spurgeon dev 27 maj pm
Maj 2023

“Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?”

2 i Samuelit 9:8

Në qoftë se Mefiboshethi u përul [kaq shumë] nga mirësia e Davidit, po ne si duhet të ndihemi në praninë e Zotit tonë të hirshëm? Sa më shumë hir që të kemi, aq më pak do të mendojmë për veten, sepse hiri, ashtu si edhe drita, nxjerr në pah papastërtitë tona. Shenjtorët e shquar [të së kaluarës] nuk dinin me ç’ta krahasonin veten, sepse ndjenja e pavlefshmërisë që i karakterizonte, ishte kaq e qartë dhe e mprehtë. I perëndishmi Rutherford thotë: “Unë jam një degë e vyshkur dhe e tharë, një copë mërshë e cofur, një grumbull kockash të thara dhe i paaftë të kapërcej qoftë edhe një fije kashte të vetme.” Në një vend tjetër, ai shkruan: “Me përjashtim të shpërthimeve të zemërimit të tyre, unë i ngjaj shumë Judës dhe Kainit.”

Mendjes së përulur, sendet më pa vlerë në natyrë, i duken më të larta se vetja, sepse ato nuk kanë rënë kurrë pre e mëkatit: qeni mund të jetë grykës, i egër ose i fëlliqur, por nuk ka ndërgjegje të cilën mund ta shkelë, apo mundësi për t’i rezistuar Frymës së Shenjtë. Qeni mund të duket si një kafshë e pavlerë, mirëpo, me pak mirësi, ai mëson shpejt ta dojë të zotin dhe është besnik deri në vdekje; ndërsa ne e harrojmë mirësinë e Zotit dhe nuk e ndjekim thirrjen e Tij. Termi “qen i ngordhur” është më kuptimploti nga termat përçmues, por, megjithatë, nuk është edhe aq i fortë sa për të shprehur neverinë që kanë besimtarët e rritur në besim për veten. Ata nuk shtiren në modestinë e tyre; por thonë atë që vërtet duan të thonë; ata e kanë matur veten në peshoren e shenjtërores dhe kanë zbuluar kotësinë e natyrës së tyre.

Në rastin më të mirë, ne nuk jemi gjë tjetër veçse argjilë, pluhur me shpirt; por po ta shohim veten si mëkatarë, atëherë e zbulojmë se ç’përbindësha jemi në të vërtetë. Le të shpallet në qiell si një mrekulli, që Zoti Jezus ia fal dashurinë e zemrës së Tij krijesave të tilla si ne! Megjithëse jemi pluhur dhe hi, ne duhet dhe do ta lartësojmë madhështinë e jashtëzakonshme të hirit të Tij. A nuk gjente zemra e Tij prehje në qiell? Ç’nevojë kishte Ai të zbriste te këto çadra, në kërkim të një bashkëshorteje dhe të zgjidhte një nuse mes bijve të njerëzve? O qiej e tokë, shpërtheni në këngë dhe faljani gjithë lavdinë Zotit tonë të bukur Jezus!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>