artikull

Prill 2022


I krishterë, si e di që do të jesh ende besimtar kur të zgjohesh në mëngjes? Dhe çdo mëngjes tjetër derisa të takosh Jezusin?

Përgjigjja biblike është: Perëndia do të kujdeset për këtë.

A je në rregull me këtë gjë? A të shqetëson fakti se kjo varet përfundimisht nga Perëndia? Shpresoj që kjo të jetë gëzimi dhe kënga jote. Të besuarit e kësaj gjëje ka me vërtetë rrjedhoja të mëdha. Lëre Fjalën e Perëndisë të të mësojë se si të mendosh mbi këtë çështje.

Ne duhet të durojmë

Fjala duhet nuk është një fjalë e Ungjillit. Në vetvete, ajo duket kërcënuese dhe e rëndë, por si fjalë nuk qëndron e vetmuar në Bibël. “Ne duhet” shfaqet përkrah “Ai do” dhe “ne do”. “Ne duhet” bëhet “ne do”, sepse “Perëndia do”.

Por ai që do të durojë deri në fund, do të shpëtohet. (Marku 13:13)

Në qoftë se durojmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë. (2 e Timoteut 2:12)

Po ju bëj të ditur ungjillin... me anë të të cilit ju edhe shpëtoheni, nëse do ta mbani fjalën... veç nëse besuat kot. (1 e Korintasve 15:1-2).

Perëndia do të të ruajë

Qëndrueshmëria në besim nuk është për shkak të shpalljes sonë të parë të besimit, siç është shëndeti falë një vaksinimi që bëhet një herë. Besimi i qëndrueshëm ndodh sepse Mjeku i madh bën çdo ditë punën e Tij mbështetëse. Ne vazhdojmë të besojmë në Krishtin jo për shkak të antitrupave të mbetur nga kthimi në besim, por sepse Perëndia bën çdo ditë punën e Tij jetëdhënëse dhe besimruajtëse.

Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë s tij. (Juda 1:24)

Ai që nisi një vepër të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. (Filipianëve 1:6)

Do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin. (Jeremia 32:40)

[Krishti] do t’ju vërtetojë deri në fund... Besnik është Perëndia, nga i cili u thirrët në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë. (1 Korintasve 1:8-9)

Zoti do ...të më shpëtojë... për mbretërinë e tij qiellore. (2 Timoteut 4:18)


Ne do të durojmë

Për shkak se Perëndia do të kujdeset për këtë, ne do–jo thjesht duhet–të durojmë deri në fund. Nëse jemi drejtësuar me anë të besimit, do të përlëvdohemi. U tha, u bë!

Por ata që ai i paracaktoi; ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri; ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi. (Romakëve 8:30)


Katër reagime ndaj kësaj sigurie

1. Dorëzohu

Ne duhet të heqim dorë nga barra e ruajtjes së vetes. Duhet t’i ndalojmë përpjekjet e kota dhe ta lëmë Zjarrfikësin të na nxjerrë nga shtëpia që po digjet. Ne nuk ia dalim dot. Kurse Ai po! Ai do të na nxjerrë. “Njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij” (Jeremia 10:23).

2. Gëzohu

A nuk jehon zemra jote gëzimin e Charles Spurgeon-it kur ai thotë: “O miq të dashur, zemra e një njeriu gëzohet kur mendon për ato do të të fuqishme–ato shtylla të palëvizshme që vdekja dhe ferri nuk mund t’i tundin dot–do të-të e një Perëndie i cili ‘flet dhe gjëja bëhet’”(The Metropolitan Tabernacle Pulpit Sermons, Vëll. IX, 364). “Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë” (1 e Thesalonikasve 5:24).

3. Prehu

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju çlodh” (Mateu 11:28). Zgjedha është e butë dhe barra është e lehtë, sepse Perëndia thotë: “Unë do të të mbaj dhe ti do të prehesh në mua”. “Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj derisa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj” (Isaia 46:4).

4. Rreziko

Nëse e di që e ardhmja jote është e siguruar nga Perëndia yt i gjithëfuqishëm dhe që të mban përjetë, kërcënimet e tokës dhe të ferrit nuk mund të të ndalojnë dot që të përhapësh famën e Tij. Konkluzioni në të cilin arriti Pali nga “ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi” ishte: “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Romakëve 8:31). Prandaj, ne do të rrezikojmë “pikëllimin, ngushticën, përndjekjen, urinë, të zhveshurit, rrezikun dhe shpatën” (Romakëve 8:35). Sepse asgjë nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin (Romakëve 8:39).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika–Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Joana Muhameti | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje:  https://www.desiringgod.org/articles/will-you-be-a-believer-tomorrow-morning  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


EtiketaDesiring God

Postime të ngjashme

Kërkimi për gëzim