spurgeon dev 27 maj am
Maj 2023

Mefiboshethi banonte në Jerusalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dyja këmbët.

2 i Samuelit 9:13

Mefiboshethi nuk ishte ndonjë zbukurim i madh për tryezën mbretërore; e megjithatë kishte një vend të përhershëm [në trapezën e Davidit], sepse mbreti David mund të dallonte në fytyrën e tij tiparet e mikut të tij të dashur, Jonathanit. Ashtu si Mefiboshethi, edhe ne mund t’i drejtohemi Mbretit të Lavdisë me fjalët: “Ç’është shërbëtori Yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?”, por megjithatë, Zoti na fton në një marrëdhënie të afërt me Veten, sepse sheh në fytyrat tona kujtimin e Birit të Tij shumë të dashur, Jezusit.

Populli i Zotit është i shtrenjtë për Perëndinë për shkak të Jezusit. E tillë është dashuria që Ati ka për të vetëmlindurin e Tij, saqë, për hir të Tij, Ai i ngre motrat dhe vëllezërit e Tij të vegjël, nga varfëria dhe mërgimi, dhe i bën të gëzojnë oborrin e mbretit, tituj fisnikërie dhe rezerva mbretërore. Deformimet e tyre nuk do t’i privojnë ata nga privilegjet që u takojnë. Të qenët sakat nuk përbën një pengesë për birërinë; uloku është po aq trashëgimtar [në gjymtimin e tij], sa do të ishte edhe sikur të vraponte si një gazelë.

Aftësia jonë për të hyrë mund të luhatet, por jo e drejta jonë. Tryeza e një mbreti është një vend fisnik poshtë së cilës mund të fshihen këmbët sakate, dhe, në gostinë e ungjillit, ne mësojmë si të ngazëllohemi në dobësitë tona, sepse fuqia e Krishtit qëndron mbi ne. E megjithatë, paaftësi të rënda mund ta dëmtojnë edhe udhëtimin e shenjtorëve më të dashur. Këtu kemi njërin që gostitej nga Davidi, por që, megjithatë, ishte aq sakat në të dyja këmbët, sa nuk mund t’i shkonte pas mbretit, kur ky duhet t’ia mbathte nga qyteti [për të shpëtuar kokën] dhe për këtë arsye u përfol dhe u keqtrajtua nga shërbëtori i tij.

Shenjtorët, besimi i të cilëve është i dobët dhe njohuria e të cilëve është e kufizuar, janë humbës të mëdhenj; ata janë të ekspozuar ndaj shumë armiqve dhe nuk mund ta ndjekin mbretin kudo ku Ai shkon. Një sëmundje e tillë është shpesh fryti i rrëzimit. Përkujdesja e keqe në foshnjërinë e tyre frymërore, shpesh i bën të kthyerit në besim të zhyten në një dëshpërim prej të cilit nuk e marrin veten kurrë, dhe në raste të tjera, mëkati shkakton kocka të thyera. Zot, ndihmoje çalamanin të kërcejë porsi dre, dhe ngope popullin Tënd me bukën e tryezës Sate!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>