- Thirrja e jashtme. Bibla flet për këtë lloj thirrjeje ose e për- mend në një sërë pasazhesh (Mat. 28:19; 22:14; Lu. 14:16-24; Veprat 13:46; 2 Thes. 1:8; 1 Gjon 5:10). Ajo nënkupton prezan- timin dhe ofrimin e shpëtimit në Krishtin ndaj mëkatarëve, së bashku me një nxitje të sinqertë që të pranojnë Krishtin me anë të besimit, me qëllim që të marrin faljen e mëkateve dhe jetën e përjetshme. Nga ky përcaktim, duket tashmë se thirrja e jashtme përmban tre elementë, pra: (1) një paraqitje të fakteve dhe ideve të ungjillit; (2) një ftesë për t’u penduar dhe besuar në Jezu Krish- tin, dhe (3) një premtim për falje dhe shpëtim. Ky premtim është gjithmonë i kushtëzuar; përmbushja e tij mund të kryhet vetëm nëpërmjet besimit dhe pendimit të vërtetë.
Thirrja e jashtme është universale në kuptimin se u vjen gjithë njerëzve, të cilëve u predikohet ungjilli. Ajo nuk kufizohet vetëm te një epokë, komb apo klasë e caktuar njerëzish, dhe u vjen, si të mohuarve, ashtu dhe të zgjedhurve (Isa. 45:22; 55:1; Ezek.3:19; Joeli 2:32; Mat. 22:2-8, 14; Zbu. 22:17). Natyrisht, kjo thirrje, për shkak se vjen nga Perëndia, vjen me tërë mend. Perën- dia u bën thirrje të sinqertë mëkatarëve dhe dëshiron vërtet që ata të pranojnë ftesën; po kështu, ai u premton me sinqeritet të plotë jetën e përjetshme atyre që pendohen dhe besojnë (Num. 23:19; Psa. 81:13-16; Fja.U. 1:24; Isa. 1:18-20; Ezek. 18:23, 32; 33:11; Mat. 23:37; 2 Tim. 2:18). Nëpërmjet thirrjes së jashtme, Perëndia shpall pretendimin e tij mbi mëkatarin. Nëse njeriu nuk e pranon thirrjen, fyen pretendimin e Perëndisë dhe në këtë mënyrë shton fajësinë e vet. Po kështu, kjo thirrje është mjeti i caktuar në mënyrë hyjnore, nëpërmjet së cilit Perëndia mbledh të zgjedhurit nga gjithë kombet e botës (Rom. 10:14-17) dhe për këtë arsye duhet konsideruar si bekim për mëkatarët, ndonëse ata mund ta kthejnë në mallkim (Isa. 1:18-20; Ezek. 3:18, 19; Amosi 8:11; Mat. 11:20-24; 23:37). Së fundi, ajo shërben për të drejtësuar Perëndinë, kur dënon mëkatarët. Nëse ata e përçmo- jnë ofertën e shpëtimit, fajësia e tyre shfaqet në dritën më të qartë të mundshme (Gjoni 5:39, 40; Rom. 3:5, 6, 19).
- Thirrja e brendshme. Ndonëse dallojmë dy aspekte të thirrjes së Perëndisë, në realitet kjo thirrje është një. Thirrja e brendshme në fakt është thirrja e jashtme që bëhet e efektshme nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë. Ajo i vjen mëkatarit gjithmonë përmes Fjalës së Perëndisë dhe zbatohet në mënyrë shpëtuese nga veprimi i Frymës së Shenjtë (1 Kor. 1:23, 24). Në dallim nga thirrja e jashtme, ajo është një thirrje e fuqishme që bëhet e efektshme për shpëtim (Veprat 13:48; 1 Kor. 1:23, 24). Për më tepër, ajo është një thirrje pa pendim, pra, Perëndia nuk e ndryshon dhe as e tërheq më pas (Rom. 11:29). Personi i thirrur do të shpëtohet me siguri. Fryma vepron përmes predikimit të Fjalës, duke e bërë bindjen e saj të efektshme; kështu njeriu arrin t’i vërë veshin zërit të Perëndisë së tij. Kjo thirrje i drejtohet mendjes së njeriut të ndriçuar nga Fryma e Shenjtë, prandaj ai bëhet i vetëdijshëm për të. Po kështu, ajo ka një synim të caktuar. Është thirrje për bashkësi me Jezu Krishtin (1 Kor. 1:9), për të trashëguar bekimin (1 Pjet. 8:9), për liri (Gal. 6:18), paqe (1 Kor. 7:15), shenjtëri (1 Thes. 4:7), një shpresë të vetme (Efe. 4:4), jetën e përjetshme (1 Tim. 6:12) dhe mbretërinë e lavdinë e Perëndisë (1 Thes. 2:12).
2.Rilindja. Thirrja hyjnore dhe rilindja qëndrojnë në marrëdhë- nien më të ngushtë të mundshme me njëra-tjetrën. Në lidhje me rilindjen, një sërë pikash meritojnë vëmendjen tonë:
- Natyra e saj. Fjala “rilindje” (ose “ripërtëritje”) nuk për- doret gjithmonë në të njëjtin kuptim. Rrëfimi ynë (d.m.th., “Rrë- fimi belg i besimit”, pika 25) e përdor në kuptim të gjerë, pra, si diçka që përfshin dhe kthimin në besim. Tanimë, ka marrë një kuptim më të ngushtë. Në kuptimin e saj më të ngushtë, rilin- dja nënkupton atë vepër të Perëndisë nëpërmjet së cilës brenda njeriut mbillet parimi i jetës së re dhe qëndrimi mbizotërues i shpirtit të tij bëhet i shenjtë. Në një kuptim paksa më përfshirës, rilindja nënkupton, përveç së mësipërmes, lindjen e re ose shfaq- jen e parë të jetës së re. Ajo përbën një ndryshim themeltar në parimin e jetës dhe në qëndrimin mbizotërues të shpirtit, pran- daj ndikon te gjithë qenia e njeriut (1 Kor. 2:14; 2 Kor. 4:6; Fil. 2:13; 1 Pjet. 1:8). Ajo plotësohet në një çast kohor dhe nuk është proces gradual si shenjtërimi. Përmes saj ne kalojmë nga vdekja në jetë (1 Gjon 3:14). Është një vepër e fshehtë dhe e pazhbi- rueshme e Perëndisë që nuk perceptohet kurrë drejtpërdrejt nga njeriu, por mund të njihet vetëm nga efektet.
- Autori i saj. Perëndia është autori i rilindjes. Shkrimi e paraqet si vepër të Frymës së Shenjtë (Gjoni 1:13; Veprat 16:14; Gjoni 3:5, 8). Përkundër arminianëve, ne besojmë se rilindja është kryekëput vepër e Frymës së Shenjtë dhe jo pjesërisht vepër e njeriut. Në veprën e rilindjes nuk ka asnjë bashkëpunim mes Perëndisë dhe njeriut, siç ndodh në veprën e kthimit në besim. Për më tepër, duhet thënë se rilindja, në kuptimin më të ngushtë të fjalës, pra, si mbjellje e jetës së re brenda njeriut, është vepër e drejtpërdrejtë dhe e atypëratyshme e Frymës së Shenjtë. Është vepër krijuese dhe pikërisht për këtë arsye fjala e ungjillit nuk mund të përdoret së tepërmi si mjet. Mund të thuhet se Jakobi 1:18 dhe 1 Pjetri 1:23 provojnë se fjala e predikimit përdoret si mjet në rilindje, por këto pasazhe i referohen rilindjes në një kuptim më të gjerë, si një koncept që përfshin dhe lindjen e re. Në këtë kuptim më përfshirës, rilindja kryhet pa dyshim përmes mjetit të fjalës.
- Domosdoshmëria dhe vendi i saj në rendin e shpëtimit. Shkrimi nuk na lë fare dyshim për domosdoshmërinë absolute të rilindjes, madje e pohon këtë në mënyrë fare të shkoqur (Gjoni 3:3, 5, 7; 1 Kor. 2:14; Gal. 6:15). Kjo rrjedh nga fakti se ne jemi nga natyra të vdekur në faje dhe mëkate dhe duhet të paji- semi me jetë të re shpirtërore, me qëllim që të shijojmë mirë- dashjen hyjnore dhe bashkësinë me Perëndinë. Shpesh pyetja që shtrohet është se cila prej të dyjave vjen e para: thirrja apo rilindja. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje mund të themi se, në rastin e të rriturve, thirrja e jashtme zakonisht i paraprin rilin- djes ose përkon me të në kuptimin e saj më të ngushtë. Rilind- ja, si mbjellje e jetës së re, i paraprin thirrjes së brendshme, dhe thirrja e brendshme i paraprin rilindjes në kuptimin më të gjerë ose lindjes së re. Pjesën më të madhe të këtij rendi e shohim të shënuar në kthimin e Lidias në besim (Veprat 16:14: “Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën (rilindja në kuptimin më të ngushtë) për të dëgjuar ato që thoshte Pali (thirrja e brendshme)”).
Mësoni përmendësh. Pasazhe që provojnë pikat e mëposhtme:
a.Thirrja e jashtme:
Marku 16:15-16. “Dhe u tha atyre: ‘Shkoni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet; por ai që nuk beson, do të dënohet’”.
Mateu 22:14. “Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgje- dhur”.
Veprat 13:46. “Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur çil- tas, thanë: ‘Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej juve më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmo- ni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi kombeve’”.
b.Thirrja e të mohuarve (pra, atyre që Perëndia nuk i ka paracaktuar për shpëtim):
Fjalët e Urta 1:24-26. “Sepse unë thirra dhe ju nuk deshët, shtriva dorën dhe askush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi, hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreq- jen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që druani”.
1 Pjetri 3:19-20a. “me anë të të cilit ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg, që dikur nuk bindeshin, dikur kur zemra e gjerë e Perëndisë i priste në ditët e Noeut”.
Shqyrto dhe shëmbëlltyrat që jepen te Mateu 22:1-8, 14; Lu.
14:16-24.
c.Serioziteti i kësaj thirrjeje:
Fjalët e Urta 1:24-26, shih dhe më sipër nën pikën b.
Ezekieli 18:23, 32. “‘A ndiej vallë gëzim nga vdekja e të pa- besit?’, thotë Zoti, ZOTI, ‘apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?... Unë në fakt nuk ndiej asnjë kënaqësi nga vdekja e atij që vdes’ thotë Zoti, ZOTI. ‘Kthehuni, pra, dhe do të jetoni’”.
Mateu 23:37. “Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu siç i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët”.
d.Domosdoshmëria e rilindjes:
Jeremia 13:23: “A mundet një etiopias ta ndryshojë lëkurën e vet apo një tigër ta këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?”.
Gjoni 3:3, 7. “Jezusi iu përgjigj dhe tha: ‘Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë… Mos u mrekullo që të thashë: ‘Duhet të lindni përsëri’”.
e.Rilindja dhe Fjala:
Jakobi 1:18. “Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë i krijesave të tij”. 1 Pjetri 1:23. “Të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë”.