Shkurt 2023

Ati ka dërguar Birin si Shpëtimtar të botës.

1 e Gjonit 4:14

Mendimi se Jezu Krishti nuk erdhi pa lejen, autoritetin, autorizimin dhe ndihmën e Atit të Tij tingëllon bukur. Ati e dërgoi Atë në botë, që të mund të ishte Shpëtimtari i njerëzve. 

Ne jemi shumë të prirur që të mos e mbajmë mend se Personave të Trinisë u takon i njëjti nderim, edhe pse mes Tyre ka dallime. Ne shpesh priremi që për shpëtimin tonë ose të paktën për thellësitë e dashamirësisë që e solli atë, t’ia atribuojmë nderimin më tepër Jezu Krishtit sesa Atit. Mirëpo, ky është një gabim shumë i rëndë. Po, Jezusi erdhi, por a nuk u dërgua Ai nga Ati? Po, Ai foli me autoritet, por a nuk derdhi vallë Ati i Tij hir në gojën e Jezusit, që Ai të mund të ishte një shërbëtor i denjë i besëlidhjes së re? Kushdo që i njeh Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë ashtu siç duhen njohur, kurrsesi nuk mund ta dojë njërin Person të Trinisë më tepër sesa të Tjerët; dhe i sheh Ata së bashku në Betlehem, Gjetsemani, apo edhe në Vendin e Kafkës [Golgotë], të gjithë të angazhuar barabar në veprën e shpëtimit. 

O i krishterë, a e ke vënë vallë besimin te Njeriu Jezu Krisht? Vallë, a i ke zënë besë vetëm Atij? Dhe a je bashkuar me Të? Atëherë, beso që je bashkuar me Perëndinë e qiellit. Meqenëse je vëllai i Njeriut Jezu Krisht dhe ke përbashkësi intime me Të, në këtë mënyrë je i lidhur edhe me Perëndinë Të përjetshmin dhe “I Lashti i ditëve” është Ati dhe Miku yt. 

A je përpjekur ndonjëherë ta përfytyrosh thellësinë e dashurisë në zemrën e Jahveh-ut, kur Perëndia Atë po e përgatiste të Birin për ndërmarrjen e madhe të mëshirës? Nëse jo, le të jetë kjo përsiatja jote për sot: Ati dërgoi Jezusin! Medito rreth kësaj teme! Mendo se si Jezusi vepron sipas vullnetit të Atit. Vështro dashurinë e të madhit UNË JAM në plagët e Shpëtimtarit që po shuhet. Le të jetë çdo mendim yti rreth Jezusit i lidhur pazgjidhshmërisht edhe me Perëndinë e Përjetshëm e të Shumëbekuar, sepse “...i pëlqeu ZOTIT ta rrihte dhe ta bënte të vuante” (Isaia 53:10).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>