spurgeon dev 23 maj am
Maj 2023

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë.

Psalmi 138:8

Duket qartë se besimi që psalmisti shpreh këtu, është një besim hyjnor. Ai nuk tha: “Unë kam hir të mjaftueshëm për ta kryer veprën tek vetja—besimi im është kaq i fortë, sa nuk do të lëkundet kurrë—dashuria ime është kaq e nxehtë, sa nuk do të ftohet kurrë—vendosmëria ime është kaq e madhe, saqë asgjë nuk mund ta lëvizë.” Jo, ai u mbështet vetëm në Zotin. Nëse shfaqim ndonjë lloj besimi, i cili nuk është i themeluar mbi Shkëmbin e përjetshëm, ky besim do të ishte më keq se një ëndërr; do të binte mbi kokën tonë dhe do të na mbulonte me rrënojat e tij, duke na shkaktuar dhimbje dhe hutim.

Psalmisti ishte i urtë, sepse nuk mbështetej në asgjë tjetër veç veprës së Zotit. Pikërisht Zoti ka filluar një vepër të mirë brenda nesh dhe është Ai që e çon atë përpara. Nëse Ai nuk e përfundon, ajo vepër nuk ka për të mbaruar kurrë. Sikur të na duhej që ta qepnim vetë qoftë edhe një palë të veshjes qiellore të drejtësisë sonë, atëherë do të ishim të humbur; por në këtë qëndron besimi ynë—atë që Zoti e fillon, Ai edhe e përsos. Ai ka bërë gjithçka, duhet të bëjë gjithçka dhe do të bëjë gjithçka. Siguria jonë nuk duhet të bazohet në atë që kemi bërë, apo në atë që kemi vendosur të bëjmë, por, përkundrazi, duhet të qëndrojë krejtësisht mbi atë që Zoti do të bëjë.

Mosbesimi na pëshpërit në vesh: “Kurrë nuk do të jesh i aftë të rezistosh. Pa shiko se ç’ligësi fshihet në zemrën tënde—kurrë nuk mund ta mposhtësh mëkatin; pa shiko se si të trazojnë kënaqësitë dhe tundimet mëkatare të botës—me siguri që do të të joshin dhe do të të nxjerrin nga udha e drejtë.” Ah, natyrisht që do të humbnim po të ishte për fuqinë tonë! Nëse do të na duhej të lundronim të vetëm fillikat me barkat tona të brishta në një det kaq të trazuar, ne mund të hiqnim dorë nga udhëtimi ynë, të kapluar nga dëshpërimi; por faleminderit Perëndisë që do ta kryejë veprën e mirë te ne dhe do të na shpjerë në portin e dëshiruar. Siguria jonë nuk njeh kurrë kufij kur është themeluar vetëm mbi Perëndinë; zelli ynë nuk është asnjëherë i tepërt, për të pasur një besim të tillë.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>