10 janar

Janar 2022


Çfarë mund të themi për gjyqin e fundit? A do të kujtohen mëkatet tona? A do të zbulohen ato? Anthony Hoekema me shumë mençuri tha: “Dështimet dhe mangësitë e…besimtarëve…do të jenë pjesë e tablosë në Ditën e Gjyqit. Por—dhe kjo është pika e rëndësishme—mëkatet dhe mangësitë e besimtarëve do të zbulohen në gjykim si mëkate të falura, faji i të cilave është mbuluar krejt nga gjaku i Jezu Krishtit.”

Përfytyroje kështu: Perëndia ka një dosje për çdo person (“librat” për të cilët flet Zbulesa 20:12). Gjithçka që keni bërë apo thënë ndonjëherë (Mateu 12:36) është regjistruar me një notë përkrah (nga “10” në “4”). Kur të qëndroni para “selisë së gjykatës së Krishtit” (2 e Korintasve 5:10) për t’u gjykuar dhe “për të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq”, Perëndia do ta hapë dosjen dhe do të tregojë provimet me notën e tyre përkrah. Ai do t’i nxjerrë të gjitha që kanë notat “4” dhe do t’i vendosë në një vend. Pastaj do t’i marrë të gjitha që kanë notat “5” deri “7”, do t’i nxjerrë pjesët e sakta të provimit dhe do t’i vendosë ato me notat “10”, dhe pjesët ngelëse do t’i vendosë me notat “4”. Pastaj do të marrë ato me notat “8” deri “10” nga të cilat do të nxjerrë pjesët ngelëse dhe do t’i vendosë në stivën e notave “4” dhe pjesët e mira do t’i vendosë në stivën e notave “10”.

Më pas, Perëndia do të hapë një dosje tjetër (“librin e jetës”), do të gjejë emrin tënd, për shkak se je në Krishtin përmes besimit. Pas emrit tënd do të jetë një shkrepëse e bërë nga kryqi i Jezusit. Ai do ta marrë atë shkrepëse, do ta ndezë dhe do t’i vërë zjarrin stivës së notës “4”, ku janë të gjitha dështimet dhe mangësitë e tua dhe kështu do t’i djegë ato. Ato nuk do të të dënojnë dhe as do të të shpërblejnë.

Pastaj, Perëndia do të marrë nga dosja jote “librin e jetës”, një zarf të vulosur me vulën “jetë: shpërblim falas prej hirit!” dhe do ta vendosë atë mbi stivën e notave “10” (shih Marku 4:24 dhe Luka 6:38). Më pas, Ai do ta mbajë lart të gjithë stivën dhe do të deklarojë: “Përmes kësaj prove, jeta jote dëshmon për hirin e Atit tim, për vlerën e gjakut tim dhe për frytin e Frymës tim. Këto dëshmojnë se jeta jote është e përjetshme. Dhe sipas këtyre, do të marrësh shpërblimin tënd. Hyr në gëzimin e përjetshëm të Zotërisë tënd.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>