spurgeon dev 29 maj am
Maj 2023

Ti e do drejtësinë dhe e urren mbrapshtinë.

Psalmi 45:7

“Zemërohuni, dhe mos mëkatoni” (Efesianëve 4:26). Zor se mund të ketë mirësi te një njeri i cili nuk zemërohet me mëkatin; ai që e do të vërtetën, duhet ta urrejë çdo udhë të gënjeshtërt. Sa shumë e urreu Zoti Jezus ardhjen e tundimit! Tunduesi e sulmoi tri herë në forma nga më të ndryshmet, por, në të tria rastet, përgjigjja që mori, ishte: “Shporru, Satan!”. Zoti Jezus e urrente [mbrapshtinë kur e shihte] te të tjerët me po aq zell, si në rastin kur e shprehte urrejtjen me lot keqardhjeje, ashtu edhe kur e shprehte me fjalë qortimi; mirëpo, çfarë gjuhe mund të ishte më e ashpër dhe më e ngjashme me atë të Elias, sesa fjalë të tilla si: “Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata.”

Ai e urrente kaq shumë mbrapshtinë, sa derdhi gjak, që ta plagoste atë drejt e në zemër; Ai vdiq që ajo të mund të vdiste; Ai u varros që të mund ta varroste atë në varrin e Tij; dhe u ringjall së vdekurish që të mund ta shkelte me këmbë për gjithë përjetësinë. Krishti është në Ungjill dhe ky Ungjill i kundërvihet mbrapshtisë në çdo formë të saj. Mbrapshtia stoliset me petka të hijshme dhe imiton gjuhën e shenjtërisë; por urdhërimet e Jezusit, ashtu si ai kamxhiku me litarë të hollë, e nxjerrin nga tempulli, dhe nuk do ta tolerojnë brenda kishës.

Po kështu, edhe në zemrën ku mbretëron Jezusi, ç’luftë e madhe që bëhet mes Krishtit dhe Satanit! Dhe kur Shpengimtari ynë do të vijë si Gjykatësi ynë, ato fjalë gjëmuese: “Largohuni nga unë, të mallkuar”, të cilat, në të vërtetë, nuk janë veçse një vazhdimësi e mësimit që Ai dha gjithë jetën e Tij në lidhje me mëkatin, do të shfaqin neverinë e Tij ndaj paudhësisë. Sa e ngrohtë është dashuria e Tij për mëkatarët, po aq e nxehtë është urrejtja e Tij për mëkatin; sa e përsosur është drejtësia e Tij, po aq i plotë do të jetë shkatërrimi i çdo forme mbrapshtie! O kampion i lavdishëm drejtësie dhe shkatërrues i së ligës, për këtë arsye, Perëndia të ka vajosur Ty me vajin e gëzimit përmbi shokët e tu!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>