spurgeon dev 28 maj pm
Maj 2023

Këtë dua ta sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj.

Vajtimet 3:21

Kujtesa bie shpesh nën zgjedhën e dëshpërimit. Mendjet e dëshpëruara kujtojnë çdo ogur të lig të së kaluarës dhe zmadhojnë çdo veçori të zymtë të së tashmes; kështu që kujtesa, e veshur me thasë liri, i paraqet mendjes një kupë me pelin e barishte të tjera të hidhura.

Mirëpo, nuk ka asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë. Urtësia mund ta shndërrojë me të shpejtë kujtesën në një engjëll ngushëllues. I njëjti kujtim, i cili, nga njëra anë, mban kaq e kaq ogure të zymta, mund të stërvitet që në vend të atyre të mbajë shenja të panumërta shprese. Nuk ka pse të mbajë një kurorë hekuri; ajo mund ta rrethojë ballin e vet me një diademë ari, të stolisur me yje.

E tillë ishte përvoja e Jeremias: në vargun e mëparshëm, kujtesa i kishte sjellë atij një poshtërim të thellë të shpirtit: “Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje”, ndërsa tani e njëjta kujtesë e ktheu në jetë, duke i falur ngushëllim: “Këtë dua ta sjell në mendje dhe prandaj dua të shpresoj.” Ashtu si një shpatë me dy tehe, kujtesa e tij, së pari, e vrau krenarinë e tij me njërin teh dhe pastaj e theri dëshpërimin e tij me tjetrin.

Është një parim i përgjithshëm se, nëse do ta përdornim kujtesën tonë me më shumë urtësi, do të mundeshim, madje edhe në mes të ankthit tonë më të errët, të shkrepnim një shkrepëse, e cila do ta ndizte sa hap e mbyll sytë llambën e ngushëllimit. Nuk është e nevojshme që Perëndia të krijojë diçka të re mbi tokë, me qëllim që të rimëkëmbë gëzimin e besimtarit. Në qoftë se ata do të trazonin hirin e së kaluarës në lutje, ata do të gjejnë dritë për të tashmen, dhe nëse do t’i ktheheshin librit të së vërtetës dhe fronit të hirit, shumë shpejt qiriri i tyre do të ndriçojë ashtu si në kohët e vjetra. 

Prandaj, le ta kujtojmë dashamirësinë e Zotit dhe t’i sjellim ndër mend veprat e Tij të hirit! Le ta hapim vëllimin e memories, që ndriçohet kaq ëmbël nga kujtimet e mëshirës së Tij, dhe shpejt do të lumturohemi sërish! Kështu, kujtesa mund të jetë ashtu siç e quan edhe Coleridge-i*: “zemra e burimit të gëzimit”, dhe kur Ngushëlluesi Hyjnor e vë atë në shërbim të Tij, atëherë, ajo është ngushëllimi më i madh që mund të njohim.

*Shënim i redaktorit: Samuel Taylor Coleridge-i (1772-1834) ishte një poet, kritik letrar, filozof dhe teolog anglez.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>