Sa i bukur je, i dashuri im!
Kënga e Këngëve 1:16
Ngado që ta kundrosh, Shumë i Dashuri ynë është i hijshëm sa më s’bëhet. Ati ynë qiellor synon që përvojat tona të ndryshme të na ofrojnë pikëvështrime të reja, prej nga mund ta kundrojmë bukurinë e Jezusit. Sa të këndshme janë sprovat tona kur na ofrojnë një pamje më të qartë të Tij, më të qartë sesa ajo që na ofron jeta e përditshme! E kemi vështruar nga majat e malit, kur Ai ndriçonte mbi ne si dielli me gjithë fuqinë e Vet; por e kemi parë edhe nga strofkat e luanëve, madje edhe atje Ai nuk ka humbur asgjë prej bukurisë së Tij. Në përjetimin e vuajtjes dhe dhimbjes, nga pragu i varrit i kemi kthyer sytë drejt bashkëshortit të shpirtit tonë, i cili kurrë nuk ka qenë veçse “i bukur”.
Shumë nga shenjtorët e Vet e kanë parë atë nga zymtia e birucave dhe nga flakët e turrës së druve të martirëve; megjithatë, nuk thanë kurrë asnjë fjalë të keqe kundër Tij, por vdiqën duke ngritur në qiell hiret e Tij të pakrahasueshme. Oh, ç’kohëzënie e këndshme dhe fisnike është t’i mbash sytë gjithë kohës drejt Zotit Jezus! A nuk është një kënaqësi e patregueshme ta shohësh Shpëtimtarin në të gjitha funksionet e Tij dhe ta dallosh se sa i pashoq është Ai në secilin prej tyre? A nuk është kënaqësi e papërshkrueshme ta lëvizësh kaleidoskopin dhe të zbulosh [në çdo lëvizje] kombinime të reja të hireve të pakrahasueshme? Në grazhd dhe në përjetësi, mbi kryq dhe mbi fronin e Tij, në kopsht dhe në mbretërinë e Vet, mes hajdutëve apo mes kerubimëve, Ai është gjithkund i lavdishëm në bukurinë e Tij.
Shqyrtojeni me kujdes çdo pjesëz të vogël të jetës së Tij dhe çdo tipar të karakterit të Vet, dhe do të zbuloni se është po aq i hijshëm në detaje, sa edhe në madhështinë e Tij! Gjykojeni si të doni, por nuk thoni dot asnjë fjalë të keqe për Të; peshojeni sa të doni, por nuk do të gjeni asnjë mungesë tek Ai. Edhe sikur të kaloni gjithë përjetësinë duke e kundruar, nuk do të zbuloni qoftë edhe një mangësi të vetme në Shumë të Dashurin tonë, por, përkundrazi, me kalimin e epokave, lavditë e Tij të fshehura do të shkëlqejnë edhe më fort me një shkëlqim të papërfytyrueshëm, dhe hijeshia e Tij e papërshkrueshme do t’i mrekullojë vazhdimisht të gjitha mendjet qiellore.
© dritez.al 2024