Mars 2023

“O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.”

Gjoni 17:24

O vdekje, pse vallë e prek pemën poshtë së cilës edhe vetë lodhja çlodhet! Pse na e heq më të mirin e tokës, në të cilin gjejmë gjithë kënaqësinë tonë? Nëse duhet patjetër ta përdorësh sëpatën tënde, të lutem, përdore mbi ato pemë që nuk japin fryt; kështu të paktën do të të falënderonim. Po pse vallë i rrëzon pemët më të mira? Ndale sëpatën tënde dhe fale të drejtin! 

Por jo, kështu qenka e thënë; vdekja godet më të mirin nga shokët tanë. Janë pikërisht më bujarët, më të perëndishmit, më të shenjtët dhe më të përkushtuarit, ata që vdesin të parët. Dhe përse ndodh kjo? Shpjegimin e gjejmë te lutja ngadhënjimtare e Krishtit: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.” 

Është pikërisht ajo lutje që i çon ata në qiell mbi krahë shqiponjash. Sa herë që një besimtar e le këtë botë për t’u ngjitur në qiell, lutja e Krishtit merr një përgjigje tjetër. Një shërbesëtar i mirë qëmoti thoshte: “Ndodh shpesh që Jezusi dhe populli i Tij bëjnë tërheqje litari në lutje. Ti përgjunjesh në lutje dhe thua: ‘Atë, unë lutem që shenjtorët e Tu të jenë me mua aty ku jam unë’, ndërsa Krishti thotë: ‘O, Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.’” 

Kështu, pra, ndodh një ndeshje qëllimesh mes dishepullit dhe Zotit të tij. Mirëpo, shpirti nuk mund të jetë në dy vende njëherësh: i dashuri yt nuk mund të jetë njëkohësisht edhe me ty, edhe me Krishtin. Atëherë, cila palë do ta fitojë këtë ballafaqim? Nëse do të mundeshe të zgjidhje, nëse Mbreti do të zbriste nga froni i Tij dhe do të të thoshte: “Ja, pra, ku i kemi dy palë të cilat po luten në kundërshtim me njëra-tjetrën. Si thua ti, cilës prej tyre t’ia dëgjomë lutjen?”. Oh, jam i sigurt se edhe sikur të kishe rënë në agoni, do të ngriheshe menjëherë në këmbë dhe do të thoshe: “Jezus, jo si dua unë, por si do ti u bëftë!”. Do të hiqje dorë nga lutja jote për jetën e të dashurit tënd, po ta kuptoje se Krishti po lutej për të kundërtën: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.” 

Po, Zot, mund t’i marrësh me vete. Me anë të besimit, i lëmë të shkojnë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>