dev spurgeon 3
Janar 2023

Ngulmoni në lutje.

Kolosianëve 4:2

Është interesante të vihet re se si një pjesë e mirë e Shkrimit të Shenjtë trajton temën e lutjes, ose duke na dhënë shembuj, ose duke vendosur rregulla, ose duke shpallur premtime. Me të hapur Biblën lexojmë: “Atëherë [njerëzit] filluan të kërkojnë emrin e Zotit”, dhe përpara se ta mbyllim librin e librave na kumbon në veshë “Ameni” i një përgjërimi të sinqertë.

Ka shumë raste të tilla. Këtu shohim një Jakob që lufton, aty një Daniel që lutej tri herë në ditë dhe një David që i klithte me gjithë zemër Zotit të tij. Shohim Elian në majë të malit; Palin dhe Silën në birucën e burgut. Ne kemi një mori urdhëresash, si dhe mijëra premtime. Çfarë na mëson kjo gjë, përveçse rëndësinë e shenjtë të lutjes dhe domosdoshmërinë e saj? Ne kemi sigurinë se çdo gjë që Perëndia e ka theksuar në Fjalën e Tij, e bëri me qëllimin që ajo të jetë e rëndësishme në jetët tona. Në qoftë se Ai ka folur gjerë e gjatë rreth lutjes, e ka bërë për shkak se e di që kemi shumë nevojë për të. Nevojat tona janë kaq të mëdha, saqë nuk duhet të pushojmë së luturi, derisa të jemi në qiell.

A mos vallë nuk të nevojitet asgjë? Atëherë, kam frikë se nuk e di se sa i vobektë je! A mos vallë nuk ke asnjë mëshirë për t’i kërkuar Perëndisë? Atëherë, mëshirat e Zotit t’i hapshin sytë, që të shohësh mjerimin tënd! Një shpirt pa lutje është një shpirt pa Krishtin. Lutja është belbëzimi i besimtarit të porsarilindur dhe rekuiemi i shenjtorit që po mbyll sytë për të fjetur në Jezusin. Është frymëmarrja, lajtmotivi, ngushëllimi, fuqia dhe nderi i të krishterit. Nëse je fëmijë i Perëndisë, do ta kërkosh fytyrën e Atit tënd dhe do të jetosh në dashurinë e Tij.

Lutu që këtë vit të jesh i shenjtë, i përulur, i zellshëm dhe i durueshëm; ki një përbashkësi më të ngushtë me Krishtin dhe hyr më shpesh te shtëpia e gostive të dashurisë së Tij. Lutu që të jesh një shembull dhe një bekim për të tjerët, dhe që të mund të jetosh më shumë për lavdinë e Mjeshtrit tënd. Motoja e këtij viti duhet të jetë: “Ngulmoni në lutje!”.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>