Shenjtërimi dhe qëndrueshmëria

Doktrina e drejtësimit na çon natyrshëm tek ajo e shenjtërimit. Gjendja e drejtësimit bën thirrje për një jetë shenjtërimi, e cila i përkushtohet shërbesës së Perëndisë.

1.Natyra dhe karakteristikat e shenjtërimit. Shenjtërimi mund të përcaktohet si ai veprim i hirshëm dhe i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë përmes së cilit ai pastron mëkatarin, ia ripërtërin gjithë natyrën sipas shëmbëllesës së Perëndisë dhe e aftëson që të kryejë vepra të mira. Ai ndryshon nga drejtësimi, për shkak se ndodh në jetën e brendshme të njeriut; nuk është një veprim ligjor, por krijues, është zakonisht proces i gjatë dhe nuk e arrin kurrë përsosmërinë në këtë jetë. Ndonëse shenjtërimi është kryekëput vepër e mbinatyrshme e Perëndisë, besimtari mundet dhe duhet që të bashkëpunojë në këtë proces nëpërmjet përdorimit të zellshëm të mjeteve që i ka vënë në dispozicion Perëndia (2 Kor. 7:1; Kol. 3:5-14; 1 Pjet. 1:22). Shenjtërimi nuk është thjesht nxjerrja jashtë e asaj që i është dhënë tashmë besimtarit në rilindje, por shër- ben për të përforcuar, rritur dhe forcuar jetën e re. Ai përbëhet nga dy pjesë: heqja graduale e ndotjes dhe shprishjes së natyrës njerëzore (Rom. 6:6; Gal. 5:24) dhe zhvillimi gradual i jetës së re që i përkushtohet Perëndisë (Rom. 6:4, 5; Kol. 2:12; 3:1, 2; Gal. 2:19). Ndonëse shenjtërimi ndodh në zemrën e njeriut, natyrshëm që ndikon në gjithë jetën e tij (Rom. 6:12; 1 Kor. 6:15, 20; 1 Thes. 6:23). Ndryshimi në brendësi të njeriut patjetër që rezulton në ndryshim në jetën e jashtme të tij. Që njeriu duhet të bashkëpunojë në veprën e shenjtërimit është diçka që rrjedh nga paralajmërimet e përsëritura kundër ligësisë dhe tundimeve (Rom. 12:9, 16, 17; 1 Kor. 6:9, 10; Gal. 5:16-23) dhe nga nxitjet e vazhdueshme për të kryer një jetë të shenjtë (Mikea 6:8; Gjoni 15:4-7; Rom. 8:12, 13; 12:1, 2; Gal. 6:7, 8, 15).

2.Karakteri i papërsosur i shenjtërimit në këtë jetë. Ndonëse shenj- tërimi ndikon në çdo pjesë të njeriut, zhvillimi shpirtëror i besim- tarëve mbetet i papërsosur në këtë jetë. Ata duhet të përleshen me mëkatin gjatë gjithë jetës (1 Mbret. 8:46; Fja.U. 20:9; Jak. 3:2; 1 Gjon 1:8). Jeta e tyre duhet të karakterizohet nga një betejë e vazhdueshme mes mishit dhe frymës, madje dhe më të mirët e tyre rrëfejnë ende mëkate (Jobi 9:3, 20; Psa. 32:5; 130:3; Fja.U. 20:9; Isa. 64:6; Dan. 9:7; Rom. 7:14; 1 Gjon 1:9), luten për falje (Psa. 51:1, 2; Dan. 9:16; Mat. 6:12, 13; Jak. 5:15) dhe luftojnë për përsosmëri më të lartë (Rom. 7:7-26; Gal. 5:17; Fil. 3:12-14). Kjo e vërtetë mohohet nga të ashtuquajturit “Perfeksionistë”, të cilët pretendojnë se njeriu mund të arrijë përsosmërinë (pra, perfeksionin) në këtë jetë. Ata bazohen te fakti se Bibla i po- rosit besimtarët që të jenë të përsosur (Mat. 5:48; 1 Pjet. 1:16; Jak. 1:4), flet për disa prej tyre si të përsosur (Zan. 6:9; Jobi 1:8; 1 Mbret. 15:14; Fil. 3:15) dhe shpall se ata që janë lindur nga Perëndia nuk mëkatojnë (1 Gjon 3:6, 8, 9; 5:18). Por fak- ti se duhet që të përpiqemi për përsosmëri nuk provon se disa njerëz janë tashmë të përsosur. Për më tepër, fjala “e përsosur” nuk nënkupton gjithmonë të qenit pa mëkat. Noeu, Jobi dhe Asa quhen të përsosur, por historia provon qartë se nuk ishin pa mëkat. Dhe, nga konteksti, Gjoni po thotë: ose se njeriu i ri nuk mëkaton, ose se besimtarët nuk jetojnë në mëkat. Ai vetë thotë se, nëse themi se s’kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk qëndron në ne (1 Gjon 1:8).

3.Shenjtërimi dhe veprat e mira. Natyrshëm, shenjtërimi çon në një jetë veprash të mira. Këto mund të quhen frytet e shenjtë- rimit. Veprat e mira nuk janë vepra të përsosura, por vepra që burojnë nga parimi i dashurisë për Perëndinë ose besimit në të (Mat. 7:17, 18; 12:33, 35; Heb. 11:6), që kryhen në përputhje të vetëdijshme me vullnetin e zbuluar të Perëndisë (LiP. 6:2; 1 Sam. 15:22; Jak. 2:8) dhe që kanë si synim përfundimtar lavdinë e Perëndisë (1 Kor. 10:31; Kol. 3:17, 23). Vetëm ata që janë rilindur nga Fryma e Perëndisë janë në gjendje të kryejnë kësi veprash të mira. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të parilin- durit s’janë në gjendje të bëjnë të mirën në çdo kuptim të fjalës (shih: 2 Mbret. 10:29, 30; 12:2; 14:3; Lu. 6:33; Rom. 2:14). Për shkak të hirit të përgjithshëm të Perëndisë, ata janë në gjendje të kryejnë vepra që janë në përputhje të jashtme me ligjin dhe i shërbejnë një synimi të lavdërueshëm; por veprat e tyre janë gjithmonë rrënjësisht të mangëta, sepse janë të shkëputura nga rrënja shpirtërore e dashurisë për Perëndinë, nuk paraqesin bind- jen e vërtetë të brendshme ndaj ligjit të Perëndisë dhe nuk synoj- në lavdinë e tij. Në kundërshtim me katolikët-romanë, duhet të themi se veprat e mira të besimtarëve nuk janë merituese (Lu. 17:9, 10; Efe. 2:8-10; Tit. 3:5), ndonëse Perëndia premton se do t’i shpërblejë me një shpërblim hiri falas (1 Kor. 3:14; Heb. 11:26). Nga ana tjetër, në kundërshtim me antinomianët, duhet të pohojmë domosdoshmërinë e veprave të mira (Kol. 1:10; 2 Tim. 2:21; Tit. 2:14; Heb. 10:24). 

4.Qëndrueshmëria e shenjtorëve. Natyrshëm, shprehja “qëndru- eshmëria e shenjtorëve” nënkupton një veprimtari të vazhdu- eshme të besimtarëve, përmes së cilës ata tregojnë qëndrueshmëri në udhën e shpëtimit. Sidoqoftë, kjo qëndrueshmëri, më tepër se veprimtari e besimtarëve, është vepër e Perëndisë ku duhet të marrin pjesë besimtarët. Hollë-hollë, siguria e shpëtimit të nje- riut qëndron në faktin se Perëndia tregon qëndrueshmëri.

Qëndrueshmëria mund të përcaktohet si ai veprim i vazh- dueshëm i Frymës së Shenjtë në besimtarin, nëpërmjet së cilit vazhdohet dhe përfundohet vepra e hirit hyjnor që ka filluar në zemrën e njeriut. Kjo doktrinë mësohet qartazi në Bibël (Gjoni 10:28, 29; Rom. 11:29; Fil. 1:6; 2 Thes. 3:3; 2 Tim. 1:12; 4:18).

Dhe, vetëm kur besojmë në këtë qëndrueshmëri të Perëndisë, mund të arrijmë në këtë jetë sigurinë e shpëtimit (Heb. 3:14; 6:11; 10:22; 2 Pjet. 1:10). Jashtë qarqeve të reformuara, kjo doktrinë nuk pëlqehet. Pretendohet se ajo kundërshtohet nga Shkrimi, i cili paralajmëron kundër femohimit (Heb. 2:1; 10:26), nxit besimtarët që të vazhdojnë në udhën e shpëtimit (Mat. 24:13; Kol. 1:23; Heb. 3:14), madje dhe shënon disa raste femohimi (1 Tim. 1:19, 20; 2 Tim. 2:17, 18; 4:10). Këto lloj paralajmërimesh dhe nxitjesh duket se presupozojnë mundësinë e rënies nga hiri dhe këto raste biblike duket sikur e provojnë tërësisht këtë ide. Por, në realitet, këto paralajmërime dhe nxitje provojnë vetëm faktin se Perëndia vepron me mjete dhe dëshiron që njeriu të bashkëpunojë në veprën e qëndrueshmërisë; s’ka asnjë provë se femohuesit e përmendur në Bibël kishin qenë vërtet besimtarë (Rom. 9:6; 1 Gjon 2:19; Zbu. 3:1).

Mësoni përmendësh. Pasazhe që provojnë pikat e mëposhtme:

a.Shenjtërimi si vepër e Perëndisë:

1 Thesalonikasve 5:23. “Por ai vetë, Perëndia i paqes, ju shenjtëroftë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krisht”.

Hebrenjve 2:11. “Sepse si ai, që shenjtëron, edhe ata që shenj- tërohen janë të gjithë prej një; për këtë shkak nuk turpërohet t’i quajë vëllezër”.

b.Bashkëpunimi i njeriut në shenjtërim:

2 Korintasve 7:1. “Duke i pasur këto premtime, o të dashur, le ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë”.

Hebrenjve 12:14. “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë”.

c.Vënia në vdekje e njeriut të vjetër:

Romakëve 6:6. “Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kry- qëzua me të, që trupi i mëkatit të shfuqizohet, që ne të mos i shërbejmë më mëkatit”.

Galatasve 5:24. “Por ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe epshet”.

d.Ngjallja e njeriut të ri:

Efesianëve 4:24. “Dhe të vishni njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës”.

Kolosianëve 3:10. “Edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë, sipas shembullit të atij që e krijoi”.

e.Shenjtërimi, i paplotë në këtë jetë:

Romakëve 7:18. “Sepse unë e di se në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë, sepse dëshira ndodhet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej”.

Filipianëve 3:12. “Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam  bërë i përsosur, por po e ndjek prapa se mos e kap, sepse edhe unë u kapa nga Jezu Krishti”.

f.Natyra e veprave të mira:

1 Samueli 15:22. “Samueli i tha: ‘Ndoshta i pëlqejnë ZOTIT holokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të ZOTIT? Ja, bind- ja është më e mirë se flijimi dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve’”.

1 Korintasve 10:31. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndo- një gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdi të Perëndisë”.

Hebrenjve 11:6. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij; sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë”.

g.Qëndrueshmëria e shenjtorëve:

Gjoni 10:28, 29. “dhe unë u jap atyre jetë të përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t’i rrëm- bejë nga dora ime. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim”. 2 Timoteut 1:12. “Për këtë arsye unë po vuaj edhe këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i fuqishëm ta ruajë ndoren time deri në atë ditë”.

2 Timoteut 4:18. “Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e ligë dhe do të më shpëtojë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në jetë të jetëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}