dev spurgeon 11
Janar 2023

Duke hedhur gjithë merakun tuaj mbi të, sepse ai kujdeset për ju.

1 e Pjetrit 5:7

Pa dyshim që mënyra më e mirë për lehtësimin e brengave është kur secili prej nesh ndien se “Ai kujdeset për [mua] ju”. I krishterë, mos e çndero besimin tënd duke pasur gjithmonë një pamje të shqetësuar; eja e hidhi barrët e tua mbi Zotin tënd! Ty po të dridhen leqet e këmbëve nën peshën e një barre që për Atin tënd është e lehtë pupël. Ajo që për ty është një barrë shtypëse, për Të është si pluhuri i një peshoreje. E ku ka gjë më të ëmbël, sesa të

Lëshohesh në krahët e Perëndisë,
Dhe të mos njohësh vullnet tjetër veç atij të Hyjnisë.

Ki durim, o fëmijë i vuajtjes, se Perëndia nuk të ka harruar në provaninë e Tij. Ai që ushqen harabelat, do të të sigurojë çdo gjë që të nevojitet. Mos u struk në dëshpërim, por vazhdo të shpresosh; mos e këput kurrë fillin e shpresës! Ngrihu me krahë besimi mbi detin e halleve dhe qëndresa jote do të të çlirojë nga mundimet e tua. Është Dikush që kujdeset për ty. Sytë e Tij janë mbi ty, zemra e Tij rreh me keqardhje për mjerimin tënd dhe krahu i Tij i gjithëfuqishëm do të të sjellë ndihmën që të nevojitet. Reja më e errët do të shpërndahet në rrebeshe mëshire. Mugëtira më e nxirosur do t’ia lërë vendin mëngjesit. Dhe nëse ti bën pjesë në familjen e Tij, Ai do të t’i fashojë plagët dhe do të ta shërojë zemrën e thyer. Mos dysho në hirin e Tij për shkak të mundimeve të tua, por beso se Ai ka për të të dashur me të njëjtën dashuri si në kohë të lumtura ashtu edhe në periudha vështirësish. Sa e paqtë dhe e qetë do të ishte jeta juaj nëse do t’ia linit shqetësimet tuaja Perëndisë së provanisë! 

Me pak vaj në qyp dhe me një grusht miell në fund të enës, Elia i mbijetoi zisë së bukës, dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ty. Nëse Perëndia merakoset për ty, atëherë, përse vallë duhet të merakosesh edhe ti? Si mund t’ia besosh Atij shpirtin tënd kur nuk ia beson dot trupin? Ai kurrë nuk ka refuzuar që t’i mbajë barrët e tua; Ai kurrë nuk është thyer nën peshën e tyre. Eja, pra, shpirti im! Thuaji lamtumirë merakut dhe lëri të gjitha shqetësimet në duart e një Perëndie të hirshëm!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>