February 2023

Në atë kohë Jezusi nisi të thotë… 

Mateu 11:25

Kjo është një mënyrë e goditur për të filluar një varg—“Në atë kohë Jezusi nisi të thotë...” Nëse shikoni kontekstin, do të kuptoni se askush nuk i kishte bërë Atij një pyetje, dhe se Ai nuk ishte duke biseduar me ndonjë person tjetër. E megjithatë është shkruar: “...Jezusi nisi të thotë: ‘Të lavdëroj ty o Atë…’.” Kur dikush përgjigjet, ai i përgjigjet dikujt që ka qenë duke folur me të. Atëherë, kush vallë kishte qenë duke folur me Krishtin? Ati i Tij. 

E megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë për këtë; çka duhet të na mësojë se Jezusi kishte përbashkësi të vazhdueshme me Atin e Tij, dhe se Perëndia i fliste Atij kaq shpesh dhe kaq vazhdimisht në zemër, saqë rasti në fjalë nuk ishte edhe aq i pazakontë që të regjistrohej. Komunikimi me Perëndinë ishte zakoni dhe jeta e Jezusit. 

Prandaj, le ta nxëmë mësimin që na përcjell kjo frazë e zakonshme në lidhje me Të. Shijofshim edhe ne një përbashkësi të heshtur me Atin, në mënyrë që t’i përgjigjemi Atij shpesh, dhe megjithëse miqtë tanë nuk e dinë se më kë po flasim, ne do t’i përgjigjemi atij zëri të fshehtë, të cilin ata nuk e dëgjojnë, por që veshët tanë, duke qenë të hapur nga Fryma e Perëndisë, e njohin me gëzim. 

Perëndia na ka folur; le të flasim me Perëndinë—ose për të shpallur se Perëndia është i vërtetë dhe i qëndron besnik premtimit të Tij, ose për të rrëfyer mëkatin për të cilin Fryma e Perëndisë na ka bindur, ose për të pranuar mëshirën që ka dhënë provania e Perëndisë, ose për të shprehur pëlqim për të vërtetat e mëdha, që Perëndia Frymë e Shenjtë na i ka zbuluar. 

Sa privilegj i madh është përbashkësia intime me Atin e shpirtit tonë! Është një sekret i fshehur nga bota dhe një gëzim në të cilin as shoku ynë më i ngushtë nuk ndërhyn dot. Nëse duam t’i dëgjojmë pëshpërimat e dashurisë së Perëndisë, le t’i pastrojmë veshët dhe t’i përshtatim ata për të dëgjuar zërin e Tij. Qofshin zemrat tona sonte në atë gjendje që kur Perëndia të na flasë, ashtu si Jezusi, të jemi gati t’i përgjigjemi Atij menjëherë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin