Prill 2023

Zemërbutësia jote më ka bërë të madh.*

Psalmi 18:35

Ky varg mund të përkthehet ndryshe edhe si: “Mirësia Jote më ka bërë të madh” (Bibla, 2009). Me mirënjohje, Davidi nuk ia atribuonte madhështinë e tij mirësisë së vet, por asaj të Perëndisë.

Një përkthim tjetër do të ishte “Provania Jote”; dhe provania nuk është gjë tjetër, veçse mirësi në veprim. Mirësia është sythi, ndërsa provania është lulja, ose e thënë ndryshe, mirësia është fara dhe provania është e korra. Disa të tjerë e përkthejnë: “Ndihma Jote”, e cila është thjesht një mënyrë tjetër për t’iu referuar provanisë, e cila duke qenë aleatja e pathyeshme e shenjtorëve, u vjen atyre në ndihmë kur i shërbejnë Zotit të tyre.

Ose ndryshe mund të themi: “Përulësia jote më ka bërë të madh.” “Përfillja Jote” do të ishte ndoshta një shqipërim gjithëpërfshirës, duke qenë se termi “përfillje” i përmbledh në vetvete të gjitha këto nocione, përfshirë edhe atë të përulësisë. Ne bëhemi të mëdhenj për shkak se Perëndia zgjodhi ta bënte Veten të vogël. Ne jemi kaq të vegjël, saqë në qoftë se Perëndia do të na e shfaqte madhështinë e Tij pa përulësinë, do të shtypeshim nën këmbët e Tij. Mirëpo, Perëndia, edhe pse duhet të përkulet për të vështruar qiejt dhe të ulet poshtë për të parë se çfarë bëjnë engjëjt, i ul sytë e Tij edhe më poshtë dhe e hedh vështrimin drejt të përulurve e zemërthyerve, dhe i bën ata të mëdhenj.

Ekzistojnë edhe përkthime të tjera, për shembull, te Septuaginta thuhet: “Disiplina jote.” “Ndreqja Jote atërore—më ka bërë të madh”, ndërsa një parafrazim tjetër thotë: “Fjala Jote më ka rritur.”

Megjithatë, ideja është e njëjtë: Davidi ia atribuon të gjithë madhështinë e tij mirësisë përfillëse të Atit të vet qiellor. Ky qëndrim jehoftë në zemrat tona sonte, tek i hedhim kurorat tona në këmbët e Jezusit, duke klithur: “Zemërbutësia jote më ka bërë të madh”!

Sa e mrekullueshme është përvoja jonë e zemërbutësisë së Perëndisë! Sa zemërbutë është Ai në ndreqjet e Tij! Sa zemërbutë është Ai në durimin dhe mësimet e Tij! Me sa zemërbutësi i bën Ai ftesat e Tij! Qoftë kjo temë përsiatja jote, o besimtar! T’u zgjoftë mirënjohja; t’u shtoftë përulësia dhe t’u ngjalltë dashuria përpara se të biesh në gjumë sonte! 

*Shënim i redaktorit: Vargu është përkthyer fjalë për fjalë nga versioni i Biblës në gjuhën angleze New King James Version (NKJV).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin