos besosh, dhe është po aq e pamundur të besosh e të mos pendohesh.

E shohim këtë situatë sërish te Luka 24:47, kur Jezusi u thotë dishepujve të Tij se duhet të predikojnë ungjillin e “pendimit dhe faljes së mëkateve”, dhe gjithashtu te Veprat 3:19, kur njëri prej këtyre dishepujve ia vë veshin fjalëve të Tij dhe i thërret dëgjuesit: “pendohuni… që të shlyhen mëkatet tuaja.” Në të dyja këto raste, na tregohet se thirrja e ungjillit nuk është thjesht “beso, dhe do të jesh i falur”, por “pendohu, dhe do të jesh i falur”. Arsyeja është fakti se besimi dhe pendimi ecin krah për krah.

Marku e bën edhe më të qartë këtë ndërlidhje, teksa shfaq jetën e Krishtit. Në kapitullin 1:12-15, Marku tregon se Jezusi shpalli një ungjill që dukshëm i thërret njerëzit në “pendim dhe besim”. Është e dukshme që për Jezusin besimi dhe pendimi janë të pandashëm. Ungjilli na bën thirrje për të dy.

Kjo gjë nuk mohon doktrinën e drejtësimit vetëm përmes besimit. Jezusi nuk po i shton asgjë besimit, por, në fakt, po përcakton çfarë ai është. Besimi shfajësues nuk është një besim i zbathur ose lakuriq, nëse mund ta themi, por është një besim pendimi—që do të thotë, gjithmonë i shoqëruar nga pendimi. Duhet ta pranojmë se është e mundur që besimi i vërtetë të jetë për një kohë pa pendim. Shembulli i Davidit që nuk pendohet për një periudhë kohe, pasi mëkatoi me Bathsheban, e vërteton këtë (2 e Samuelit 11-12). Megjithatë një frymë e papenduar nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Të krishterët mund të mos shfaqin pendim menjëherë, por në fund do të pendohen. Perëndia do të kujdeset që kjo të ndodhë, siç bëri me Davidin, sepse besimi dhe pendimi ecin përkrah njëri-tjetrit. Ku është njëri, do të jetë edhe tjetri.

I njëjti ungjill që na thërret në besim, na fton në pendim gjithashtu. Nëse përqendrohemi vetëm në thirrjen për besim, po shohim vetëm njërën anë të monedhës dhe po injorojmë faktin se ka dhe një anë tjetër. Po të heqim një paralele me njërin prej mësimeve më të famshme të Jezusit, të shpallësh besimin, por jo pendimin, është njësoj si t’i mësosh njerëzit “t’i japin Cezarit atë që i përket Cezarit” pa përmendur se ata gjithashtu duhet “t’i japin Perëndisë atë që i përket Perëndisë” (Mateu 22:21). Jemi shumë pranë rrezikut të prezantimit të një gjysmë të vërtete si të ishte e plotë, duke paraqitur kështu një gënjeshtër të plotë.

Dr. Guy M. Richard është drejtori ekzekutiv dhe profesor asistent i teologjisë sistematike në Seminarin e Reformuar Teologjik në Atlanta. Ai është autori i disa librave, përfshirë "Baptism: Answers to Common Questions".

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/what-faith/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk, Ungjilli

Postime të ngjashme

>