spurgeon dev 19 nëntor pm
November 2023

“Ah, sikur të dija ku ta gjeja!”

Jobi 23:3

Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, Jobi i klithi Zotit. Dëshira më e zjarrtë e një fëmije të munduar të Perëndisë është që ta shohë edhe një herë fytyrën e Atit të tij. Lutja që i vjen e para ndër mend, nuk është: “Ah, sikur të shërohesha nga sëmundja që po përhapet në trupin tim!”, madje as “Ah, sikur t’i shihja fëmijët e mi që të ktheheshin nga kthetrat e varrit, dhe pasuria të më kthehej nga duart e kusarëve!”. Por thirrja e tij e parë dhe më e fuqishme është: “Ah, sikur të dija ku ta gjeja, Atë, i cili është Perëndia im, që të mund të arrija deri në fronin e tij!”. Fëmijët e Perëndisë vrapojnë për në shtëpi me t’u afruar stuhia. Është instinkti qiellor i një shpirti të falur, që të kërkojë strehë nga të gjitha të këqijat poshtë krahëve të Jahveh-ut. “Ai që e ka bërë Perëndinë strehën e vet”, ky mund të shërbejë si përshkrimi i një besimtari të vërtetë.

Një hipokrit, kur goditet nga Perëndia, reagon me mëri dhe, porsi një skllav, zgjedh t’ia mbathë me të katra nga Padroni që e ka fshikulluar. Mirëpo, trashëgimtari i vërtetë i qiellit nuk vepron kështu. Ai e puth dorën që e goditi, dhe përpiqet t’i shpëtojë purtekës duke gjetur strehë në gjirin e Perëndisë që e disiplinoi. Dëshira e Jobit për të pasur përbashkësi me Perëndinë u shtua edhe më tepër nga dështimi i të gjitha burimeve të tjera të ngushëllimit.

Patriarku ia kthehu krahët miqve të tij të brengosur dhe e hodhi vështrimin drejt fronit qiellor, ashtu si udhëtari që, me të zbuluar se e ka bosh kacekun e ujit, ngarend me gjithë shpejtësinë drejt pusit. Ai u lë shëndenë shpresave të kësaj bote dhe klith: “Ah, sikur të dija ku ta gjeja Perëndinë tim!”. Asgjë nuk na e mëson më qartë vlerën e paçmuar të Krijuesit, sesa kur mësojmë për kotësinë e çdo gjëje tjetër në krahasim me të. Duke i kthyer krahët me përbuzje të hidhur zgjojeve të botës, ku nuk gjejmë mjaltë, por shumë pickime të mprehta, ngazëllehemi në Atë, fjala besnike e të cilit është më e ëmbël sesa mjalti ose hualli i mjaltit. Në çdo vështirësi që mund të gjendemi, duhet që më së pari të bëhemi të vetëdijshëm për praninë e Perëndisë me ne. Mjafton që ta shijojmë buzëqeshjen e Tij, dhe atëherë mund ta mbajmë kryqin tonë të përditshëm me plot dëshirë për hir të të shtrenjtit Shpëtimtar.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin