9 janar

Janar 2022


Ndonjëherë në mes të mundimeve dhe streseve të zakonshme të jetës së përditshme, ne mund të thërrasim: “Edhe sa kohë o Zot? Nuk mund të shoh dot përtej dhimbjes së sotme. Çfarë do të sjellë e nesërmja? A do të jesh me mua edhe në atë mundim?

Kjo pyetje është jashtëzakonisht urgjente, për shkak se Jezusi tha: “Ai që do të durojë deri në fund, do të shpëtohet” (Marku 13:13). Dridhemi nga mendimi që mund të jemi mes atyre “që tërhiqen prapa për humbje” (Hebrenjve 10:39). Nuk po luajmë lojëra. Vuajtja është një kërcënim i tmerrshëm ndaj besimit në hirin e ardhshëm të Perëndisë.

Prandaj, është e mrekullueshme të dëgjojmë premtimin e Pjetrit për të krishterët e munduar dhe të lodhur: “Perëndia i çdo hiri, që ju thirri për lavdinë e tij të amshuar përmes Krishtit Jezu, pasi të vuani për pak kohë, do t’ju përsosë, do t’ju forcojë, do t’ju mbështesë dhe do t’ju vendosë mbi themele të forta” (1 e Pjetrit 5:10, versioni “Së bashku”).

Siguria që Ai nuk do të vonojë përtej asaj që ne mund të durojmë, që Ai ka për t’i hequr tej dobësitë për të cilat rënkojmë dhe që do ta themelojë përjetë atë që është lëkundur për kaq gjatë—ajo siguri vjen prej Perëndisë së “çdo hiri”.

Perëndia nuk është Perëndia i disa dhuratave të hirit—si hiri i mëparshëm. Ai është “Perëndia i çdo hiri”—ku përfshihen rezervat e pafundme dhe të pashtershme të hirit të ardhshëm, të nevojshme për ne që të durojmë deri në fund.

Besimi në atë hir të ardhshëm, i forcuar nga kujtimi i hirit të mëparshëm, është çelësi i durimit në shtegun e ngushtë dhe të vështirë, shteg që të çon në jetë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>