spurgeon dev 19 shtator am
September 2023

Në lirinë, me të cilën Krishti na liroi.

Galatasve 5:1

Kjo “liri” mbështetet mbi kushtetutën e qiellit—Biblën. Besimtar, ja ku e ke një varg të zgjedhur: “Kur të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty, ose të kalosh lumenjtë, nuk do të të mbytin” (Isaia 43:2). Ja ku ke edhe një tjetër: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje” (Isaia 54:10).

Këto Shkrime të çlirojnë për të besuar. Je përherë i mirëpritur në këtë tryezë të premtimeve. Shkrimi është si një thesar i pashtershëm, i mbushur me rezerva të pafundme hiri. Është banka e qiellit; mund të tërheqësh sa të duash prej saj, pa asnjë pengesë.

Eja me besim; ty të është hapur dera për të gjitha bekimet e besëlidhjes! Nuk ekziston asnjë premtim në Fjalën e Perëndisë, i cili do të të privohet. Të ngushëlloftë kjo liri kur të gjendesh në mundimet më të thella; ta gëzoftë zemrën kur të jesh i dërrmuar nga shkulmat e halleve; të përdëlleftë kur të të rrethojnë pikëllimet! Kjo është shenja e dashurisë së Atit tënd; ti je i lirë në të në çdo rast e situatë.

Gjithashtu të është dhënë liria për t’iu qasur fronit të hirit. Është privilegji i besimtarit që të ketë qasje të përhershme për tek Ati i vet qiellor. Cilatdo qofshin dëshirat, vështirësitë dhe nevojat tona, jemi të lirë që t’i paraqesim të gjitha ato përpara Tij. Nuk ka rëndësi se sa mund të kemi mëkatuar, sepse mund të kërkojmë e të presim të marrim falje. Nuk ka të bëjë fakti sa të varfër jemi, sepse mund t’i paraqitemi Atij me premtimin e Vet se do të sigurojë gjithçka që na nevojitet. Kemi leje për t’iu qasur fronit të Tij në çdo kohë—qoftë në orën më të errët të mesnatës, ose në vapën më të zjarrtë të mesditës.

Ushtroje të drejtën tënde, o besimtar, dhe shijoje këtë privilegj! Ti je i lirë të marrësh gjithçka që fshihet në Krishtin—urtësi, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim! Nuk ka rëndësi se çfarë nevoje ke, sepse ka një mbushulli përmbushjeje nevojash në Krishtin, dhe kjo është e disponueshme për ty. Sa e mrekullueshme është “liria” që të është falur! Liri nga dënimi, liri për t’i shfrytëzuar premtimet, liri për t’iu qasur fronit të hirit, dhe në fund, liri për të hyrë në qiell!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>