Mars 2023

Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë përdhe dhe lutej.

Mateu 26:39

Në lutjen e Shpëtimtarit tonë, në orën e tij të sprovës, shquajmë disa karakteristika udhëzuese. Së pari, ishte një lutje e vetmuar. Ai u largua madje edhe nga tre dishepujt e Tij më të preferuar. Besimtar, ji i zellshëm në lutje vetmitare, sidomos kur kalon kohë sprove! Lutja familjare, lutja në grup, lutja në kishë nuk janë të mjaftueshme; ato janë tepër të çmuara, por aroma e mirë e qiellit do të jetë më e fortë në kohën tënde të qetë, kur nuk të dëgjon askush tjetër përveç Perëndisë. Ishte një lutje me përulësi. Luka thotë se Ai u gjunjëzua, por një ungjilltar tjetër thotë se Ai “ra me fytyrë përdhe”. Atëherë, ku duhet të jetë vendi yt, o shërbëtor i përulur i Mësuesit të madh? Ah, çfarë pluhuri dhe hiri duhet ta mbulojnë kokën tënde! Përulja është një pikëmbështetje e mirë në lutje. As të mos shpresojmë të fitojmë me Perëndinë, nëse nuk e përulim veten, që Ai të na lartësojë në kohën e duhur.

Ishte një lutje e Birit drejtuar Atit. “Aba, o Atë”, një lutje e cila do të jetë një vendstrehim për ty në ditën e sprovës, për të shpallur birësimin tënd. Si shtetas, nuk ke të drejta—ti i ke humbur ato për shkak të tradhtisë sate; por asgjë nuk mund ta bëjë një fëmijë që të humbasë të drejtën për të kërkuar mbrojtjen e të atit. Mos ki frikë të thuash: “Ati im, dëgjoje britmën time”!

Vër re se ishte një lutje këmbëngulëse. Ai u lut tri herë. Mos pusho së luturi derisa të marrësh përgjigje! Ji si ajo vejusha këmbëngulëse, vizitat e shpeshta të së cilës [te gjykatësi] bënë që ajo të fitonte të drejtën e cila nuk iu njoh që herën e parë. Ngulmo në lutje me një zemër falënderuese! Së fundi, ishte një lutje dorëzimi. “Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti.” Le të bëhet vullneti i Perëndisë dhe Ai do të zgjedhë më të mirën për ty! Ji i kënaqur ta lësh lutjen tënde në duart e Tij, i cili e di se kur të të japë, si dhe çfarë të të japë, dhe çfarë të mos të të japë. Kështu, duke u përgjëruar me zell e këmbëngulje, por megjithatë me përulësi e dorëzim, me siguri që do të triumfosh.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>