spurgeon dev 04 dhjetor pm
Dhjetor 2023

…ne vetë… psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me durim birërimin, shpengimin e trupit tonë.

Romakëve 8:23

Kjo psherëtimë është diçka e zakonshme mes popullit të Perëndisë: në një masë të madhe a të vogël, të gjithë e përjetojmë këtë ndjesi. Nuk është një psherëtimë ankuese apo murmuritëse: është më shumë një notë dëshire, sesa një notë vuajtjeje. Pasi kemi marrë kaparin e zotërimit tonë, dëshirojmë të marrim pjesën tjetër të tij; ne psherëtijmë nga dëshira që e gjithë natyra jonë njerëzore, në trininë e vet të frymës, të shpirtit dhe të trupit, të mund të çlirohet nga gjurmët e fundit të Rënies. Ne digjemi nga dëshira që të flakim tej zhelet e prishjes, të dobësisë dhe të çnderimit, dhe të vishemi me mosprishjen, me pavdekësinë dhe me lavdinë—trupin frymëror që Zoti Jezus do t’ia falë popullit të Tij.

Ne digjemi nga dëshira për shfaqjen e birësimit tonë si fëmijë të Perëndisë. “Ne… psherëtijmë”, por kjo është një psherëtimë “në veten tonë”. Nuk është psherëtimë prej hipokriti, me anë të së cilës ai dëshiron t’i bëjë njerëzit të besojnë se është shenjtor, ngaqë hiqet si i përvuajtur. Psherëtimat tona janë gjëra të shenjta, shumë të shenjta dhe shumë personale për të vënë tellallin për to lart e poshtë. Dëshirat e zjarrta që kemi për Zotin tonë, i ruajmë në shpirt. Pastaj apostulli thotë se jemi “duke pritur”, frazë përmes së cilës mësojmë se nuk duhet të jemi idhnakë si Jona apo Elia kur thanë: “Lërmë të vdes”; por as nuk duhet të qaravitemi apo të psherëtijmë duke dashur fundin e jetës për shkak se jemi lodhur nga puna, dhe as të dëshirojmë t’u shpëtojmë vuajtjeve të tanishme derisa të bëhet vullneti i Zotit. Duhet të psherëtijmë për përlëvdimin, por duhet ta presim me durim, duke e ditur se ajo që cakton Zoti, është më e mira.

Pritja nënkupton të qenët gati. Duhet të qëndrojmë te dera duke pritur që I Dashuri ta hapë dhe të na marrë me Vete. Kjo psherëtimë është një sprovë. Mund të mësosh shumë për një njeri në bazë të asaj që e bën atë të psherëtijë. Disa psherëtijnë për pasuri—ata adhurojnë paranë; disa të tjerë psherëtijnë vazhdimisht për shkak të mundimeve të jetës—ata janë thjesht të paduruar. Mirëpo, njeriu i cili psherëtin për Perëndinë, i cili nuk mund të gjejë dot prehje e rehati derisa të bëhet si Krishti—ai po që është një njeri i bekuar. Na ndihtë Perëndia që të psherëtijmë për ardhjen e Zotit dhe ringjalljen që do të na sjellë!


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/jesus-christ-lamb-god
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>