dev spurgeon 7
January 2023

Rrituni në hirin dhe njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

2 e Pjetrit 3:18

“Rrituni në hirin”—pra, jo vetëm në një hir, por në të gjithë hirin. Rrituni në atë hirin themelor që është besimi. Besojini premtimet edhe më fort sesa i keni besuar. U rrittë besimi juaj në plotësi, qëndrueshmëri e thjeshtësi. Rrituni gjithashtu në dashuri. Lutuni që dashuria juaj të bëhet më e gjerë, më e thellë, më praktike, si dhe të ndikojë çdo mendim, fjalë a vepër. Po ashtu rrituni në çdo përulësi. Përpiquni të rrini sa më poshtë dhe njiheni më shumë pavlefshmërinë tuaj. Teksa zhyteni më thellë në përulësi, përpiquni njëkohësisht që të ngjiteni lart—duke iu afruar sa më pranë Perëndisë në lutje dhe duke pasur një përbashkësi sa më intime me Jezusin. Perëndia Frymë e Shenjtë ju bëftë të aftë që të “rriteni në njohjen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë”.

Ai që nuk rritet në njohjen e Jezusit, refuzon të bekohet. Ta njohësh Atë, është “jetë e përjetshme” dhe të përparosh në njohjen e Tij, do të thotë t’ia shtosh harenë zemrës. Ai që nuk digjet nga dëshira për të ditur më shumë për Krishtin, nuk di ende asgjë për Të. Kushdo që ka pirë nga kjo verë, do t’i shtohet edhe më shumë etja për të, sepse edhe pse Krishti të kënaq, kënaqësia e Tij është e tillë që nuk ta pret oreksin, por, përkundrazi, ta çel atë. Nëse e njihni dashurinë e Jezusit, atëherë, ashtu si drenusha që rend në kërkim të rrëkeve të ujit, kështu do të dëshironi edhe ju që të pini nga thellësitë e dashurisë së Tij. Nëse nuk dëshironi ta njihni Atë më shumë, atëherë, ju nuk e doni Atë, sepse dashuria përherë thërret: “Afrojuni më pranë!”. Largësia nga Krishti është ferr, por prania e Jezusit është qielli.

Mos mbetshi të kënaqur pa e njohur më thellë Jezusin! Përpiquni ta njihni Atë më shumë në natyrën e Tij hyjnore, në marrëdhënien e Tij njerëzore, në veprën e Tij të përfunduar, në vdekjen e Tij, në ringjalljen e Tij, në ndërmjetësimin e Tij tani dhe në kthimin e Tij të ardhshëm mbretëror. Jetoni afër Kryqit dhe hulumtoni misteret e plagëve të Tij. Rritja e dashurisë për Jezusin dhe njohja më e përsosur e dashurisë së Tij ndaj nesh është një nga provat më të mira të rritjes në hir.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin