Ringjallja, gjykimi i fundit dhe gjendja përfundimtare

1.Ringjallja. Shkrimi na mëson se, në kthimin e Krishtit, të vdeku- rit do të ringjallen. Dhiata e Vjetër flet qartazi për këtë tek Isaia 29:19 dhe Danieli 12:22. Dhiata e Re përmban prova edhe më të bollshme për të (Gjoni 5:25-29; 6:39-40, 44; 11:24-25; 1 Kor

15; 1 Thes. 4:13-17; Zbu. 20:13).

  • Karakteri i ringjalljes. Shkrimi na mëson që të presim një ringjallje trupore, të ngjashme me ringjalljen e Krishtit. Shpen- gimi në Krishtin do të përfshijë edhe trupin (Rom. 8:23; 1 Kor. 6:13-20). Kjo lloj ringjalljeje mësohet qartë te 1 Korintasve 15 dhe Romakëve 8:11. Ajo do të përfshijë të drejtët dhe të padrej- tët, por do të jetë një vepër çlirimi dhe përlëvdimi vetëm për ata të parët. Për këta të fundit, ribashkimi i trupit me shpirtin do të çojë në ndëshkimin e skajshëm të vdekjes së përjetshme.
  • Koha e ringjalljes. Sipas Shkrimit, ringjallja e përgjithshme do të përkojë me kthimin e Krishtit dhe fundin e botës, dhe do të vijohet aty për aty nga gjykimi përfundimtar (Gjoni 5:27-29; 6:39-40, 44, 54; 11:24; 1 Kor. 15:23; Fil. 3:20-21; Zbu. 20:11-

15). Premilenialistët mësojnë një ringjallje të dyfishtë: ringjallja e të drejtëve në kthimin e Krishtit dhe ringjallja e të padrejtëve njëmijë vjet më vonë, në fund të botës. Por Bibla flet për ringjall- jen e të dyve në një kohë të vetme (Dan. 12:2; Gjoni 5:28-29; Veprat 24:15). Ajo e lidh gjykimin e të padrejtëve me ardhjen e Krishtit (2 Thes. 1:7-10) dhe e vendos ringjalljen e të drejtëve në ditën e fundit (Gjoni 6:39-40, 44, 54; 11:24).

2.Gjykimi i fundit. Doktrina e ringjalljes na çon menjëherë tek ajo e gjykimit përfundimtar. Bibla flet pa lënë asnjë dyshim për ardhjen e një gjykimi të fundit (Psa. 96:13; 98:9; Pred. 3:17; 12:14; Mat. 25:31-46; Rom. 2:5-10; 2 Kor. 5:10. 2 Tim. 4:1;1 Pjet. 4:5; Zbu. 20:11-14).

  • Gjykatësi dhe ndihmësit e tij. Krishti, si ndërmjetës, do të jetë Gjykatësi (Mat. 25:31-32; Gjoni 5:27; Veprat 10:42;17:31; Fil. 2:10; 1 Tim. 4:1). Engjëjt do t’i ndihin (Mat. 13:41- 42; 24:31; 25:31) , por edhe shenjtorët do të kenë njëfarë pjese në këtë vepër gjykuese (1 Kor. 6:2-3; Zbu. 20:4).
  • Palët që do të gjykohen. Është plotësisht e qartë nga Shkri- mi se çdo individ i racës njerëzore do të detyrohet të shfaqet për- para fronit gjykues (Pred. 12:14; Mat. 12:36-37; 25:32; Rom.14:10; 2 Kor. 5:10; Zbu. 20:12). Disa mendojnë se të drejtët do të përjashtohen, por kjo është kundër mësimeve të Mateut 13:30, 40-43, 49; 25:31-36; 2 Kor. 5:10. Qartazi, edhe demonët do tëgjykohen (Mat. 8:29; 1 Kor. 6:3; 2 Pjet. 2:4; Juda 6).
  • Koha e gjykimit. Natyrshëm, gjykimi përfundimtar do të ndodhë në fund të botës dhe do të vijojë menjëherë pas ri- ngjalljes së të vdekurve (Gjoni 5:28-29; Zbu. 20:12-13). Kohë- zgjatja e gjykimit nuk mund të përcaktohet. Bibla flet për “ditën e gjykimit”, por kjo nuk do të thotë medoemos se do të jetë një ditë njëzetekatërorëshe. Po kështu, s’ka baza që të besojmë, si premilenialistët, se kjo ditë do të zgjasë njëmijë vjet.
  • Standardi i gjykimit. Qartazi, standardi me anë të të cilit do të gjykohen shenjtorët dhe mëkatarët do të jetë vullneti i zbu- luar i Perëndisë. Johebrenjtë do të gjykohen me anë të ligjit të natyrës; judenjtë, me anë të zbulesës së Dhiatës së Vjetër, ndërsa ata që kanë njohur zbulesën më të plotë të ungjillit do të gjyko- hen me anë të saj (Rom. 2:12). Perëndia do t’i japë çdo njeriu atë që i takon.

3.Gjendja përfundimtare. Gjykimi i fundit shërben për synimin e shpalosjes qartë të gjendjes përfundimtare të çdo njeriu.

  • Gjendja përfundimtare e të ligjve. Të ligjve u caktohet ven- di i gjykimit, i njohur me emrin “ferr”. Disa mohojnë se ferri është një vend i caktuar dhe e konsiderojnë thjesht si gjendje, por Bibla përdor gjithmonë terma vendorë. Për shembull, ajo flet për një “furrnaltë të zjarrtë” (Mat. 13:42), për një “liqen të zjarrtë” (Zbu. 20:14-15) dhe, për një “burg” (1 Pjet. 3:19); të gjithë këta janë terma vendorë. Në këtë vend, ata do të privohen plotë- sisht nga hiri hyjnor, do të përjetojnë një shkatërrim të pafund- më jete, do të pësojnë vuajtje aktive në trup dhe shpirt dhe do t’u nënshtrohen dhimbjeve të ndërgjegjes, ankthit dhe dëshpëri- mit (Mat. 8:12-13; Marku 9:47-48; Lu. 16:23, 28; Zbu. 14:10;21:8). Ndëshkimi i tyre do të ketë shkallë të ndryshme (Mat. 11:22, 24; Lu. 12:47-48; 20:47). Është e qartë se ndëshkimi i tyre do të jetë i përjetshëm. Disa e mohojnë këtë, për shkak se fjalët “i përjetshëm” dhe “i pafundmë” mund të nënkuptojnë thjesht një periudhë të gjatë kohore. Mirëpo ky nuk është kuptimi i zakon- shëm i këtyre fjalëve dhe s’ka asnjë arsye të mendojmë se kanë këtë lloj kuptimi, kur bëhet fjalë për ndëshkimin e ardhshëm të të ligjve. Për më tepër, përdoren dhe terma të tjerë që tregojnë një ndëshkim të pafundmë (Marku 9:43, 48; Lu. 16:26).
  • Gjendja përfundimtare e të drejtëve. Gjendja përfundim- tare e besimtarëve do të paraprihet nga zhdukja e kësaj bote të tanishme dhe nga vendosja e një krijimi të ri. Ky nuk do të jetë një krijim tërësisht i ri, por një ripërtëritje e krijimit të tanishëm (Psa. 102:26-27; Heb. 12:26-28). Qielli do të jetë banesa e për- jetshme e besimtarëve. Disa e mendojnë qiellin thjesht si gjendje, por Bibla e paraqet qartazi si vend të caktuar (Gjoni 14:2; Mat. 22:12-13; 25:10-12). Të drejtët nuk do të trashëgojnë vetëm qiellin, por edhe gjithë krijimin e ri (Mat. 5:5; Zbu. 21:1-3). Shpërblimi i të drejtëve përshkruhet si jetë e përjetshme, pra, jo thjesht si jetë e pafundme, por si jetë në gjithë plotësinë e vet, pa asnjë nga të metat dhe shqetësimet e së tashmes. Kjo plotësi jete shijohet në bashkësi me Perëndinë, gjë që, në fakt, është thelbi i jetës së përjetshme (Zbu. 21:3). Ndonëse të gjithë besimtarët do të shijojnë lumninë e përsosur, do të ketë shkallë të ndryshme edhe në shijimin e qiellit (Dan. 12:3; 2 Kor. 9:6).
  • Mësoni përmendësh. Pasazhe që provojnë këto të mëposhtmet:

    a.Ringjallja e përgjithshme:

    Danieli 12:2. “Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme”.

    Gjoni 5:28-29. “Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit”.

    Veprat 24:15. “Duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve”.

    b.Ringjallja e trupit:

    Romakëve 8:11. “Por në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju”.

    1 Korintasve 15:35. “Por do të thotë ndonjë: ‘Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç’trup do të vijnë?’”.

    c.Ringjallja në ditën e fundit ose në kthimin e Krishtit:

    1 Korintasve 15:22-23. “Sepse, ashtu sikurse në Adamin të gjithë vdesin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por seci- li sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij”.

    1 Thesalonikasve 4:16. “Sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët”.

    Gjoni 6:40. “Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit”.

    d.Gjykimi i fundit me Krishtin si gjykatës:

    2 Korintasve 5:10. “Sepse ne të gjithë duhet të shfaqemi para selisë së gjykatës së Krishtit, që secili të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq”.

    2 Timoteut 4:1. “Unë po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij”.

    Zbulesa 20:12. “Dhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që qëndronin përpara Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe një libër tjetër u hap, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre”.

    e.Shpërblimet dhe ndëshkimet e përjetshme:

    Mateu 25:46. “”Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjet- shëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme.

    Romakëve 2:6-8. “Që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: atyre që kërkojnë me durim në vepra të mira lavdi, nder e pavdekësi, do t’u japë jetë të përjetshme , por atyre, që grinden e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim”.

    2 Thesalonikasve 1:9. “Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij”.

    f.Shkallët e ndryshme të shpërblimeve dhe ndëshkimeve:

    Danieli 12:3. “Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë”.

    Luka 12:47-48. “Por ai shërbëtor, që e dinte vullnetin e zo- tit të tij dhe nuk u bë gati e nuk bëri sipas vullnetit të tij, do të rrihet shumë. Por ai, që nuk e dinte, po bëri gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë”.

    2 Korintasve 9:6. “Por ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell me bujari edhe do të korrë me bujari”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>