spurgeon dev 22 maj am
Maj 2023

Dhe i çoi në rrugën e drejtë.

Psalmi 107:7

Rethanat e ndryshueshme shpesh bëjnë që besimtari i merakosur ta pyesë veten: “Përse po më ndodh kjo vallë?”. Kërkoja dritë, por ja që më mbuloi errësira; kërkoja paqe, por ja që më zunë hallet. Thashë në zemrën time: “Mali im qëndron i palëkundshëm, askush nuk do të mund ta lëvizë.” Zot, sapo Ti e fsheh fytyrën, mua më zënë dridhmat! Ishte vetëm dje kur mund ta lexoja titullin tim qartësisht; por sot provat e mia janë venitur dhe shpresat e mia janë mjegulluar. Dje mund t’i ngjitesha majës së malit dhe ta shihja peizazhin [që shpalosej prej andej], dhe të ngazëllohesha plot besim në trashëgiminë time të ardhshme; sot nuk kam shpresë në shpirtin tim, por shumë frikëra; nuk kam gëzim, por shumë shqetësim. A mos është kjo vallë pjesë e planit të Perëndisë për mua? A mos është kjo vallë mënyra se si Perëndia do të më çojë në qiell?

Po, ndodh edhe kështu. Eklipsi i besimit tënd, terri që ta pushton mendjen, mpakja e shpresës sate—të gjitha këto janë përbërës të metodës së Perëndisë për të të bërë gati për trashëgiminë e madhe, të cilën do ta gëzosh së shpejti. Këto sprova janë për të të vënë në provë dhe për të të forcuar besimin—ato janë dallgët që e lajnë dhe pastrojnë shkëmbin—ato janë erërat që e drejtojnë anijen tënde me më shumë shpejtësi drejt portit të dëshiruar. Ashtu siç thotë vetë Davidi, kështu mund të thuhet edhe për ty: “Dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.” Me anë të nderimit dhe çnderimit, fjalëve të mira dhe të këqija, kamjes dhe skamjes, gëzimit dhe shqetësimit, përndjekjes dhe paqes—me anë të të gjitha këtyre mbahet jeta jote frymërore, dhe secila prej tyre të ndihmon përgjatë rrugës.

Oh, mos mendo, o besimtar, se vuajtjet e tua janë jashtë planit të Perëndisë; sepse ato janë një pjesë e pandashme e tij! “Me shumë mundime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22). Mësoni, pra, “ta quani gëzim të madh … kur bini në tundime [sprova] të ndryshme” (Jakobi 1:2).

Fryma ime e drithëruar qoftë e qetë,
Duke i besuar vullnetit tënd të urt’, të shenjt’!
Zot, qëllimin Tënd s’e dalloj,
Megjithatë në gjithçka gëzoj,
Përderisa Ti thua: “Unë drejtoj.”


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>