dev spurgeon 10
Janar 2023

Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë.

Zanafilla 1:4

Sot në mëngjes pamë mirësinë e dritës dhe se si Perëndia e ndau atë nga errësira, ndërsa tani do të shohim vëmendjen e veçantë që Zoti i kushtoi dritës. “Perëndia e pa dritën”—e vështroi me kënaqësi, e soditi me ëndje dhe e pa që “ishte e mirë”. I dashur lexues, nëse Perëndia të ka dhënë dritë, Ai e vështron atë dritë me interes të veçantë, ngaqë jo vetëm që është e dashur për Të si vepra e duarve të Tij, por edhe sepse ajo ngjan me Të, sepse “Perëndia është dritë”. 

Është kënaqësi për besimtarin kur e di se sytë e Perëndisë po e vështrojnë me kaq dashamirësi atë vepër hiri që Ai e ka nisur. Ai nuk i largon kurrë sytë nga thesaret që ka vendosur në enët tona prej balte. Ka raste kur nuk mund ta shohim dritën, por Perëndia e sheh atë përherë, duke e parë shumë më qartë sesa ne vetë. Është më mirë kur është gjyqtari ai që e sheh pafajësinë time, sesa kur unë mendoj se e shoh atë. Ndihem shumë i lehtësuar kur e di se jam pjesë e popullit të Perëndisë—por edhe në e ditsha, edhe në mos e ditsha, nëse këtë e di Zoti, unë prapëseprapë ndihem i sigurt. Ky është themeli im: “Zoti i njeh të vetët” (2 e Timoteut 2:19). 

Ti mund të psherëtish e të rënkosh për shkak të mëkatit të lindur dhe të vajtosh për shkak të errësirës ku dergjesh, e megjithatë, Zoti sheh “dritë” në zemrën tënde, sepse Ai e ka vendosur aty. Në fakt, nuk ka vranësirë dhe zymtësi në shpirtin tënd, që mund ta fshehë dritën tënde nga shikimi i Tij i hirshëm.

Perëndia e sheh “dritën” brenda teje edhe nëse je i shkurajuar sa më s’bëhet, madje edhe i dëshpëruar, mjafton që shpirti yt ta dëshirojë Krishtin dhe që ti të jesh duke kërkuar të prehesh në veprën e Tij të përfunduar. Ai jo vetëm që e sheh dritën, por edhe ruan atë brenda teje. “Unë, Zoti, e ruaj atë!” Ky është një mendim i shtrenjtë për ata që pasi e kanë ruajtur dhe mbrojtur me plot përkujdesje veten, ndiejnë vetë pafuqishmërinë e tyre për ta bërë një gjë të tillë. Prandaj, një ditë, Ai do ta kthejë dritën e ruajtur nga hiri i Tij në shkëlqimin e mesditës dhe në plotësinë e lavdisë. Drita brenda nesh është agimi i përjetësisë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin