Shkurt 2023

Duke u lutur në çdo kohë.

Efesianëve 6:18

Sa lutje të panumërta kemi ngritur drejt qiellit që nga hera e parë kur mësuam të lutemi! Lutja jonë e parë ishte një lutje për veten; kërkuam që Perëndia të kishte mëshirë për ne dhe ta fshinte mëkatin tonë. Ai na dëgjoi. Mirëpo, pasi Ai i kishte fshirë mëkatet tona si një re, ne i drejtuam atij lutje të tjera për vetveten. Na është dashur të lutemi për hirin shenjtërues, për hirin përmbajtës dhe atë parandalues; jemi nxitur për të dëshiruar me zjarr një siguri të freskët besimi, zbatimin përdëllyes të premtimit, çlirim në orën e tundimit, ndihmë në kohën e detyrës dhe ngushëllim në ditën e sprovës. Kemi qenë të detyruar të shkojmë te Perëndia për shpirtrat tanë, si lypsarë të përhershëm që kërkojnë çdo gjë. 

Mbaj mend, fëmijë i Perëndisë, askund tjetër dhe kurrë më parë nuk ke mundur të marrësh diçka për shpirtin tënd! E gjithë buka që ka ngrënë shpirti yt, ka zbritur poshtë nga qielli dhe i gjithë uji që ka pirë ai, ka rrjedhur nga shkëmbi i gjallë—Zoti Jezu Krisht. Shpirti yt nuk është pasuruar kurrë në vetvete; ai ka qenë gjithmonë nën varësinë e furnizimit të përditshëm të Perëndisë; dhe rrjedhimisht, lutjet e tua janë ngjitur në qiell për një varg të panumërt mëshirash frymërore. Nevojat e tua ishin të panumërueshme, prandaj, edhe rastet e plotësimit të tyre kanë qenë pafundësisht të shumta, dhe lutjet e tua kanë qenë po aq të larmishme, sa të panumërta kanë qenë edhe mëshirat. 

Atëherë, a nuk ke ti arsye që të thuash: “Unë e dua ZOTIN, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe përgjërimet e mia”? Sepse po aq të shumta sa lutjet e tua, kanë qenë edhe përgjigjet e Zotit ndaj tyre. Ai të ka dëgjuar në ditën e fatkeqësisë, të ka forcuar dhe ndihmuar, edhe atëherë kur ti e çnderove atë duke u dridhur dhe dyshuar përpara fronit të Tij. Kujtoje këtë dhe lëre të ta mbushë zemrën me mirënjohje për Perëndinë, i cili i ka dëgjuar me kaq hir lutjet e tua të mjera e të mekura! “Beko, shpirti im, ZOTIN dhe mos harro asnjë nga të mirat e tij.” (Psalmi 103:2)


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>