spurgeon dev 28 maj am
Maj 2023

Ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi.

Romakëve 8:30

Besimtar, ja ku është një e vërtetë e vyer për ty sot! Mund të jesh skamnor, në vuajtje ose i panjohur, por nëse të nevojitet inkurajim, hidhi një sy thirrjes sate dhe pasojave që rrjedhin prej saj, veçanërisht rezultatit të bekuar për të cilin flet ky varg. Po aq i sigurt sa edhe vetë fakti se sot je fëmijë i Perëndisë, është edhe fakti tjetër se sprovat e tua shpejt do të përfundojnë dhe ti do të pasurohesh deri në atë masë, që është e vështirë ta imagjinosh.

Prit dhe pak, dhe kryet e tua të lodhura do të mbajnë kurorën e lavdisë, dhe dora e punëtorit do të kapë degën e palmës së fitores. Mos u anko për vështirësitë e tua, por, përkundrazi, gëzohu që nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të gjendesh aty ku “vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as britmë, as dhimbje” (Zbulesa 21:4). Qerret e zjarrta të presin te dera dhe do të mjaftojë vetëm një çast për të të shpënë mes të përlëvduarve. Kënga e përjetshme është pothuajse në buzët e tua. Portat e qiellit janë hapur për ty.

Mos mendo se mund të mos ia dalësh të hysh në prehjen tënde! Nëse Ai të ka thirrur, asgjë nuk mund të të ndajë nga dashuria e Tij. Shqetësimet nuk mund ta këpusin dot lidhjen; zjarri i përndjekjes nuk mund ta djegë dot lidhjen; çekani i ferrit nuk mund ta këpusë dot zinxhirin. Ti je i sigurt; ai zë që të thirri në fillim, do të të thërrasë sërish nga toka në qiell, nga errësira e zymtë e vdekjes në shkëlqimet e patregueshme të përjetësisë. Të jesh i sigurt për këtë, zemra e Atij që të ka drejtësuar, rreh me një dashuri të pafundme për ty. Shumë shpejt do t’u bashkohesh të përlëvduarve të tjerë, atje ku është pjesa e trashëgimisë sate; ti je duke pritur këtu që të bëhesh gati për trashëgiminë, dhe me të mbaruar kjo, krahët e engjëjve do të të shpien larg, te mali i paqes, gëzimit dhe bekimit, aty ku:

Larg prej një bote me dhimbje e mëkat,
Me Perëndinë përjetësisht rrethuar
do të prehesh përjetë e mot.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>