spurgeon dev 19 nëntor am
Nëntor 2023

Shmangu nga diskutimet e marra.

Titi 3:9

Ditët tona janë të pakta dhe është më e dobishme t’i kalojmë duke bërë mirë, sesa duke diskutuar rreth çështjeve të cilat, në rastin më të mirë, janë të një rëndësie të dorës së dytë. Studiuesit qëmoti shkaktuan probleme pa fund për shkak të diskutimeve të tyre pa mbarim rreth temave që nuk kanë rëndësi praktike; dhe kishat tona shumë shpesh vuajnë nga grindje të kota në lidhje me pika të paqarta dhe pyetje të parëndësishme.

Pasi janë thënë të gjitha gjërat që mund të thuhen, asnjë palë nuk del më e zgjuar nga debati, dhe për pasojë, ky i fundit as nxit njohurinë dhe as dashurinë, pra, është marrëzi të mbjellësh në një fushë kaq shterpë.

Pyetjet rreth çështjeve për të cilat Shkrimi hesht, për misteret që i takojnë vetëm Perëndisë, për profecitë me interpretim të dyshimtë dhe thjesht për mënyrat e kryerjes së riteve njerëzore, janë që të gjitha të marra dhe njerëzit e urtë u shmangen.

E kemi për detyrë as të mos i bëjmë dhe as të mos u përgjigjemi pyetjeve të marra, por t’u shmangemi krejtësisht atyre. Në qoftë se e ndjekim këshillën e apostullit (Titi 3:8), pra, që të kujdesemi për të kryer vepra të mira, do ta gjejmë veten kaq të zënë me punë të dobishme, saqë nuk do të kemi kohë t’u kushtojmë vëmendje përpjekjeve të padenja, të debatueshme e të pavlera. 

Sidoqoftë, janë edhe ca pyetje të cilat janë krejt e kundërta e diskutimeve të marra, të cilave nuk duhet t’u shmangemi, por duhet t’u përgjigjemi me ndershmëri dhe drejtësi. Këto janë pyetje të tilla si: A besoj vallë në Zotin Jezu Krisht? A jam ripërtërirë vallë në frymën e mendjes sime? A po eci vallë sipas Frymës dhe jo sipas mishit? A po rritem vallë në hir? A e zbukuron e folura ime doktrinën e Perëndisë, Shpëtimtarit tim? A po e pres vallë ardhjen e Zotit dhe a po qëndroj syçelë siç duhet të bëjë shërbëtori që pret kthimin e të zotit? Çfarë mund të bëj më shumë për Jezusin?

Pyetje të tilla si këto kërkojnë vëmendjen tonë ugjente; dhe në qoftë se kemi qenë sadopak të prirur për diskutime të kota, le t’i kthejmë tani aftësitë tona kritike drejt një shërbese që është shumë më tepër e dobishme. Le të bëhemi njerëz të paqes dhe të përpiqemi që t’i nxisim të tjerët si përmes këshillave, ashtu dhe shembullit tonë, që të “shmangemi nga diskutimet e marra”.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>