dev spurgeon 6
Janar 2023

“Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: Përgatisni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!”

Luka 3:4

Zëri që bërtiste në shkretëtirë kërkonte një udhë për Zotin, një udhë të përgatitur, madje një udhë të përgatitur në shkretëtirë. Do t’i kushtoj vëmendje deklaratës së Mjeshtrit tim, do të çel një udhë për Të në zemrën time, një udhë të ndërtuar me anë të veprimtarive të hirshme përmes shkretëtirës së natyrës sime. Duhet t’i kushtoj vëmendje të pandarë katër udhëzimeve që gjenden në tekst (Isaia 40).

Çdo luginë do të jetë e mbushur [do të lartësohet]. Duhet të heq dorë nga mendimet e ulëta dhe lajkatare rreth Perëndisë, dyshimeve dhe dëshpërimit u duhen treguar udhët; po ashtu duhet të heq dorë nga egoizmi dhe dëshirat e mishit. Përmbi këto lugina të thella duhet të ngrihet udha e lavdishme e hirit.

Çdo mal e kodër të jenë sheshuar. Duhet sheshuar vetëmjaftueshmëria krenare e krijesës dhe vetëdrejtësia mburravece, që të ndërtojmë autostradën për Mbretin e mbretërve. Përbashkësia hyjnore nuk u premtohet kurrë mëkatarëve arrogantë e krenarë. Zoti i respekton të përulurit dhe i viziton zemërpenduarit, por kryelartët i ngjallin neveri. Shpirti im, lutju Frymës së Shenjtë, që të të ndreqë në këtë drejtim!

Vendet dredha-dredha [të jenë] të drejtuara. Zemra e lëkundur duhet të ndjekë një shteg të drejtë vendimi për Perëndinë, të përvijuar qartë nga shenjtëria. Njerëzit me dy mendje janë si të huaj për Zotin e së vërtetës. Shpirti im, bëj kujdes që në të gjitha gjërat të jesh i sinqertë dhe i vërtetë, duke qenë se je para syve të Perëndisë që hulumton zemrat.

Vendet e vështira [të jenë] të sheshuara. Duhet të hiqen pengesat e mëkatit dhe duhet të shkulen ferrat dhe drizat e rebelimit. Një vizitor kaq i madh nuk duhet të shkelë nëpër rrugë të baltosura ose të kalojë nëpër shtigje shkëmbore, kur vjen t’i nderojë të çmuarit e Vet me praninë e Tij. Ah, sikur këtë mbrëmje Zoti të gjente në zemrën time një autostradë të përgatitur nga hiri i Tij, që të përparonte në mënyrë triumfuese nëpër pjesët më të thella të shpirtit tim, nga e para dhe deri në të fundit ditë të këtij viti.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>